Nafta drejt 100 dollarëve për fuçi pas sulmeve në Detin e Kuq
Çmimet e naftës u rritën me ritme të shpejta sot, ndërsa nafta “Brent” iu afrua pragut psikologjik prej 100 dollarësh për fuçi. Rritja u nxit nga përshkallëzimi i tensioneve në Lindjen e Mesme, pasi rebelët Houthi të Jemenit, të mbështetur nga Irani, morën përgjegjësinë për sulme ndaj cisternave saudite në Detin e Kuq. Rreth orës…
Bota
Çmimet e naftës u rritën me ritme të shpejta sot, ndërsa nafta “Brent” iu afrua pragut psikologjik prej 100 dollarësh për fuçi.
Rritja u nxit nga përshkallëzimi i tensioneve në Lindjen e Mesme, pasi rebelët Houthi të Jemenit, të mbështetur nga Irani, morën përgjegjësinë për sulme ndaj cisternave saudite në Detin e Kuq.
Rreth orës 09:40 GMT, çmimi i naftës “Brent “për dërgesat e shtatorit u rrit me 4,68%, duke arritur në 98,47 dollarë për fuçi, pasi gjatë sesionit kishte prekur edhe nivelin 98,80 dollarë, ose rreth 5% më shumë se mbyllja e mëparshme.
Ndërkohë, nafta amerikane “West Texas Intermediate” (WTI), gjithashtu për dërgesat e shtatorit, u rrit me 3,78%, duke u tregtuar me 90,11 dollarë për fuçi.
Analistët vlerësojnë se sulmet në Detin e Kuq kanë shtuar frikën për ndërprerje të furnizimeve globale me naftë, duke rritur pasigurinë në tregjet ndërkombëtare të energjisë, shkruan AFP.
Nëse tensionet vazhdojnë të përshkallëzohen, çmimet e naftës mund të kalojnë sërish pragun e 100 dollarëve për fuçi, me pasoja të mundshme për inflacionin dhe ekonominë globale, transmeton ANSA.