Gucati për Specialen: Kjo gjykatë është politike, ndërkombëtarët të jenë të vetëdijshëm për vendimin e 16 shtatorit
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), Hysni Gucati, ka deklaruar se pas dy muajsh Gjykata Speciale në Hagë pritet të marrë vendimin e saj, i cili sipas tij mund të ketë pasoja të mëdha për Kosovën. Gucati ka thënë se kjo gjykatë, prej gati gjashtë vjetësh, sipas tij, po u shërben…
Lajme
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), Hysni Gucati, ka deklaruar se pas dy muajsh Gjykata Speciale në Hagë pritet të marrë vendimin e saj, i cili sipas tij mund të ketë pasoja të mëdha për Kosovën.
Gucati ka thënë se kjo gjykatë, prej gati gjashtë vjetësh, sipas tij, po u shërben interesave të Serbisë dhe se me vendimin e saj do të përcaktojë nëse do të kriminalizohet lufta e popullit shqiptar, ndërhyrja e NATO-s dhe shpallja e pavarësisë së Kosovës.
Në reagimin e tij, ai është shprehur se në Hagë po gjykohen personat që, sipas tij, organizuan rezistencën e popullit shqiptar.
Postimi i plotë:
Sot, pas dy muajsh, Gjykata Speciale në Hagë, e cila prej gati gjashtë vjetësh po u shërben interesave të Serbisë, do të vendosë nëse do ta kriminalizojë luftën e popullit tonë, ndërhyrjen e NATO-s dhe shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
Kjo gjykatë njëetnike po vendos për fatin e shtetit tonë shumetnik dhe, me vendimin e saj, mund t’i rrënojë edhe themelet e shumetnicitetit mbi të cilin është ndërtuar Kosova.
Atje po gjykohen ata që organizuan rezistencën tonë. Po gjykohen ata që, me nënshkrimin e Marrëveshjes së Rambujesë, sollën intervenimin e NATO-s dhe koordinuan bombardimin e caqeve serbe. Po gjykohen ata që e shpallën Kosovën shtet të pavarur, shumetnik dhe demokratik.
Kjo gjykatë është politike. Edhe vendimi i saj do të jetë politik. Bashkësia ndërkombëtare duhet të jetë e vetëdijshme për pasojat e këtij vendimi.
Më 16 shtator, veteranët e UÇK-së, së bashku me çdo shqiptar, do ta presin këtë vendim të bashkuar, në Hagë dhe në çdo qytet të Kosovës.