Kurti pas ndërprerjes së seancës konstituive: Pa marrëveshje për presidentin, rrezikohet shpërndarja e Kuvendit dhe zgjedhjet e reja
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit se duhet t’u jepet hapësirë diskutimeve politike për të arritur një marrëveshje për çështjen e presidentit apo presidentes së re. Kurti tha se çdo konstituim i Kuvendit pa një dakordim paraprak për çështjen e presidentit, sipas tij, do të…
Lajme
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit se duhet t’u jepet hapësirë diskutimeve politike për të arritur një marrëveshje për çështjen e presidentit apo presidentes së re.
Kurti tha se çdo konstituim i Kuvendit pa një dakordim paraprak për çështjen e presidentit, sipas tij, do të mund të çonte drejt shpërndarjes së Kuvendit dhe zgjedhjeve të reja, shkruan lajmi.net.
“Ne duam t’i japim shans vazhdimit të diskutimeve dhe arritjes së një marrëveshjeje politike apo konsensusi për çështjen e presidentit apo presidentes së re. Çfarëdo konstituimi i Kuvendit pa marrëveshje për çështjen e presidentit paraprakisht do të ishte përgatitje për shpërndarjen e Kuvendit”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka thënë se vazhdimi i dialogut politik është, sipas tij, mënyra e vetme për të arritur një marrëveshje dhe për të siguruar funksionimin e plotë të institucioneve.
“Na duhet mundësia për dialog politik për të arritur marrëveshje dhe kjo është e vetmja mënyrë dhe zgjidhja e duhur për konstituimin e plotë të institucioneve tona, ashtu siç e do rendi dhe ashtu siç kanë votuar qytetarët në zgjedhjet e lira dhe demokratike”, është shprehur ai.
Kurti ka bërë të ditur se që nga certifikimi i rezultateve kanë kërkuar që të zhvillohen diskutime politike, por sipas tij, ato janë ndërprerë për shkak të zhvillimeve të brendshme në Lidhjen Demokratike të Kosovës.
“Që nga certifikimi i rezultateve kemi dashur pa humbur kohë t’i japim shans diskutimeve, ashtu siç patën kërkuar partitë opozitare pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025, por për shkak të zhvillimeve dhe dinamikave të brendshme në LDK, diskutimi u suspendua”, tha Kurti.
Ai ka shtuar se takimi i fundit politik nuk ka qenë i mjaftueshëm për të arritur një marrëveshje, prandaj, sipas tij, duhet kohë shtesë për vazhdimin e bisedimeve.
“Na duhet të marrim kohë shtesë për diskutime dhe vetëm atëherë kur ta kemi arritur dakordimin për çështjen e presidentit të vazhdojmë me procesin e konstituimit”, ka deklaruar Kurti. /Lajmi.net/