Tahiri: Kurti synon zgjedhjet më 27 dhjetor, shtyrja e konstituimit i shërben skenarit të tij politik
Deputeti i PDK-së, Arian Tahiri, ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se po e shtyn konstituimin e Kuvendit për t’i hapur rrugë një skenari politik që, sipas tij, synon mbajtjen e zgjedhjeve të reja më 27 dhjetor 2026. Në një postim, Tahiri ka thënë se Kurtit nuk i interesojnë afatet kushtetuese, por realizimi i…
Lajme
Deputeti i PDK-së, Arian Tahiri, ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se po e shtyn konstituimin e Kuvendit për t’i hapur rrugë një skenari politik që, sipas tij, synon mbajtjen e zgjedhjeve të reja më 27 dhjetor 2026.
Në një postim, Tahiri ka thënë se Kurtit nuk i interesojnë afatet kushtetuese, por realizimi i një skenari të caktuar politik.
“Objektivi është i qartë: zgjedhjet e reja më 27 dhjetor 2026”, ka shkruar Tahiri.
Sipas tij, Kurti do ta konstituojë Kuvendin, por jo në këtë fazë. Tahiri pretendon se synimi është që konstituimi të bëhet mes 13 dhe 28 shtatorit, në mënyrë që, sipas tij, të krijohen kushtet që presidentja në detyrë të caktojë 27 dhjetorin si datë të zgjedhjeve të reja.
“Konstituimi i tashëm i Kuvendit ia prish skenarin. I aktivizon afatet kushtetuese dhe ia ngushton hapësirën për manovrim”, ka shkruar ai.
Tahiri ka pretenduar gjithashtu se shtyrja do të shoqërohet me oferta dhe iniciativa për dialog me partitë parlamentare, përfshirë letra zyrtare dhe komunikime të tjera, të cilat ai i ka cilësuar si pjesë të një narrativi politik.
“Këto i duhen vetëm për narrativin politik të zgjedhjeve të ardhshme, sepse synimi nuk është marrëveshja. Synimi është mosmarrëveshja që ta jetësojë skenarin e tij”, ka deklaruar Tahiri.
Në fund, deputeti i PDK-së ka thënë se as Kurti dhe as Gjykata Speciale nuk do të mund t’i realizojnë, siç i ka quajtur ai, “skenarët e tyre”.
“As Albin Kurti dhe as Gjykata Speciale, nuk do të mund t’i jetësojnë skenarët e tyre!”, ka përfunduar Tahiri. /Lajmi.net/