Portugezi Antero Lopes merr detyrën si Shef i EULEX-it në Kosovë

Antero Lopes, drejtues i lartë ndërkombëtar nga Portugalia, ka marrë sot, më 10 gusht, detyrën e Shefit të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX). Me rastin e marrjes së detyrës, Lopes tha se është i nderuar që do të udhëheqë misionin evropian, duke theksuar rëndësinë e një sistemi të pavarur…

Lajme

10/08/2026 13:34

Antero Lopes, drejtues i lartë ndërkombëtar nga Portugalia, ka marrë sot, më 10 gusht, detyrën e Shefit të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).

Me rastin e marrjes së detyrës, Lopes tha se është i nderuar që do të udhëheqë misionin evropian, duke theksuar rëndësinë e një sistemi të pavarur dhe të paanshëm të sundimit të ligjit.

“Jam i nderuar që po marr detyrën e Shefit të EULEX-it dhe që do të udhëheq një Mision i cili, për shumë vite, ka shërbyer si partner i besueshëm dhe i paanshëm i institucioneve të sundimit të ligjit në Kosovë”, tha Lopes.

Ai theksoi se gjatë mandatit të tij do të fokusohet në bashkëpunimin me institucionet e Kosovës, partnerët e BE-së dhe komunitetin ndërkombëtar.

“Jam i përkushtuar të siguroj që Misioni të vazhdojë të ofrojë këshillim strategjik, monitorim dhe mbështetje operative në përputhje me mandatin e tij”, deklaroi ai.

Lopes tha se sundimi i ligjit duhet të jetë i pavarur dhe i mbrojtur nga ndikimi politik, duke e cilësuar këtë si të domosdoshëm për funksionimin e institucioneve demokratike dhe perspektivën evropiane të Kosovës.

“Një sistem i sundimit të ligjit që është i pavarur, i paanshëm dhe i lirë nga ndikimi i papërshtatshëm politik është i domosdoshëm për mbrojtjen e institucioneve demokratike dhe avancimin e perspektivës evropiane të Kosovës”, tha ai.

Lopes sjell me vete 40 vjet përvojë kombëtare dhe ndërkombëtare, përfshirë pothuajse tri dekada në pozita të larta drejtuese në kuadër të Kombeve të Bashkuara. Ai ka shërbyer rreth gjashtë vjet në Kosovë dhe ka përvojë në diplomaci, sundimin e ligjit, qeverisjen e sektorit të sigurisë, menaxhimin e krizave, ndërmjetësimin dhe reformat institucionale.

Mandati i tij do të zgjasë deri më 14 qershor 2027. Lopes pason Giovanni Pietro Barbanon, gjeneralmajor italian i Karabinierisë, i cili e përfundoi mandatin si Shef i EULEX-it në qershor të këtij viti.

EULEX-i është themeluar në vitin 2008 dhe është misioni më i madh civil në kuadër të Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes të Bashkimit Evropian. Mandati i tij është zgjatur deri më 14 qershor 2027.

BIOGRAFIA e Antero Lopes

Antero Lopes është drejtues i lartë ndërkombëtar nga Portugalia me mbi 40 vjet përvojë kombëtare dhe ndërkombëtare, duke përfshirë pothuajse tri dekada në role të larta udhëheqëse në sekretariatin e Kombeve të Bashkuara, në operacionet paqeruajtëse dhe në misionet e posaçme politike.

Para emërimit të tij si Shef i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), ai ka shërbyer në operacione komplekse paqeruajtëse në Evropë, Afrikë dhe Azi, duke përfshirë UNPROFOR-in në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë dhe, së fundmi, UNMIK-un në Kosovë.

Ai ka përvojë të gjerë në bashkëpunimin me qeveritë, përfaqësuesit e lartë politikë dhe institucionalë, si dhe me shoqërinë civile.

Fushat e ekspertizës së tij përfshijnë diplomacinë, sundimin e ligjit, qeverisjen e sektorit të sigurisë, menaxhimin e krizave, ndërmjetësimin dhe reformat institucionale.

Ai është diplomuar për studime të avancuara në Shkenca Politike, Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Studime Evropiane nga Universiteti i Lisbonës dhe Kolegji i Evropës (Bruges), si dhe ka përfunduar trajnim ekzekutiv për drejtues të lartë dhe qeverisje publike në Universitetin e Harvardit.