Mbi tri dekada pas luftës, hetuesit amerikanë marrin dëshmi për krimet në Bosnje
Tridhjetë e tre vjet pasi i mbijetoi burgosjes në kampet e Derventës, Drago Knezheviq dëshmoi sërish për ngjarjet e vitit 1992. Këtë herë, ai u mor në pyetje për disa orë nga hetues amerikanë, të cilët mbërritën në Bosnje dhe Hercegovinë në mes të korrikut, për të mbledhur informacione në kuadër të një hetimi të…
Bota
Tridhjetë e tre vjet pasi i mbijetoi burgosjes në kampet e Derventës, Drago Knezheviq dëshmoi sërish për ngjarjet e vitit 1992.
Këtë herë, ai u mor në pyetje për disa orë nga hetues amerikanë, të cilët mbërritën në Bosnje dhe Hercegovinë në mes të korrikut, për të mbledhur informacione në kuadër të një hetimi të mundshëm për krimet e luftës të kryera në Derventë dhe për personat që dyshohet se sot jetojnë në Shtetet e Bashkuara.
Gjatë marrjes në pyetje, Knezheviq thotë se e ka kuptuar se kush mund të jetë në fokus të hetuesve amerikanë, por, për shkak të vazhdimit të hetimeve, nuk dëshiron të japë më shumë hollësi.
“Unë kam qenë ‘pacienti’ i tij”, thotë Knezheviq për Radion Evropa e Lirë.
I pyetur se çfarë nënkupton me këtë, ai shpjegon se bëhet fjalë për një person që, sipas tij, e ka rrahur dhe keqtrajtuar gjatë kohës sa ka qenë i burgosur.
“Më rrihte dhe më torturonte. Më jepte një pistoletë që të vrisja veten dhe më thoshte: ‘Tani gjithçka ka marrë fund për ty’”, kujton Knezheviq.
Pas kësaj, ai u mbajt edhe 15 ditë në paraburgim në Sllavonski Brod.
“Arrita në një gjendje të tillë psikike, saqë i lutesha Zotit të vdisja. Nuk i duroja më rrahjet”, thotë ai.
Si erdhi deri te bashkëpunimi mes Bosnje dhe Hercegovinës dhe SHBA-së?
Shkuarja e hetuesve amerikanë në Bosnje dhe Hercegovinë u organizua në bashkëpunim me institucionet e drejtësisë së këtij vendi.
Knezheviq thotë se dy inspektorë të Agjencisë Shtetërore për Hetime dhe Mbrojtje (SIPA) u dorëzuan ftesa tetë ish-të burgosurve të kampeve për të dhënë dëshmi para hetuesve amerikanë.
Ai thotë se gjatë intervistave, që zgjatën disa orë, hetuesit shqyrtuan deklaratat që ish-të burgosurit kishin dhënë më herët në Prokurorinë e Bosnje dhe Hercegovinës, duke kërkuar prej tyre sqarime shtesë dhe hollësi për personat që mund të jenë nën hetime.
“Më kërkuan, madje, të përshkruaja edhe çfarë çizmesh mbante një person në kamp. Aq të detajuar janë”, thotë Knezheviq.
Sipas tij, intervista me dëshmitarin e parë zgjati rreth dy orë e gjysmë, ndërsa më pas edhe ai vetë dha dëshminë e tij.
“Bëhet fjalë për gjashtë hetues nga SHBA-ja dhe dy inspektorë të SIPA-s”, tregon Knezheviq.
Radio Evropa e Lirë kërkoi koment nga Departamenti amerikan i Drejtësisë, por ai nuk pranoi as ta konfirmojë e as ta mohojë zhvillimin e ndonjë hetimi.
Prokuroria e Bosnje dhe Hercegovinës konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se prej vitesh bashkëpunon me institucionet amerikane të drejtësisë në rastet e krimeve të luftës që kanë të bëjnë me persona, të cilët, pas luftës, vazhduan të jetojnë në Shtetet e Bashkuara.
“Prokuroria e Bosnje dhe Hercegovinës mirëpret aktivitetet e kolegëve nga SHBA-ja në trajtimin e rasteve të lidhura me krimet e luftës. Ne kemi komunikim dhe bashkëpunim të mirë me prokuroritë dhe institucionet e drejtësisë amerikane, veçanërisht në hetimet që kanë të bëjnë me persona, të cilët pas luftës vazhduan jetën në SHBA, në identifikimin dhe ndjekjen penale të tyre, si dhe në ekstradimin e tyre tek autoritetet gjyqësore të Bosnje dhe Hercegovinës”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
Prokuroria shtoi se, duke qenë se bëhet fjalë për çështje që trajtohen nga autoritetet amerikane, nuk mund të japë më shumë hollësi.
Vizita e hetuesve amerikanë zhvillohet në kohën kur Prokuroria e Bosnje dhe Hercegovinës vazhdon të ketë në shqyrtim një numër të madh rastesh të krimeve të luftës.
Sipas raportit të Prokurorisë për vitin 2025, në fund të vitit ishin të hapura 162 raste kundër të dyshuarve të identifikuar, që përfshijnë më shumë se 2.000 persona, si dhe qindra raste të tjera ku autorët ende nuk janë identifikuar.
Në rastet kur konstatohet se një person ka fshehur përfshirjen në krime lufte, ose ka dhënë informacione të rreme për të kaluarën e tij gjatë aplikimit për vizë, leje qëndrimi të përhershme apo shtetësi amerikane, ndaj tij mund të nisin procedura për heqjen e shtetësisë, dëbimin ose ekstradimin në shtetin ku zhvillohet, ose pritet të zhvillohet, procedimi penal.
Një nga rastet më të njohura të këtij bashkëpunimi, sa u përket krimeve të luftës në Derventë, është ai i Azra Bashiqit, ish-pjesëtare e Këshillit Kroat të Mbrojtjes (HVO).
Ajo u arrestua në vitin 2011 në shtetin amerikan të Kentakit dhe më pas u ekstradua në Bosnje dhe Hercegovinë.
Gjykata në Bosnje dhe Hercegovinë e dënoi Bashiqin në vitin 2016 me 14 vjet burgim për krime lufte kundër civilëve serbë dhe robërve të luftës në Derventë.
Knezheviq është një nga qindra personat që u mbajtën të burgosur në kampin e Armatës Popullore Jugosllave dhe kampin Rabiq në Derventë.
Sipas vendimeve të formës së prerë të Gjykatës së Bosnje dhe Hercegovinës, në këto kampe, gjatë vitit 1992, u burgosën në mënyrë të paligjshme, u rrahën dhe u keqtrajtuan civilë dhe robër lufte, kryesisht të kombësisë serbe.
Dëshmia e tij para hetuesve amerikanë nuk është e para.
Gjatë tri dekadave të fundit, Knezheviq dëshmoi disa herë në rastet që lidheshin me krimet në Derventë, si para Prokurorisë së Bosnje dhe Hercegovinës, ashtu edhe para Gjykatës së Qarkut në Doboj.
Çfarë ndodhi në Derventë?
Në pranverën e vitit 1992, Derventa ishte skenë e luftimeve mes forcave të Ushtrisë Popullore Jugosllave dhe formacioneve ushtarake serbe, në njërën anë, dhe Këshillit Kroat të Mbrojtjes dhe njësive të Ushtrisë Kroate, në anën tjetër.
Gjatë pranverës dhe verës së vitit 1992, qindra civilë, kryesisht të kombësisë serbe, u mbajtën të burgosur në kampin e Armatës Popullore Jugosllave dhe kampin Rabiq, si dhe në objekte të tjera të improvizuara si kampe.
Në disa vendime të formës së prerë, Gjykata e Bosnje dhe Hercegovinës konstatoi se të burgosurit në këto objekte iu nënshtruan rrahjeve, torturave, poshtërimit, punës së detyruar dhe formave të tjera të trajtimit çnjerëzor.
Disa prej tyre nuk i mbijetuan burgosjes, ndërsa shumë të tjerë, si Knezheviq, dëshmuan edhe vite pas luftës për pasojat fizike dhe psikologjike që u lanë përjetimet e tyre.
Për një pjesë të krimeve të kryera në Derventë, Gjykata e Bosnje dhe Hercegovinës dha vendime dënuese të formës së prerë, ndërsa disa procese të tjera vazhdojnë ende si në këtë gjykatë, ashtu edhe në Gjykatën e Qarkut në Doboj.
Duke kujtuar ditën kur u kap rob, Drago Knezheviq thotë se vetëm pasi u fut në kamp, e kuptoi se mund të mos dilte i gjallë.
“Kur më kapën dhe më sollën në kampin e Armatës Popullore Jugosllave, e pashë për herë të parë shkronjën ‘U’ në kapelën e një roje. Deri atëherë as nuk e dija se kush ishin ustashët. Deri në atë moment kisha frikë”.
“Kur e pashë atë shenjë, mendova: ‘Tani e pashë vdekjen’. Në atë çast kaloi çdo frikë. I thashë vetes: ‘Gjithçka mori fund’”, thotë Knezheviq.
Ai tregon se që natën e parë nisën marrjet në pyetje dhe rrahjet.
Para se të kapej, ishte fshehur për rreth dhjetë ditë në bodrumin e shtëpisë së mikut të tij, Ibro – një boshnjak me të cilin kishte punuar para luftës.
Sipas Knezheviqit, miku e ushqente dhe e ndihmonte, me shpresën se ai do të arrinte të largohej.
Por, kur iu dorëzua një të njohuri tjetër, duke besuar se edhe ai do ta ndihmonte, përfundoi në kamp.
Edhe sot shoh në ëndërr se më ndjekin dhe më zënë përsëri rob. Zgjohem duke u dridhur…
Pas dy muajsh në kampet e Derventës, ai u transferua në Sllavonski Brod, ku, sipas tij, keqtrajtimet vazhduan.
“Më thyen brinjët. Kur shkova më vonë te mjeku, ai më tha se brinjët ma kishin shpuar cipën e mushkërive”, kujton Knezheviq.
Ai u lirua vetëm pas disa përpjekjeve të pasuksesshme për shkëmbimin e të burgosurve.
“Pesëmbëdhjetë ditët e para pas shkëmbimit nuk besoja se isha i lirë. Mendoja vazhdimisht se dikush po më ndiqte. Nuk mund të flija. Edhe sot shoh në ëndërr se më ndjekin dhe më zënë përsëri rob. Zgjohem duke u dridhur. Shumë ish-të burgosur nuk jetuan gjatë pas luftës”, thotë Knezheviq.
Ai e kujton po aq qartë edhe kthimin në shtëpi.
“Kur mbërrita në shtëpi, ishte ende para agimit. Fëmijët më panë, por nuk guxonin të afroheshin, aq keq isha nga rrahjet. Djali ishte në klasën e parë, ndërsa vajza ishte tri ose katër vjeçe. Vetëm më vonë e kuptuan se isha kthyer”, kujton Knezheviq.
Më shumë se tri dekada pas luftës, Knezheviq thotë se disa plagë nuk mbyllen kurrë.
Ardhja e hetuesve amerikanë, sipas tij, i ka dhënë – për herë të parë pas shumë vitesh – ndjesinë se dëshmia e tij ende mund të ketë vlerë dhe se drejtësia mund të vihet në vend.
“Krime ka pasur dhe unë flas për atë që ka ndodhur në Derventë. Por, nuk mund ta shohim një popull të tërë përmes këtyre kriminelëve. Jo i gjithë populli është i tillë. Kush e detyroi atë t’i bënte ato? Askush. Le të përgjigjet për atë që ka bërë”, thotë Knezheviq.
Teksa pret të shohë nëse hetimi do të çojë në ekstradime nga Shtetet e Bashkuara dhe ngritje të aktakuzave, ai thotë se shpreson në vetëm një gjë nga drejtësia:
“Ata që i kanë kryer këto krime, kudo që ndodhen sot, më në fund të mbajnë përgjegjësi”.