Ahmeti i reagon ministres serbe për “spastrim etnik” ndaj Kosovës: Pasqyrim i një mentaliteti që frymëzohet nga politika kriminale e Millosheviqit
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka reaguar ndaj deklaratës së ministres së Qeverisë së Serbisë, që tha se nëse do të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit, do ta spastronte etnikisht Kosovën në vitin 1998. Ai ka thënë se kjo deklaratë është tronditëse, çnjerëzore dhe e papranueshme. “Një deklaratë e tillë nuk është vetëm fyerje…
Lajme
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka reaguar ndaj deklaratës së ministres së Qeverisë së Serbisë, që tha se nëse do të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit, do ta spastronte etnikisht Kosovën në vitin 1998.
Ai ka thënë se kjo deklaratë është tronditëse, çnjerëzore dhe e papranueshme.
“Një deklaratë e tillë nuk është vetëm fyerje për viktimat e luftës, por edhe pasqyrim i një mentaliteti që frymëzohet nga politika kriminale e mentorit të saj politik, Sllobodan Millosheviqit, i cili përfundoi duke u përballur me drejtësinë ndërkombëtare për krimet e regjimit të tij.Të flasësh sot për spastrim etnik si alternativë politike, kur bota ka parë fëmijë të vrarë, masakra mbi civilë të pafajshëm, varreza masive dhe dëshmi të panumërta të krimeve të kryera në Kosovë, është dëshmi e një mendësie të rrezikshme dhe të papajtueshme me vlerat njerëzore, demokratike dhe evropiane”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.
Ai ka thënë se mohimi ose glorifikimi i politikave gjenocidiale nuk mund të ketë vend në shekullin XXI.
“Por historia e ka dhënë përgjigjen e saj. Pikërisht përballë këtij mentaliteti kriminal u ngrit rezistenca e popullit të Kosovës, e cila u kurorëzua me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Në krah të aleatëve tanë ndërkombëtarë, UÇK-ja solli lirinë dhe çlirimin e Kosovës. Ata që edhe sot ëndërrojnë spastrim etnik duhet ta dinë se ideologjitë e urrejtjes gjithmonë përfundojnë në bankën e historisë, ndërsa liria dhe e drejta triumfojnë”, ka shtuar ai. /Lajmi.net/
Postimi i plotë:
