Tentuan të kalonin drejt Ceutës, policia marokene arreston mbi 100 persona – shqetësime për një tjetër kalim masiv
Forcohet siguria kufitare pasi në rrjetet sociale u bënë thirrje për një tjetër kalim masiv drejt territorit spanjoll në Afrikën e Veriut Policia marokene ka arrestuar 111 persona teksa tentonin të hynin në territorin spanjoll të Ceutës në Afrikën e Veriut, mes masave të shtuara të sigurisë në të dyja anët e kufirit, pasi në…
Bota
Forcohet siguria kufitare pasi në rrjetet sociale u bënë thirrje për një tjetër kalim masiv drejt territorit spanjoll në Afrikën e Veriut
Policia marokene ka arrestuar 111 persona teksa tentonin të hynin në territorin spanjoll të Ceutës në Afrikën e Veriut, mes masave të shtuara të sigurisë në të dyja anët e kufirit, pasi në rrjetet sociale u bënë thirrje për një tjetër kalim masiv, raporton TheGuardian.
Tentativa e së shtunës vjen dy javë pasi më shumë se 72 mijë migrantë u dyndën drejt Ceutës, duke shkaktuar tensione brenda BE-së dhe duke nxitur retorikën kundër emigracionit nga partitë e ekstremit të djathtë në mbarë botën. Të paktën 96 persona humbën jetën duke tentuar të arrinin në territorin evropian.
Një burim nga Ministria e Brendshme e Marokut i tha agjencisë së lajmeve Reuters se mes të arrestuarve ishin 109 migrantë nga Afrika Sub-Sahariane dhe dy shtetas marokenë, të arrestuar në qytetin maroken Fnideq ose në rrethinë. Fnideq ndodhet pranë Ceutës.
Sipas agjencisë spanjolle të lajmeve EFE, policia marokene përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë grupet e migrantëve të mbledhur në kodrat rreth 3 kilometra larg kufirit. Më vonë, Reuters pa qindra policë, disa me pajisje kundër trazirave dhe të tjerë me rroba civile, teksa ktheheshin nga kodrat jashtë Fnideqit.
EFE dhe transmetuesi shtetëror spanjoll TVE raportuan se Ministria e Brendshme e Marokut urdhëroi gazetarët e tyre të largoheshin menjëherë nga Fnideqi, pa dhënë ndonjë shpjegim.
Në Ceuta, ushtarët spanjollë ruanin supermarketet, ndërsa policia patrullonte rrugët kryesore. Qyteti ishte më i qetë krahasuar me ditët pas tentativës vdekjeprurëse për kalimin e kufirit më 30 korrik.
Që atëherë, Madridi ka vendosur një barrierë detare dhe ka dërguar më shumë se 500 policë shtesë nga Spanja kontinentale, duke e çuar numrin e përgjithshëm të forcave policore në Ceuta në mbi 1,600. Ministria e Brendshme tha se përforcimet do të qëndrojnë për aq kohë sa të jetë e nevojshme.
“Ne do të vazhdojmë të angazhojmë çdo personel të nevojshëm për të rikthyer normalitetin sa më shpejt të jetë e mundur dhe për të parandaluar përsëritjen e ngjarjeve të 30 korrikut”, tha të enjten ministri i Brendshëm i Spanjës, Fernando Grande-Marlaska.
Rreth 5,000 migrantë mbetën në Ceuta, shtoi ministri. Reuters pa qindra prej tyre duke u strehuar nga temperaturat përvëluese nën struktura të improvizuara prej bambuje në plazhin urban El Trampolin.
Grande-Marlaska tha se migrantëve që kanë hyrë në mënyrë të parregullt nuk do t’u lejohet të qëndrojnë në territor, të udhëtojnë drejt Spanjës kontinentale apo të marrin status të ligjshëm, përveç rasteve të rralla që lidhen me cenueshmëri ekstreme. Ata që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë, shtoi ai, do të kthehen në Marok.
Në fillim të kësaj jave, Rabati tha se po monitoronte “qarkullimin e postimeve dhe mesazheve në rrjetet sociale me origjinë të panjohur”, të cilat bënin thirrje për një kalim masiv më 15 gusht. Autoritetet paralajmëruan se organizatorët dhe pjesëmarrësit do të ndiqeshin penalisht.
Një dëshmitar i Reuters pa masa të shtuara sigurie pranë kufirit, përfshirë furgonë policie me mburoja teli dhe pika kontrolli në rrugë. Mediat lokale raportuan masa të ngjashme edhe pranë Melillës, një tjetër territor spanjoll në Afrikën e Veriut.
Autoritetet penguan disa grupe të hipnin në trena dhe autobusë drejt veriut të Marokut në qytete si Casablanca, Fez dhe Kenitra. Megjithatë, dëshmitarët i thanë Reuters se disa migrantë nga Afrika Sub-Sahariane po anashkalonin pikat e kontrollit duke përdorur rrugë malore në drejtim të Fnideqit.
Një dëshmitar tha se shkollat në Fnideq ishin shndërruar në ambiente akomodimi për forcat e sigurisë të dislokuara pranë kufirit.