Identifikimi i dy varrezave masive në Zubin Potok, Konjufca: Serbia duhet të hapë arkivat dhe të përballet me krimet

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca ka shkruar në lidhje me identifikimin e një varreze tjetër masive që është identifikuar në fshatin Jabukë të Zubin Potokut, pasi mbetje mortore janë gjetur në Kalludër. Ai ka thënë se më shumë se 27 vjet pas luftës, Kosova ende po zbulon viktima të vrara…

Lajme

03/08/2026 13:17

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca ka shkruar në lidhje me identifikimin e një varreze tjetër masive që është identifikuar në fshatin Jabukë të Zubin Potokut, pasi mbetje mortore janë gjetur në Kalludër.

Ai ka thënë se më shumë se 27 vjet pas luftës, Kosova ende po zbulon viktima të vrara dhe të fshehura nga aparati shtetëror i Serbisë.

“Autoritetet serbe kanë arrestuar personin i cili dha informacionin që ndihmoi në zbulimin e varrezës masive në Kalludër, duke e trajtuar bashkëpunimin e tij si të dyshuar për “spiunazh”. Një veprim i tillë rrezikon të frikësojë dëshmitarë të tjerë dhe të pengojë më tej përpjekjet për të zbardhur fatin e personave të zhdukur. Serbia nuk mund të pretendojë në mënyrë të besueshme përkushtim ndaj pajtimit, ndërsa ndëshkon ata që ndihmojnë në zbulimin e së vërtetës për krimet e luftës. Ndërkohë, presidenti i Serbisë qëndron para ushtrisë së tij dhe përsërit pretendime ndaj vendit tonë, ndërsa një ministër në detyrë shprehet hapur se dëshiron të “pastrojë etnikisht” Kosovën. Deklarata të tilla i bëjnë jehonë ideologjisë së regjimit të Millosheviqit, e cila çoi në gjenocidin në Kosovë, pasojat e të cilit ende po zbulohen nga toka jonë”, ka shkruar Konjufca.

Ai ka rikujtuar se 1 mijë e 565 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur me forcë, mes tyre 109 fëmijë.

“Serbia duhet të hapë arkivat e saj, të zbulojë vendndodhjet e varrezave të fshehura dhe të përballet me përgjegjësinë për krimet e kryera. Kosova do të vazhdojë të kërkojë të vërtetën, drejtësinë dhe llogaridhënien”, ka shtuar ai./Lajmi.net/

Postimi i plotë: