​BE-ja e kundërshton planin e Vuçiqit për Ibrin, vetëm kur pyetet

Zyrtarë të Bashkimit Evropianë pohuan sot se janë kundër planeve të Serbisë për ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër, për aq sa kjo nuk bëhet me dialog me Kosovën. Por, qëndrimi i unionit u bë i ditur tek pas pyetjeve nga gazetarët në konferencën e rregullt për media. “Këto deklarata, përfshirë ato për ndryshime të…

Lajme

11/08/2026 15:06

Zyrtarë të Bashkimit Evropianë pohuan sot se janë kundër planeve të Serbisë për ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër, për aq sa kjo nuk bëhet me dialog me Kosovën.

Por, qëndrimi i unionit u bë i ditur tek pas pyetjeve nga gazetarët në konferencën e rregullt për media.

“Këto deklarata, përfshirë ato për ndryshime të mundshme të rrjedhës së lumit dhe veprime të tilla, nuk e mbështesin objektivin për të pasur marrëdhënie normale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo mund të arrihet vetëm përmes dialogut”, tha Anitta Hipper, zëdhënëse e Komisionit Evriopian. “Gjithashtu, rikujtojmë se përparimi në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është parakusht që secila palë të përparojë në rrugën evropiane.”

Por, as kjo zëdhënëse e as kolegia e saj, Ariana Podesta, nuk pranuan të komentojnë se përse Komisioni Evropian nuk ia kushtëzon Serbisë anëtarësimin në BE, sikur që veproi me Shqipërinë kur u fol për projektin e Zvërnecit, që nxiti edhe protesta.

“Zakonisht, ne nuk spekulojmë për procesin e anëtarësimit. Fakti që themi diçka në një rast nuk do të thotë se duhet ta themi gjithmonë të njëjtën gjë. Situatat janë të ndryshme”, tha Podesta. “Puna jonë do të ishte jashtëzakonisht e lehtë nëse do të mund të jepnim të njëjtën përgjigje për çdo rast”