Presidenti mbetet nyja kryesore, partitë nisën bisedimet për zhbllokimin e institucioneve – A do të sjellin rezultat?

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, të mërkuren e fundit ka certifikuar rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit pas shqyrtimit të të gjitha ankesave si nga PZAP ashtu edhe nga Gjykata Supreme. Pas certifikimit të rezultateve, partitë politike kanë plotësisht 30 ditë kohë për ta konsitutuar Kuvendin si hap i parë për të vazhduar më…

Lajme

12/07/2026 20:06

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, të mërkuren e fundit ka certifikuar rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit pas shqyrtimit të të gjitha ankesave si nga PZAP ashtu edhe nga Gjykata Supreme.

Pas certifikimit të rezultateve, partitë politike kanë plotësisht 30 ditë kohë për ta konsitutuar Kuvendin si hap i parë për të vazhduar më pas me formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e Presidentit, ku partitë politike në vend kanë “çaluar” më parë.

Mos-zgjedhja e Presidentit pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, e dërgoi vendin në zgjedhje të reja, ndërkaq secila parti politike kishte qëllimin që do të rriste rezultatin por që kjo nuk ndodhi tek VV e PDK, ndërkaq LDK u rrit për 3%.

Por, edhe rezultati i korrur më 7 qershor, nuk i mundësoi asnjërës parti që të zgjidh ngërçet në të trija institucionet pa bashkëpunim.

Kërkesa për bashkëpunim e bëri kryeministrin në detyrë Albin Kurti që të thërras në takim liderët e partive të tjera politike, që të gjejnë në zgjidhje për Presidentin.

Ftesës që dërgoi ai të enjtën, iu përgjigjen pozitivisht lideri i PDK-së Bedri Hamza dhe ai i LDK-së Lumir Abdixhiku, ndërkaq ai i Aleancës, Ardian Gjini nuk shkoi në takim.

Përmes një postimi në Facebook, Gjini tha se kërkesat e tyre për bashkëpunim me Kurtin i kishin bërë publike ditë më parë, dhe se kuorumin për President do t’ia siguronin vetëm nëse Kurti pajtohej me ato kërkesa.

“Më datën 26 qershor 2026, kam prezantuar publikisht ofertën tonë për mbështetjen e themelimit të institucioneve të reja të Kosovës. Aleanca është e gatshme, pa kushte ose kërkesa vetjake, të ndihmojë në bërjen e kuorumit për zgjedhjen e Presidentit/es, nëse mandatari për krijimin e Qeverisë i pranon gjashtë pikat e ofertës sonë. Kjo ofertë ka për qëllim që ta shtyjmë përpara zhvillimin ekonomik të Kosovës, forcimin e pozitës ndërkombëtare të vendit dhe, njëkohësisht, të mos e dërgojmë vendin edhe njëherë në zgjedhje. Duke e pasur parasysh qëndrimin tonë të qartë dhe parimor, nuk e shohim të nevojshëm takimin”, ka deklaruar Gjini në Facebook.

Gjashtë kërkesat e Aleancës për institucionet e reja janë:

1. Orientimi strategjik dhe gazi amerikan: Pranimi i menjëhershëm i projektit të gazit amerikan si një projekt i rëndësisë jetike për orientimin afatgjatë të shtetit.

2. Pavarësia energjetike: Nisja e menjëhershme e procedurave për ndërtimin e termocentralit me thëngjill, për të garantuar zhvillim ekonomik dhe ulje të inflacionit.

3. Lehtësime për bizneset e vogla: Ngritja e menjëhershme e pragut të TVSH-së nga 30,000 në 100,000 euro, për të çliruar potencialin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

4. Mbështetje për bujqësinë: Lirimi i plotë i tokës së punuar nga tatimi në pronë, me qëllim nxitjen e punimit të tokës dhe përkrahjen direkte të bujqve.

5. Buxhetimi i infrastrukturës: Financimi i plotë buxhetor i projekteve të infrastrukturës jetike në Kosovë, të cilat aktualisht kanë mbetur të pezulluara në mungesë të mjeteve.

6. Fondi emergjent për kryeqytetin: Ndarja e 800 milionë deri në 1 miliard eurove për Prishtinën, e cila, sipas tij, po bëhet e pajetueshme në mungesë të investimeve kapitale.

Lidhur me postin e Presidentit, Gjini potencoi se ndonëse Aleanca konsideron se Kosova nuk do të kishte president më të mirë se Ramush Haradinaj, ky fakt nuk përbën kusht për procesin. Ai shprehu shqetësimin se mungesa e një marrëveshjeje mes partive të tjera rrezikon ta çojë vendin në krizë permanente.

“Ne e mbështesim cilëndo marrëveshje mes partive. Në një vend normal, me politikanë të përgjegjshëm, nuk do të ishte fare e rëndësishme se a zgjidhet së pari presidenti apo qeveria. Kur kjo bëhet temë bllokade, është shkelje e kushtetutës. Ne nuk mund të pajtohemi që Kosova të mbetet në krizë”, tha Gjini.

Këtë refuzim të ftesës për takim, e ka komentuar Kurti para mediave, ai tha se kjo nuk është në rregull.

“LVV është fituese e zgjedhjeve, ne edhe nëse nuk do të jemi bashkë në qeveri, padyshim se do të jemi bashkë në institucione. Nuk besoj që është në rregull që një parti e respektuar siç është AAK-ja të refuzojë takimin me mua si kryeministër dhe kryetar i partisë fituese”, tha Kurti.

Takimi mes Kurtit dhe Hamzës u zhvillua të premtën, ndërkaq ai nuk solli rezultat.

Hamza pasi doli nga takimi tha se PDK ka vendosur që të qëndroj në opozitë.

“Sapo e përfunduam takimin me z.Kurtin. Ju e dini qëndrimin tim që ka qenë publik, që PDK ka garuar me një program, ka garuar me prioritete të cilat kanë të bëjnë me fushën e ekonomisë, me fushën e mirëqenies sociale, duke përfshirë rritjen e pagave, pensioneve dhe gjitha pagesave të tjera, me projekte në energji dhe infrastrukturë dhe ky ka qenë prioriteti ynë që ne të bëjmë punë dhe veprime se si ta përmirësojmë këtë vend dhe si ta përmirësojmë jetën e qytetarëve të Kosovës. Për t’i zbatuar këto prioritete, kemi thënë që PDK nuk ka vija të kuqe, është e hapur për të biseduar pa u imponuar për marrëveshje gjithëpërfshirëse, duke përfshirë gjitha institucionet. Bazuar në bisedat dhe diskutimet që i kemi pasu, normalisht korrekte, është që PDK në këtë mandat të jetë në opozitë dhe ne ju dëshirojmë sukses z.Kurti dhe gjithë atyre që takohen, bisedojnë, t’i japin vendit institucione, përveç PDK-së, në Kuvendin e Kosovës janë edhe 98 deputetë të tjerë, matematikisht ka mundësi që të bëhet kompletimi i gjitha institucioneve. Këtu është pozita e PDK-së. Ne do të bashkëpunojmë me të gjitha forcat politike brenda Kuvendit, në dobi dhe interes të qytetarëve të Kosovës.”, tha Hamza.

Pas këtij takimi, Kurti tha se nuk kanë ndonjë rezultat konkret.

“Aktualisht nuk mund të them që kemi ndonjë rezultat konkret që do mund ta ndaja me publikun. Me kryetarin Hamza jam takuar dy herë gjatë dimrit sivjet, asnjëherë në pranverë e ishte hera e parë në këtë verë e uroj që kjo frymë e konstruktivitetit të vazhdojë”- deklaroi Kurti më 10.07.2026.

Ai gjithashtu tha edhe se zgjedhja e Presidentit nuk është obligim vetëm i partisë fituese.

“Zgjedhja e presidentit nuk është përgjejgësi vetëm e partisë fituese, është menduar që të bëhet në bashkëpunim me partitë tjera. Jemi për figurë konsensusale, që ka vlera të dëshmuara kombëtare, qytetare dhe profesionale”- deklaroi Kurti.

Takimi mes Kurtit e Abdixhikut dhe Vjosa Osmanit u zhvillua pak orë më vonë pas atij të Kurtit dhe Hamzës.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, bëri të ditur se në takimin me Kurtin, është diskutuar për stabilitetin institucional dhe nevojën për të shmangur zgjedhjet e reja.

Pas takimit, Abdixhiku tha se palët janë pajtuar që dialogu të vazhdojë edhe në ditët në vijim.

“Folëm për stabilitetin institucional dhe shmangien e domosdoshme të zgjedhjeve. Në këtë fazë u dakorduam që t’i vazhdojmë bisedimet”, deklaroi ai.

Sipas kreut të LDK-së, diskutimet janë përqendruar te parimet dhe jo te emrat konkretë.

“Ne biseduam për parime dhe, për LDK-në, këto parime kërkojnë balancën demokratike në vend. Në këtë balancë duhet të kontribuojnë të gjitha palët. Nuk kemi arritur të flasim për emra të përveçëm”, tha Abdixhiku.

Ai e cilësoi takimin si një hap pozitiv, duke theksuar se nuk ishte e mundur të trajtoheshin të gjitha temat në një takim të vetëm.

“Në këtë takim ishte e pamundur të flasim për të gjitha temat, por ishte hap i mirë për të vazhduar tutje në bisedime. I kemi 30 ditë kohë për konstituimin e Kuvendit dhe 60 ditë për zgjedhjen e presidentit. E rëndësishme është që po flasim para se të merren hapa të njëanshëm. Kjo jep shpresë”, u shpreh ai.

Abdixhiku shtoi se, megjithëse ende nuk është arritur një konsensus për parimet, bisedimet mes palëve do të vazhdojnë.

“Ende nuk kemi arritur konsensus rreth parimeve, por po bisedojmë”, deklaroi kryetari i LDK-së.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se është ende herët për të vlerësuar nëse takimi i zhvilluar me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe kandidaten për presidente Vjosa Osmani ishte i suksesshëm apo jo.

Pas takimit, Kurti tha se bisedimet kanë përfshirë të gjitha temat kryesore politike, por se ende nuk është arritur ndonjë përfundim konkret.

“I kemi edhe katër javë përpara deri në fillimin e seancës konstituive. Nuk ka temë që s’e kemi diskutuar, por ende nuk kemi ndonjë konkluzion për ta ndarë me ju,” u shpreh ai.

Kurti tha se mbetet optimist për ecurinë e dialogut ndërmjet subjekteve politike.

“Jam optimist për racionalitetin që po mbizotëron nga këto takime. Është një ndërmarrje që kërkon besim dhe kohë për rezultate. E kemi edhe konfidencialitetin e këtyre bisedave. Kemi diskutuar për qeverinë dhe Kuvendin, por edhe për presidentin, ndërsa fokusi ka qenë te zhvillimet aktuale politike”, deklaroi ai.

Kreu i LVV-së theksoi se synimi i partisë së tij është arritja e një marrëveshjeje politike që do të shmangte mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

“Ne jemi të interesuar për marrëveshje që të mos kemi zgjedhje. Synimi i përbashkët është që të shmangen zgjedhjet. Ne synojmë marrëveshje politike, pasi jemi subjekte politike”, tha Kurti.

Pas këtyre takimeve, ende nuk është thirrur seancë konstituive për formimin e Kuvendit ndërkaq ditë më parë, Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu tha se seanca do të thirret bazuar në afate kushtetuese.

“Sot, me certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përmbyllet një proces i rëndësishëm demokratik për Republikën tonë. Vullneti i qytetarëve, i shprehur me votë brenda vendit dhe nga bashkatdhetarët tanë, ka marrë tashmë formën e tij përfundimtare institucionale. Shpreh mirënjohjen time për institucionet zgjedhore dhe për të gjithë ata që, me profesionalizëm, përgjegjësi dhe përkushtim, kontribuuan në mbarëvajtjen dhe përmbylljen e këtij procesi. Në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese, seanca konstituive e Kuvendit të Republikës do të thirret brenda afatit të përcaktuar me Kushtetutë, duke hapur rrugën për themelimin e institucioneve të reja të dala nga vullneti i qytetarëve. Besimi i dhënë nga qytetarët është një përgjegjësi e madhe. Çdo mandat duhet të ushtrohet me integritet, llogaridhënie dhe përkushtim të palëkundur në shërbim të interesit publik, demokracisë dhe të ardhmes së Republikës sonë”, ka shkruar Haxhiu të mërkurën, ditën kur KQZ ka certifikuar rezultatet.

Në javën që po vjen, nuk dihet ende nëse do të ketë takime të reja mes Kurtit e Abdixhikut, por që kjo pritet të ndodh për shkak se të dy kanë lënë vend për takime të radhës.

Moszgjedhja e Presidentit edhe pas këtyre zgjedhjeve do ta dërgonte vendin në një situatë të rëndë politike duke bllokuar të ardhmen e saj. /Lajmi.net/