Ende pa datë për seancën konstituive, partitë thirren për marrëveshje

Kur kanë kaluar katër ditë nga ndërprerja e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, partitë politike vazhdojnë ta akuzojnë njëra-tjetrën për bllokadën institucionale. Derisa partia e parë e dalë nga zgjedhjet, Lëvizja Vetëvendosje, vazhdon të bëjë thirrje për dialog politik, partitë opozitare e kundërshtojnë një takim të tillë. Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ka…

Lajme

11/08/2026 23:38

Kur kanë kaluar katër ditë nga ndërprerja e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, partitë politike vazhdojnë ta akuzojnë njëra-tjetrën për bllokadën institucionale. Derisa partia e parë e dalë nga zgjedhjet, Lëvizja Vetëvendosje, vazhdon të bëjë thirrje për dialog politik, partitë opozitare e kundërshtojnë një takim të tillë. Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ka thënë se pa një marrëveshje politike, thirrja e vazhdimit të seancës së mbetur në gjysmë do të ishte e pakuptimtë.

“Vetëm për formalitet nëse mbahen seancat njëra pas tjetrës, ku është rezultati, kush është i interesuar nëse nuk ka rezultate vetëm të mbahen seanca kot. Nëse nuk ka marrëveshje, nëse njerëzit ngulin këmbë, me dhunë kërkon s’mund ta detyrosh po nëse qysh po deklarohen, nëse janë për zgjidhje, do t’i thirrin arsyes dhe ta gjenin një marrëveshje edhe shumë lehtë pastaj kriza do të tejkalohej”, tha Avni Dehari, kryesues i seancës së Kuvendit.

Refuzimin e partive opozitare për t’u ulur në një tryezë me kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, Mimoza Kusari-Lila e ka konsideruar të pakuptimtë.

“Nuk ka alternativë tjetër përpos dialogut politik, arritjes së marrëveshjes politike dhe pranimit të drejtuesve të subjekteve, liderëve politik e partiak të Republikës së Kosovës se veç të ulen, të dakordohen dhe të kemi një orar e afat edhe të konstituimit të Kuvendit, të votimit të qeverisë, të zgjedhjes së presidentit. Sinqerisht ndjej keqardhje që komunikimi i drejtuesve politik, në veçanti të opozitës së deridjeshme po bëhet përmes mediave e jo përmes pranimit ose pjesëmarrjes në takim”, tha Mimoza Kusari-Lila nga VV.

Ndërkohë, nga PDK-ja dhe Aleanca kanë rikthyer mundësinë e organizimit të një proteste, në shenjë pakënaqësie ndaj, siç thonë ata, neglizhencës së Vetëvendosjes për tejkalimin e bllokadës institucionale.

“Për mendimin tim personal duhet të ketë një protestë, duhet të ketë një demonstratë që realisht edhe e kundërshton këtë fyerje të gjithë zgjedhjeve që çdo qytetar del, që të respektohet vullneti i demokracisë. Kjo mbetet e hapur, çdo protestë e mbështesim sepse me të vërtetë çka u bo boll, është bo boll.”, tha Mërgim Lushtaku nga PDK .

“Rruga e vetme ka mbet vetëm rruga me dal dhe kjo është e padiskutueshme, jemi duke e diskutua si parti, por edhe partitë tjera kështu që po e shohim tash e tutje se si do të veprojmë. Na qysh në fillim i kemi refuzua ftesat dhe do të vazhdojmë t’i refuzojmë. Kërkesat tona janë shumë të qarta dhe shumë të kuptimta kështu që nuk ka nevojë për pjesëmarrje”, tha Albana Bytyqi nga Aleanca.