Tahiri: Moskonstituimi i Kuvendit është papërgjegjësi e VV-së, ai po synon t’i marrë të tri pozitat – Kjo është papërgjegjësi totale

Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për bllokimin e konstituimit të Kuvendit, duke e cilësuar situatën si një tendencë të dëmshme për vendin. Para mediave, Tahiri tha se kanë kaluar 30 ditë nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve dhe se qytetarët kanë pritur që sot Kosova të ketë Kuvend funksional dhe të…

Lajme

06/08/2026 11:55

Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për bllokimin e konstituimit të Kuvendit, duke e cilësuar situatën si një tendencë të dëmshme për vendin.

Para mediave, Tahiri tha se kanë kaluar 30 ditë nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve dhe se qytetarët kanë pritur që sot Kosova të ketë Kuvend funksional dhe të ecë drejt formimit të institucioneve.

“Sot, kur është dashur që qytetarët të presin formimin e institucioneve, del kryetari i VV-së dhe thotë se i duhet ende kohë. Po a pate 30 ditë kohë për të diskutuar me partitë politike dhe për të gjetur një zgjidhje?”, deklaroi ai.

Tahiri tha se, sipas tij, problemi nuk qëndron vetëm te formimi i Qeverisë, por edhe te çështja e Presidentit të Kosovës, duke shtuar se kjo temë është neglizhuar nga partia fituese.

“Nëse qëllimi ka qenë të dilet nga ky rreth vicioz dyvjeçar, pse nuk janë zhvilluar bisedime edhe për Presidentin e Kosovës? Nyja nuk është vetëm te Qeveria, por edhe te Kuvendi dhe Presidenti”, u shpreh ai.

Deputeti i AAK-së e cilësoi si “papërgjegjësi totale” sjelljen e partisë që ka fituar zgjedhjet, duke e akuzuar atë se po kërkon të fitojë kohë përmes pazareve politike.

“Sipas meje, kjo është një taktikë për të bërë pazar politik dhe për të blerë kohë, në mënyrë që një parti t’i marrë të tri institucionet, ndonëse nuk i ka votat për këtë”, tha Tahiri.

Ai theksoi se Aleanca mbetet në qëndrimet e saj dhe se gjashtë kërkesat e partisë janë publike, por sipas tij, deri më tani nuk është zhvilluar asnjë diskutim rreth tyre.

“Kurti del sot dhe thotë se i duhet ende kohë, ndërkohë që ka pasur 30 ditë në dispozicion. Kjo nuk është krizë kushtetuese, por problem i një logjike autoritare për t’i marrë të tri pushtetet. Procedurat janë të qarta dhe krejt Kosova ka pritur që sot të konstituohet Kuvendi dhe të funksionojë shteti”, përfundoi Tahiri.