Deputetët e PDK-së: Komunikata e mbrëmshme e Kuvendit, skandaloze – LVV po e shantazhon administratën e këtij institucioni

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës kanë shprehur shqetësimin  lidhur me komunikatën e publikuar mbrëmë nga Zyra për Media e Kuvendit të Kosovës, ku thuhet se deputetët e opozitës ndërprenë aktivitetet e parapara me të rinjtë dhe mërgatën duke u futur në sallën plenare, që në fakt është vendi i punës së të gjithë deputetëve.…

Lajme

13/08/2026 10:18

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës kanë shprehur shqetësimin  lidhur me komunikatën e publikuar mbrëmë nga Zyra për Media e Kuvendit të Kosovës, ku thuhet se deputetët e opozitës ndërprenë aktivitetet e parapara me të rinjtë dhe mërgatën duke u futur në sallën plenare, që në fakt është vendi i punës së të gjithë deputetëve.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, e cilësoi si skandaloze komunikatën, duke thënë se Kuvendi nuk i takon asnjë partie politike.

“Fatkeqësisht, Kuvendi është marrë peng prej një partie politike, e cila provon që përmes diktatit të nënshtrojë edhe administratën e Kuvendit. Pra komunikata në fjalë thotë, po e citoj, ‘Në ditën e tretë, vizita e sallës plenare është ndërprerë për disa minuta pasi deputetë të PDK-së dhe të AAK-së kishin zënë sallën plenare në një kohë kur nuk ishte thirrur asnjë seancë’”, tha ajo. 

Deliu-Kodra tha se do të kërkojë sqarime nga sekretarja e Kuvendit, duke theksuar se administrata duhet të jetë neutrale.

“Dua të ndaj me ju këtë shqetësim sepse ky vend, Kuvendi i Republikës nuk është i një partie politike. Kuvendi i Republikës i takon të gjithë deputetëve të zgjedhur të parlamentit, të cilët janë betuar në këtë parlament. Dhe nuk mundet që një parti politike ta shantazhojë administratën e Kuvendit. Prandaj, për këtë do të takohemi me sekretaren bashkë me dy kolegët e mi, sepse nuk guxon që ky institucion kaq i rëndësishëm të merret peng nga vullneti dhe nënshtrimi që provon ta bëjë një parti politike”, tha ajo. 

Ndërsa deputeti i PDK-së, Artan Behrami, u shpreh i shqetësuar për politizimin e administratës së Kuvendit. 

“Pra, shqetësimi jonë është i thellë dhe ka bazë, sepse tashmë ky pushtet ka arritë që ta okupojë jo vetëm zyrat politike, po fatkeqësisht edhe ato zyra që për detyrë dhe përshkrim pune kanë me qenë neutrale”, tha Behrami.

Ai theksoi se të gjithë deputetët duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë nga administrata dhe Zyra për Media e Kuvendit.

“Por ky pushtet nuk ndalet. Çfarë ka bë zonja Albulena Haxhiu, e cila po ashtu e ka uzurpu këtë zyrën pra prapa nesh, e ka marrë një zyrtare nga Ministria e Drejtësisë dhe e ka futë në Kuvendin e Kosovës në Zyrën për Media. Dhe ajo tashmë funksionon me skript të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Dejona Mihalit dhe nuk funksionon as me Rregulloren e Kuvendit, as me ligje e as me Kushtetutë”, tha ai. 

Deputetët e PDK-së kanë dërguar edhe ankesë zyrtare në Sekretarinë e Kuvendit lidhur me përmbajtjen e komunikatës në fjalë.