Profili i “Lule Gjelit” | Selmanaj akuzon Kurtin dhe VV-në: Instaluan gjuhën e urrejtjes dhe profilet e rreme si instrument politik

Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj, ka reaguar në lidhje me debatin e fundit për profilet e rreme në rrjetet sociale, të nxitur nga profili “Lule Gjeli”, duke akuzuar kryeministrin Albin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje se e kanë sjellë dhe kultivuar këtë model të veprimit politik në Kosovë. Përmes një postimi në…

Lajme

25/07/2026 20:14

Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj, ka reaguar në lidhje me debatin e fundit për profilet e rreme në rrjetet sociale, të nxitur nga profili “Lule Gjeli”, duke akuzuar kryeministrin Albin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje se e kanë sjellë dhe kultivuar këtë model të veprimit politik në Kosovë.

Përmes një postimi në Facebook, Selmanaj ka thënë se profilet e tilla nuk janë një fenomen i krijuar në Kosovë, por sipas tij, janë pjesë e një modeli të importuar nga regjime me mendësi pansllaviste, transmeton lajmi.net.

“Modeli i luftës hibride, i përfaqësuar nga ‘Lule Gjelat’, ‘Lule Laknat’ dhe qindra e mijëra profile të tjera të ngjashme, nuk janë shpikje kosovare. Ky është një model i importuar nga regjime me mendësi pansllaviste, ku propaganda, linçimi dhe dezinformimi zëvendësojnë debatin demokratik, ndërsa kundërshtari politik trajtohet si armik për t’u eliminuar, jo si rival për t’u sfiduar me argumente”, ka shkruar ai.

Selmanaj ka akuzuar më tej Kurtin dhe Vetëvendosjen se kanë instaluar gjuhën e urrejtjes, shpifjen dhe lajmet e rreme si mjete të veprimit politik.

“Fatkeqësisht, këtë model në Kosovë e sollën dhe e kultivuan me kujdes Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje, duke e instaluar gjuhën e urrejtjes, shpifjen, linçimin publik dhe lajmet e rreme si instrumente të veprimit politik”, ka theksuar ai.

Ish-deputeti i LDK-së ka rikujtuar gjithashtu se për këtë çështje kishte folur edhe në Kuvend gjatë viteve 2020 dhe 2021, duke thënë se në atë periudhë ai dhe familja e tij kishin qenë objekt i sulmeve dhe shpifjeve të organizuara në rrjetet sociale.

Në fund të reagimit, Selmanaj ka vlerësuar se ky fenomen mund të çrrënjoset, por sipas tij, do të jetë një proces i gjatë.

“Druaj se çrrënjosja e këtij rrjeti të metastazuar do të kërkojë vite. Megjithatë, një gjë është e sigurt: sa më gjatë të tolerohet ky model i gërditshëm, aq më i madh do të jetë dëmi për shoqërinë dhe Republikën e Kosovës”, ka shkruar Selmanaj.

Reagimi i plotë: 

Modeli i luftës hibride, i përfaqësuar nga “Lule Gjelat”, “Lule Laknat” dhe qindra e mijëra profile të tjera të ngjashme, nuk janë shpikje kosovare. Ky është një model i importuar nga regjime me mendësi pansllaviste, ku propaganda, linçimi dhe dezinformimi zëvendësojnë debatin demokratik, ndërsa kundërshtari politik trajtohet si armik për t’u eliminuar, jo si rival për t’u sfiduar me argumente.

Fatkeqësisht, këtë model në Kosovë e sollën dhe e kultivuan me kujdes Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje, duke e instaluar gjuhën e urrejtjes, shpifjen, linçimin publik dhe lajmet e rreme si instrumente të veprimit politik.

Për këtë kam folur publikisht edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës në vitin 2020 dhe 2021. Në atë kohë, unë dhe familja ime ishim objekt i një fushate të përditshme sulmesh, shpifjesh, lajmesh të rreme dhe fyerjesh të organizuara.

Atëherë shumëkush heshti. Sot, pasojat e asaj kulture politike janë të dukshme për të gjithë.

A mund të çrrënjoset ky model?

Po, por jo lehtë.

Kur propaganda shndërrohet në metodë politike dhe linçimi në mjet pushteti, dëmi që i shkaktohet shoqërisë është me pasoja tragjike.

Druaj se çrrënjosja e këtij rrjeti të metastazuar do të kërkojë vite. Megjithatë, një gjë është e sigurt: sa më gjatë të tolerohet ky model i gërditshëm, aq më i madh do të jetë dëmi për shoqërinë dhe Republikën e Kosovën./lajmi.net/