Tregu i BE-së mbetet i mbyllur për qumështin e Kosovës

Kosova prodhon qumësht, djathë, kos e produkte të tjera të bulmetit. Fabrikat kanë investuar në teknologji, fermerët kanë rritur prodhimin, ndërsa shteti ndan miliona euro subvencione çdo vit për ta zhvilluar sektorin. Megjithatë, produktet e qumështit nga Kosova nuk mund të shiten në tregun më të madh në Evropë. Jo sepse nuk plotësojnë domosdoshmërisht standardet…

Lajme

26/07/2026 19:02

Kosova prodhon qumësht, djathë, kos e produkte të tjera të bulmetit.

Fabrikat kanë investuar në teknologji, fermerët kanë rritur prodhimin, ndërsa shteti ndan miliona euro subvencione çdo vit për ta zhvilluar sektorin.

Megjithatë, produktet e qumështit nga Kosova nuk mund të shiten në tregun më të madh në Evropë.

Jo sepse nuk plotësojnë domosdoshmërisht standardet e cilësisë apo sepse mungojnë kapacitetet prodhuese, por sepse Kosovës i mungon një dokument kyç që i hap dyert e Bashkimit Evropian: certifikata veterinare e njohur nga BE-ja.

Për pasojë, industria e qumështit mbetet e kufizuar në tregun vendor prej rreth 1.6 milion banorësh dhe në disa vende të rajonit.

Përfaqësuesit e sektorit paralajmërojnë se kjo po krijon një efekt zinxhiror: fermerët përballen me teprica të qumështit, fabrikat nuk i shfrytëzojnë kapacitetet e tyre dhe mundësitë për rritje mbeten të bllokuara.

“Problemet brenda Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë kanë bllokuar eksportin e produkteve ushqimore. Neve na duhet vetëm certifikata, sepse kapacitete kemi”, thotë për Radion Evropa e Lirë Gani Durmishi, nga Shoqata e Industrisë së Qumështit të Kosovës.

Sipas tij, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ende nuk i ka përmbushur kriteret e Bashkimit Evropian për t’u autorizuar të lëshojë certifikata veterinare të vlefshme për eksport.

Çfarë është certifikata veterinare dhe pse është e rëndësishme?

Certifikata veterinare është dokumenti zyrtar që dëshmon se kafshët e gjalla dhe produktet me origjinë shtazore, si qumështi, djathi, mishi dhe vezët, i plotësojnë standardet e shëndetit publik dhe të sigurisë ushqimore të Bashkimit Evropian.

Por, një shtet nuk mund ta lëshojë këtë certifikatë vetëm me vendim të institucioneve të veta. Ai duhet të ketë një sistem veterinar të njohur dhe të vlerësuar nga Bashkimi Evropian.

Radio Evropa e Lirë pyeti AUV-në se cilat janë arsyet konkrete që Kosova ende nuk është autorizuar të eksportojë produkte me origjinë shtazore në Bashkimin Evropian, por nuk mori përgjigje.

Përgjigje nuk dha as Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë lidhur me kriteret që Kosova ende nuk i ka përmbushur dhe afatin e mundshëm për autorizimin e eksporteve.

Ish-kryeshefi ekzekutiv i AUV-it, Valdet Gjinovci, shpjegon se kjo nënkupton një zinxhir të tërë kontrolli: identifikimin dhe regjistrimin e kafshëve, mbikëqyrjen e sëmundjeve, kontrollin e ushqimit për kafshë, inspektimin e fermave dhe fabrikave, analizat laboratorike, si dhe kontrollin gjatë përpunimit, paketimit dhe shpërndarjes së produkteve.

Sipas tij, Kosova ka bërë përparim, por ende nuk i ka përmbushur të gjitha kërkesat.

“Gjendja në terren nuk është e vështirë për t’u përmirësuar, sepse janë bërë investime. Megjithatë, ka pengesa të tjera. Kosova nuk është anëtare e Organizatës Botërore për Shëndetin e Kafshëve, prandaj nuk përfiton nga ekspertiza dhe programet e saj. Përveç kësaj, duhet të harmonizohen ligjet dhe sistemi veterinar me rregulloret e BE-së”, thotë Gjinovci.

A janë gati kompanitë kosovare për të eksportuar?

Përfaqësuesit e industrisë së qumështit thonë se problemi nuk është te prodhuesit, por te mungesa e qasjes në tregun evropian.

Sipas Durmishit, shumica e fabrikave kanë kapacitetet, teknologjinë dhe standardet e nevojshme për të konkurruar në tregjet e Bashkimit Evropian, por nuk mund t’i shfrytëzojnë ato plotësisht.

“Disa qumështore në Kosovë nuk punojnë në tri ndërrime vetëm sepse nuk kanë treg. Ka fabrika që mund të përpunojnë rreth 100 mijë litra qumësht në ditë. Nëse llogariten vetëm dhjetë të tilla, kapaciteti arrin në një milion litra në ditë. Por, sot pothuajse asnjëra nuk punon 24 orë. Shumica punojnë vetëm tetë, e disa edhe katër orë në ditë”, thotë Durmishi.

Sipas tij, interesimi nga tregjet evropiane tashmë ekziston.

“Disa kompani nga Gjermania dhe Zvicra na kanë thënë: vetëm rregulloni dokumentacionin dhe ne do t’i marrim produktet. Edhe përpunuesit janë të gatshëm ta rrisin prodhimin”, shton Durmishi.

Të dhënat e Ministrisë së Bujqësisë tregojnë se vetëm gjatë vitit 2024, industria e qumështit në Kosovë prodhoi produkte me vlerë prej 135.2 milionë eurosh.

Megjithatë, kjo mjafton për të mbuluar vetëm rreth 66 për qind të nevojave të tregut vendor, ndërsa pjesa tjetër plotësohet përmes importit.

Sipas Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, në Kosovë janë të regjistruara 48 objekte të miratuara për përpunimin dhe paketimin e qumështit.

Edhe ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Ismet Mulaj, vlerëson se një pjesë e prodhuesve kosovarë tashmë i kanë arritur standardet që kërkohen për eksport.

Sipas tij, hallka që mungon nuk janë bizneset, por institucionet.

“Ka kompani që kanë bërë investime të mëdha, kanë marrë asistencë profesionale nga ekspertë evropianë dhe kanë ndërtuar kapacitetet e nevojshme. Por, nuk mund të eksportojnë, sepse institucioni përgjegjës ende nuk i ka përmbushur standardet e kërkuara. Kjo është pasojë e mungesës së vullnetit politik ndër vite. Ky proces do të mund të përfundonte brenda dy vjetësh”, thotë Mulaj për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, kjo situatë ka krijuar një pabarazi të vazhdueshme tregtare.

Ndërsa Kosova importon sasi të konsiderueshme të produkteve të qumështit, eksporti mbetet i kufizuar tërësisht në tregjet e rajonit.

“Për sa kohë që tregu evropian mbetet i mbyllur, industria vendore nuk mund të zhvillohet me ritmin që ka potencial. Hapja e këtij tregu do të nënkuptonte më pak import, më shumë prodhim vendor dhe një ekonomi më konkurruese”, thotë ai.

Çfarë tregojnë shifrat?

Të dhënat e Doganës së Kosovës tregojnë se eksporti i produkteve të qumështit është i kufizuar në vendet e rajonit.

Gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti, Kosova eksportoi produkte të qumështit kryesisht në Shqipëri, Maqedoni të Veriut dhe Mal të Zi, në vlerë prej rreth 478 mijë eurosh.

Nga kjo shumë, eksporti i kosit – një prej produkteve më të shitura pas qumështit – arriti në rreth 90 mijë euro.

Në të njëjtën periudhë, importi ishte shumëfish më i lartë.

Në tregun e Kosovës hynë produkte të qumështit nga vendet e rajonit dhe Bashkimi Evropian në vlerë prej mbi 12 milionë eurosh, ndërsa vetëm importi i kosit kaloi 2 milionë euro.

Edhe shifrat e vitit 2024 tregojnë të njëjtën prirje.

Kosova importoi produkte të qumështit në vlerë prej rreth 31 milionë eurosh, ndërsa eksporti ishte vetëm rreth 331 mijë euro.

Ky raport, sipas njohësve të ekonomisë, nuk pasqyron domosdoshmërisht mungesë të prodhimit apo të interesimit për produktet kosovare, por kufizimet që industria ka në qasjen në tregje më të mëdha.

Mulaj thotë se mungesa e mundësisë për të eksportuar në Bashkimin Evropian e detyron industrinë vendore të mbështetet pothuajse vetëm në tregun e Kosovës dhe në një pjesë të vogël të tregut rajonal.

“Për sa kohë që nuk hapen tregje të reja, importi do të vazhdojë të dominojë. Kjo krijon një debalancë tregtare që e dëmton prodhimin vendor dhe kufizon zhvillimin e industrisë”, thotë ai.

Sipas tij, hapja e tregut evropian nuk do të ndikonte vetëm në rritjen e eksporteve, por edhe në uljen e varësisë së Kosovës nga importi i produkteve të qumështit.

Çfarë humbet ekonomia?

Për Mulajn, pasojat nuk ndihen vetëm nga kompanitë përpunuese.

Ato prekin të gjithë zinxhirin e prodhimit – nga fermerët deri te buxheti i shtetit.

“Qeveria e Kosovës çdo vit ndan miliona euro përmes granteve dhe subvencioneve për industrinë e qumështit me synim rritjen e prodhimit vendor. Por, nëse nuk siguron tregje ku ai prodhim shitet, investimet nuk japin efektin e plotë”, thotë ai.

Sipas tij, tregu i Kosovës është shumë i vogël për të përthithur një rritje të vazhdueshme të prodhimit. Pa mundësi eksporti, kompanitë nuk kanë arsye të zgjerojnë kapacitetet, ndërsa fermerët përballen me kufizime në shitjen e qumështit.

Edhe Durmishi beson se hapja e tregut evropian do ta ndryshonte rrënjësisht industrinë.

“Do të rritej numri i fermerëve, i punëtorëve dhe i fabrikave që punojnë me kapacitet të plotë. Do të rritej qarkullimi dhe fitimi i kompanive. Ne mund të konkurrojmë me cilësi dhe standarde. Ajo që na mungon, është mbështetja institucionale”, thotë ai.

Premtimet për eksport dhe pritja për veprime

Hapja e tregut të Bashkimit Evropian për produktet e qumështit është një nga synimet që Qeveria e Kosovës e ka përfshirë në programin e saj.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është zotuar se mandati i ardhshëm do të jetë mandat i prodhimit, zhvillimit ekonomik dhe vetëqëndrueshmërisë.

Në programin qeverisës të prezantuar për zgjedhjet e 7 qershorit, ai ka premtuar mes tjerash: rritjen e eksporteve, zhvillimin e kapaciteteve për përpunimin e mishit dhe qumështit, si dhe standardizimin e produkteve bujqësore.

Po ashtu, është zotuar të mbështesë investimet për certifikimin e prodhimeve sipas standardeve evropiane, me qëllim që fermerët dhe kompanitë kosovare të fitojnë qasje në tregjet rajonale dhe ato të BE-së.

Megjithatë, Zyra e Kryeministrit në detyrë nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se kur do të nisë zbatimi i ndonjë mase konkrete për përmbushjen e këtyre zotimeve dhe për avancimin e procesit që do t’i mundësonte Kosovës eksportin e produkteve me origjinë shtazore në BE. REL