U arrestua për spiunim, por Fehim Sali ishte pjesë e presidencës së Kosovës përmes Këshillit për Komunitete, fotografohej me Osmanin e Kurtin
Fehim Sali, i arrestuar nën dyshimin për spiunazh dhe bashkëpunim me shërbimin serb të inteligjencës BIA, kishte pasur më herët rol në aktivitete dhe takime me institucione të larta të Kosovës. Sali ishte emëruar nga presidentja e atëhershme, Vjosa Osmani, në Këshillin Konsultativ për Komunitete në nëntor të vitit 2022. Ky këshill funksionon pranë Presidentit…
Lajme
Fehim Sali, i arrestuar nën dyshimin për spiunazh dhe bashkëpunim me shërbimin serb të inteligjencës BIA, kishte pasur më herët rol në aktivitete dhe takime me institucione të larta të Kosovës.
Sali ishte emëruar nga presidentja e atëhershme, Vjosa Osmani, në Këshillin Konsultativ për Komunitete në nëntor të vitit 2022. Ky këshill funksionon pranë Presidentit dhe shërben si mekanizëm komunikimi ndërmjet komuniteteve dhe institucioneve të Kosovës, transmeton lajmi.net.

Ai kishte marrë pjesë edhe në aktivitete të komunitetit goran, ndërsa në një fotografi të publikuar nga Presidenca shihet pranë Osmanit gjatë një aktiviteti të këshillit.
Sali ishte përfshirë gjithashtu në takime me përfaqësues të komunitetit goran në Qeverinë e Kosovës. Në një prej tyre, kryeministri Albin Kurti kishte diskutuar për çështje që lidhen me punësimin, arsimin, gjuhët dhe mbështetjen institucionale për këtë komunitet.


Sipas Prokurorisë Speciale, Sali dyshohet se ishte rekrutuar nga BIA dhe se kishte pasur kontakte të vazhdueshme me zyrtarë të këtij shërbimi. Prokuroria pretendon se ai u kishte ofruar informacione që mund të dëmtonin interesat e Kosovës.
Pas arrestimit të tij, përfshirja e Salit në aktivitete dhe struktura institucionale të Kosovës ka rikthyer në vëmendje kontaktet që ai kishte pasur me përfaqësues të institucioneve të vendit.
Po kush është Fehim Sali dhe për çka dyshohet ai?
Ai ka punuar si mësimdhënës në shkollën fillore serbe “9 Maji” në Rapçë të Dragashit, institucion ku, sipas informacioneve të bëra publike, e ka fituar pozitën me ndikimin e ish-ministrit të Arsimit në Qeverinë e Serbisë, Branko Ruzhiq.
Madje thuhet se pas përfundimit të luftës në Kosovë, Sali është angazhuar në aktivitete të ndryshme të shoqërisë civile dhe, si pjesëtar i komunitetit goran, ka qenë i lidhur me një numër organizatash joqeveritare përmes të cilave ka përfituar projekte me vlera të ndryshme financiare. Aktiviteti i tij institucional është zgjeruar edhe në vitet e mëvonshme. Gjatë periudhës 2022–2024, kur ai ka qenë anëtar i Këshillit Konsultativ për Komunitete pranë Zyrës së Presidentes së Kosovës, duke pasur kështu mundësi të jetë pjesë e një mekanizmi institucional që shërben për përfaqësimin dhe komunikimin e komuniteteve joshumicë me institucionet e vendit.
Paralelisht me angazhimet në Kosovë, Sali ka zhvilluar aktivitete edhe në Serbi, bëjnë të ditur burime të KP. Në prill të vitit 2024 është regjistruar në Serbi organizata joqeveritare “Moja Gora”, ndërsa në Kosovë, në vitin 2020, ai ka themeluar organizatën “Udruzhenje gragjana Gora/Zelena”. Përmes këtyre angazhimeve, ai ka ruajtur lidhje me pjesëtarë të komunitetit goran dhe me struktura të ndryshme politike e shoqërore në Kosovë dhe Serbi.
Ndër vite, Sali është përfshirë edhe në çështje që kanë të bëjnë me dokumentacionin serb të banorëve të komunës së Dragashit dhe zonave të tjera.
“Sali ka shërbyer si ndërmjetësues për rregullimin e dokumenteve serbe për qytetarë të Kosovës dhe se në këtë veprimtari është ndihmuar nga një zyrtar i Agjencisë serbe të Inteligjencës, BIA. Me këtë zyrtar, Sali ka zhvilluar takime në Beograd dhe ka mbajtur komunikime të vazhdueshme”, ka thënë i njëjti burim për KP..
Mësohet se ka dyshime se gjatë këtyre kontakteve ai ka marrë detyra për identifikimin e personave të përfshirë në institucionet e sigurisë së Republikës së Kosovës, ndërsa ka përcjellë informacione për zhvillimet në rajonin e Gorës, aktivitetet në Zyrën e Presidentes së Kosovës, si dhe informacione me karakter politik dhe fetar.
“Në fokus të dyshimeve ndaj tij janë edhe aktivitetet politike në komunitetin goran dhe lidhjet e tij me struktura politike në Serbi.”
Veç kësaj, Sali dyshohet se ka ushtruar ndikim dhe presion mbi votuesit goranë në interes të Partisë Përparimtare Serbe, SNS, dhe Partisë Socialiste të Serbisë, SPS. “Për këtë angazhim, sipas dyshimeve, ai ka përfituar edhe mjete financiare”, thotë i njëjti burim. Aktiviteti i tij politik ka vazhduar edhe më tej, ndërsa organizata “Moja Gora” dyshohet se është përdorur si mbulesë për angazhime që synonin orientimin e votës së komunitetit goran në zgjedhjet në Serbi.
Në fillim të vitit 2023, Sali ka marrë pjesë në aktivitete të organizuara nga SPS dhe ka zhvilluar takime me kryetarin e kësaj partie, Ivica Daçiq, si dhe me figura të tjera të saj, përfshirë deputetin Igor Braunoviq. Këto kontakte, të marra së bashku me aktivitetin e tij në organizatat e komunitetit dhe rolin që ka pasur në Këshillin Konsultativ për Komunitete, paraqesin një profil të një personi që ndër vite ka krijuar një rrjet të gjerë kontaktesh në Kosovë dhe Serbi.
Sot, emri i Fehim Salit është vendosur në qendër të një hetimi për spiunazh. Autoritetet e Kosovës dyshojnë se aktiviteti i tij nuk është kufizuar vetëm në angazhime shoqërore, arsimore apo politike, por se ai ka bashkëpunuar për një periudhë të gjatë me BIA-n serbe dhe ka përcjellë informacione që lidhen me zhvillimet politike, institucionale dhe të sigurisë në Kosovë.
“Dyshimet përfshijnë edhe rolin e tij në identifikimin e personave që mund të shërbenin si objektiva të rekrutimit nga shërbimi serb. E sipas të njëjtit burim, ky rast dëshmon angazhimin e Serbisë për t’i instrumentalizuar edhe pakicat tjera në Kosovë për qëllime të saj, në rastin konkret pjesëtar të komunitetit goran.
Kujtojmë se, angazhime të tilla të agjentëve nga Serbia, kanë kërcënuar sigurinë e Kosovës dhe aleatëve të saj strategjik, pasi që dihet po ashtu që BIA bashkëpunon afër me shërbimet ruse te inteligjencës dhe sigurisë.
Dosja për Sali-n:
Në dosjen e Prokurorisë thuhet se i pandehuri Fehim Sali nga një datë e pacaktuar e deri gjatë arrestimin e tij, me datë 13.08.2026, në territorin e Republikës së Kosovës dhe atë të Serbisë, me dashje dhe me qëllim të përfitimit material, në cilësinë e personit të rekrutuar nga Shërbimi Inteligjent i Republikës së Serbisë, i njohur si BIA, ka ofruar ndihmë të vazhdueshme për këtë shërbim të huaj, duke vepruar sipas urdhrave dhe udhëzimeve të zyrtarit të lartë të BIA-s.
Tutje, sipas dosjes, i dysharu Fehim Sali ka ofruar informacione për situatën politike në Kosovë, ka bërë identifikimin e zyrtarëve të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), dhe të njëjtit janë fotografuar nga i arrestuari me qëllim identifikimin e tyre.
Sipas PSRK-së, Sali ka ofruar informacione të personave që i përkasin sektit vehabi dhe personave të tjerë, e të cilët më pas i ka propozuar te zyrtari i BIA-s si objektiva të mundshme për kontaktim dhe rekrutim.
Sipas dosjes së Prokurorisë Speciale, i dyshuari Fehim Sali ka ndërmjetësuar për çështje dhe dokumente të lidhura me institucionet e Republikës së Serbisë, si dhe ka krijuar dhe mbajtur kontakte me persona me ndikim politik dhe shoqëror në Serbi dhe në Republikën e Kosovës, nga komunitetet jo shumicë, të cilëve këtyre të fundit edhe u ka ofruar udhëzime dhe orientime për mënyrën e veprimit politik, të gjitha këto me qëllim të sigurimit, mbledhjes dhe përcjelljes së informatave me interes për BIA-n serbe dhe realizimit të interesave të këtij shërbimi inteligjent të huaj.Sipas prokurorisë, përmes këtyre veprimeve, i pandehuri ka vepruar në kundërshtim me interesat shtetërore të Republikës së Kosovës, kështu duke cenuar dhe dëmtuar rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës.
Nga seanca e sotme:
Fehim Sali, ka pranuar se ka qenë i rekrutuar nga Shërbimi Inteligjent Serb – BIA dhe se ka pasur kontakte të vazhdueshme me zyrtarë të këtij shërbim.
Prokuroria Speciale ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj Salit, ndërsa prokurori i rastit, Bekim Kodraliu, ka deklaruar se nga provat e siguruara në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë Kosovare për Inteligjencë (AKI), është vërtetuar dyshimi i bazuar se ai ishte rekrutuar nga BIA dhe u kishte ofruar informacione në dëm të interesave të Kosovës.“Sot, Prokuroria Speciale ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit Fehmi Sali.
Nga provat që kemi siguruar nga Policia e Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë edhe me Agjencinë Kosovare për Inteligjencë, kemi vërtetuar dyshimin e bazuar se i njëjti ka qenë i rekrutuar në Shërbimin Inteligjent Serb – BIA, më konkretisht nga zyrtari i saj, Zheljko Matoviq, dhe se i njëjti ka ofruar informacione këtij shërbimi në dëm të interesave të shtetit tonë.Konsiderojmë se nga provat që kemi siguruar kemi vërtetuar dyshimin e bazuar mirë. Me rastin e paraqitjes së kërkesës për caktimin e paraburgimit, i pandehuri edhe vetë deklaroi se ka qenë i rekrutuar dhe ka pasur kontakte të vazhdueshme me zyrtarë të BIA-s.
Siç jeni të informuar, edhe dje kemi kryer një bastisje në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe kemi siguruar prova materiale, më konkretisht telefona dhe një shumë të caktuar parash, të cilat ne konsiderojmë se janë dobi pasurore e përfituar përmes kryerjes së veprës penale. Pas përfundimit të hetimeve, konsiderojmë se ndaj të njëjtit do të ngremë edhe aktakuzë për veprën penale për të cilën tashmë kemi vërtetuar dyshimin e bazuar”, tha ai.Prokurori Kodraliu ka thënë se Fehim Sali është duke u hetuar për më shumë se një vit, mirëpo, për shkak të ndjeshmërisë së rastit, ai u shpreh se nuk mund të japin më shumë informacione.
“I njëjti ka qenë duke u hetuar për më shumë se një vit. Ndaj tij kemi zbatuar masat e veçanta hetimore dhe, nga hetimet që kemi zhvilluar, i njëjti ka pasur kontakte të ndryshme me zyrtarë të tjerë vendorë dhe me autoritete të Serbisë.Për shkak të hetimit që jemi duke zhvilluar dhe ndjeshmërisë së rastit, kërkojmë mirëkuptim nga ju që në këtë fazë nuk mund të japim më shumë informacione”, përfundoi ai./lajmi.net/