Hamza: PDK s’ka votë për presidentin pa një marrëveshje politike gjithëpërfshirëse
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka deklaruar se partia që ai drejton nuk do ta mbështesë zgjedhjen e presidentit të ri të vendit në mungesë të një marrëveshjeje politike gjithëpërfshirëse. Duke folur në emisionin Debat Plus, Hamza tha se zgjedhja e presidentit në Kosovë gjithmonë ka qenë rezultat i marrëveshjeve politike,…
Lajme
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka deklaruar se partia që ai drejton nuk do ta mbështesë zgjedhjen e presidentit të ri të vendit në mungesë të një marrëveshjeje politike gjithëpërfshirëse.
Duke folur në emisionin Debat Plus, Hamza tha se zgjedhja e presidentit në Kosovë gjithmonë ka qenë rezultat i marrëveshjeve politike, duke theksuar se i njëjti parim duhet të vlejë edhe në situatën aktuale, transmeton lajmi.net.
Po ashtu, ai foli edhe për takimin që ka zhvilluar me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke thënë se gjatë bisedës nuk është paraqitur asnjë ofertë konkrete për PDK-në dhe se partia nuk do të bëhet pjesë e proceseve politike pa një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të përfshinte konstituimin e Kuvendit, formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit.
“Për t’i zbatuar këto prioritete, PDK ka nevojë garanci, e garancia është pjesëmarrja në vendimmarrje. Unë kam folur për marrëveshje gjithëpërfshirëse politike, jo për një pozitë. Dhe në bisedë e sipër vërehet që nuk ka ofertë serioze për PDK-në…Faktikisht asgjë (nuk dha Kurti). Si të merremi vesh na, s’ka ofertë…. i qëndroj asaj, jo vija të kuqe, marrëveshje politike gjithëpërfshirëse për të gjitha institucionet. Nëse kjo s’ka, PDK nuk bëhet pjesë e takimeve që i ngjasojnë serive latino-amerikane me shumë epizoda. E kam deklaruar, që PDK-ja në mungesë të ofertës serioze, të pamundësisë për të gjetur në këtë fazë, nuk e di për të ardhmen, mundësi të bashkëpunimit e deklaron që ne do të jemi parti në opozitë”, ka thënë Hamza.
Hamza përsëriti se pa një marrëveshje politike nuk do të ketë as mbështetje për zgjedhjen e presidentit, duke theksuar se përgjegjësia për krijimin e institucioneve i takon shumicës parlamentare.
“S’kemi votë (për presidentin) për shkak se duhet marrëveshje politike. Kur është zgjedh presidenti pa marrëveshje politike. Pse duhet ta mundësoj të qeverisjen pa marrëveshje politike. I ke edhe 98 deputetë të tjerë brenda Kuvendit, me të cilët mund të krijosh institucionet, ne jemi 22″, ka thënë Hamza./lajmi.net/