Kurti pret në takim senatoren amerikane Joni Ernst, kërkon që Bondsteel të bëhet bazë e përhershme e ushtrisë amerikane në Kosovë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim senatoren amerikane Joni Ernst, me të cilën ka diskutuar për raportet Kosovë-SHBA, sigurinë dhe zhvillimet politike në vend. Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Kurti e ka falënderuar Ernst për mbështetjen dhe kontributin e saj të vazhdueshëm në forcimin e partneritetit ndërmjet Kosovës…

Lajme

11/08/2026 17:19

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim senatoren amerikane Joni Ernst, me të cilën ka diskutuar për raportet Kosovë-SHBA, sigurinë dhe zhvillimet politike në vend.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Kurti e ka falënderuar Ernst për mbështetjen dhe kontributin e saj të vazhdueshëm në forcimin e partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.

Gjatë takimit, kryeministri në detyrë e ka informuar senatoren për, siç thuhet, progresin e Kosovës në rritjen ekonomike dhe përmirësimin e situatës së brendshme të sigurisë.

Një nga çështjet e diskutuara ka qenë edhe e ardhmja e Kampit Bondsteel. Kurti ka ritheksuar qëndrimin e Qeverisë së Kosovës që Bondsteel të shndërrohet në një prani të përhershme ushtarake amerikane në Kosovë.

Sipas Kurtit, një prani e tillë do të kontribuonte në garantimin e paqes dhe sigurisë në Kosovë dhe rajon, ndërsa do të mund të shërbente edhe si bazë strategjike për operacionet e NATO-s në Evropën Juglindore.

Kurti dhe Ernst kanë diskutuar gjithashtu për situatën politike në Kosovë dhe nevojën për vazhdimin e dialogut ndërmjet partive politike parlamentare, me synim arritjen e një marrëveshjeje për formimin e institucioneve.

Takimi mes Kurtit dhe Ernst vjen pas takimit të tyre në Washington, D.C., në shtator të vitit 2025. /Lajmi.net/