U nominua për Kryeprokuror të Shtetit, Gashi dikur shihej nën shoqërimin e Konjufcës, Pecit e Ramës – Si arsyetohej Prokuroria në Prishtinë?

Kryeprokurroi i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi është nominuar për Kryeprokuror të Shtetit. Nominimi i tij u bë sot në mbledhjen e KPK-së. Gashi ishte temë diskutimesh edhe muaj më parë, kur në mars të këtij viti, i njëjti ishte parë në shoqërinë e disa politikanëve të Kosovës duke shikuar ndeshjen mes Kosovës dhe…

Lajme

13/07/2026 10:51

Kryeprokurroi i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi është nominuar për Kryeprokuror të Shtetit.

Nominimi i tij u bë sot në mbledhjen e KPK-së.

Gashi ishte temë diskutimesh edhe muaj më parë, kur në mars të këtij viti, i njëjti ishte parë në shoqërinë e disa politikanëve të Kosovës duke shikuar ndeshjen mes Kosovës dhe Sllovakisë.

Në fotografinë që ishte publikuar në rrjete sociale me Zejnullah Gashin kishte qenë edhe ministri tashmë në detyrë i Punëve të Jashtme Glauk Konjufca, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, ai i Prishtinës Përparim Rama dhe kryetari i Drenasit Ramiz Lladrovci.

Në lidhje me këtë fotografi, kishte reaguar edhe vetë Prokuroria Themelore në Prishtinë, ku Gashi ushtron detyrën e kryeprokurorit.

Sipas njoftimit, Kryeprokurori Gashi ka qenë i pranishëm në stadium për të ndjekur këtë aktivitet sportiv publik.

Prokuroria thekson se fotografia e publikuar në media paraqet vetëm një moment të rastësishëm gjatë atmosferës festive në stadium, ku tifozët po ndiqnin nga afër këtë ngjarje sportive.

Mes të tjerash, në deklaratën zyrtare të Prokurorisë Themelore të Prishtinës shkruan:

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, përmes këtij sqarimi për media, thekson se Kryeprokurori i kësaj prokurorie, z.Zejnullah Gashi, ka qenë dje i pranishëm në stadium për të ndjekur ndeshjen futbollistike Sllovaki- Kosovë, një aktivitet sportiv publik. Në tribunën ku ka qenë i ulur Kryeprokurori Gashi, në të njëjtën hapësirë kanë qenë të ulur edhe përfaqësues tjerë të insititucioneve të vendit si dhe te disa subjekteve politike ashtu siç edhe i kanë pasur biletat. Fotografia e publikuar paraqet vetëm një moment të rastësishëm festiv të të gjithë kosovarëve që kanë qenë të pranishëm në stadium duke përcjellë nga afër këtë ngjarje sportive dhe në asnjë mënyrë nuk lidhet me ndonjë takim të planifikuar apo afërsi personale të Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, z. Zejnullah Gashi, me ndonjërin nga personat e pranishëm në atë hapësirë”, thuhet në komunikatë.

Këshilli Prokurorial është mbledhur sot për të zhvilluar takimin e radhës. Në këtë mbledhje u diskutua për mbarëvajtjen e procesit të deritanishëm për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit si dhe u votua në mënyrë të fshehtë për emrin e njërit prej 5 kandidatëve që do dërgohet për dekretim tek u.d presidentja Albulena Haxhiu.

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Arian Gashi në mbledhjen e sotme të KPK-së deklaroi se brenda afatit ligjor të përcaktuar me konkurs janë pranuar 5 aplikacione, Atdhe Dema, Naim Abazi, Rafet Halimi, Shqipdon Fazliu dhe Zejnullah Gashi.

Ai shtoi se sekretariati ka rishikuar aplikacionet dhe të gjithë kanë plotësuar kushtet për aplikim.

“Më pas të njëjtit janë intervistuar dhe janë poentuar ku më pas janë bërë llogaritjet dhe rezultat janë publikuar në KPK.

Të njëjtit më pas kanë pranuar edhe kopjen e poentimit përfundimtar nga të gjithë anëtarët e panelit vlerësues dhe të njëjtit kishin të drejtën e ankesës deri më 7 korrik”, deklaroi ai.

Kurse në votim nuk mori pjesë anëtari Milot Krasniqi.

Ai deklaroi se abstenon që të marrë pjesë në këtë votim, transmeton lajmi.net.

“Unë deklarohem se do të abstenoj nga votimi”, deklaroi Krasniqi.

Pas kësaj u votua në mënyrë të fshehtë për nominimin e Kryeprokurorit të Shtetit. Në votim marrin pjesë 6 anëtarë të tjerë të Këshillit.

E shumicën e thjesht të votave me 5 vota gjithsej është prokurori Zejnullah Gashi, i cili në poentim pati 91.6 pikë, kurse Rafet Halimi ka marrë një votë.

“Konstatoj se KPK pas votimit të fshehtë me pesë vota për nominon Zejnullah Gashin për Kryeprokuror të Shtetit. I njëjti i propozohet presidentes së Shtetit për emërim të Kryeprokuror të Shtetit”,deklaroi Gashi.

Ndryshe prokurori Zejnullah Gashi aktualisht udhëheq Prokurorinë Themelore në Prishtinë, apo prokurorinë më të madhe në vend.

Në vlerësim Gashi ka marrë 91.6 pikë gjithsej nga paneli vlerësuar i KPK-së në konkursin për Kryeprokuror të Shtetit.

Para panelit vlerësues i njëjti foli për objektivat kryesore, nëse vjen në pozitën e kryeprokurorit të shtetit.

“Kam kaluar të gjitha fazat nga faza e hetimit deri tek faza e ndjekjes dhe gjykimit e menaxhimit institucional dhe kjo përvojë e imja i ka dhënë kuptim dhe përgjigjes së të kuptuarit të sfidave reale të sistemit prokurorial. Ndërtimin e koncept dokumentit tim e kam bazuar në tri drejtime, përvoja ime profesionale që lidhet me sistemet e drejtësisë, drejtimi i dytë lidhet me përvojen time menaxheriale si kryeprokuror i prokurorisë së Prishtinës, zv kryeprokuror e anëtarë i Këshillit… dhe e treta janë raportet ndërkomëbtare dhe vendore për rritjen e efikasitetit pavarësisë dhe rezultateve konkrete në luftën kundër kriminalitetit”, ka thënë Gashi.

Për shkak të funksioneve të larta, emri i tij është përmendur në diskutime dhe përplasje politike, përfshirë kritikat e kaluara nga zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa procesi i poentimit të tij në garën për Kryeprokuror ka qenë objekt i mbulimit të gjerë mediatik. /Lajmi.net/