Kurti: Paga minimale është rritur në 500 euro, përfitojnë rreth 150 mijë punëtorë të sektorit privat

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka marrë pjesë në Kongresin e 9-të Zgjedhor të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), ku ka folur për politikat e Qeverisë në fushën e punës, rritjen e pagës minimale dhe forcimin e mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve. Në fjalën e tij, Kurti tha se paga minimale…

Lajme

11/07/2026 17:27

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka marrë pjesë në Kongresin e 9-të Zgjedhor të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), ku ka folur për politikat e Qeverisë në fushën e punës, rritjen e pagës minimale dhe forcimin e mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve.

Në fjalën e tij, Kurti tha se paga minimale në Kosovë ka mbetur e pandryshuar për më shumë se një dekadë, duke kujtuar se nga viti 2011 ajo ishte 130 dhe 170 euro, varësisht nga mosha e punëtorit, transmeton lajmi.net.

Sipas tij, gjatë mandatit të Qeverisë paga minimale është rritur në disa faza, duke arritur nga 1 korriku i këtij viti në 500 euro bruto.

“Nga kjo rritje përfitojnë rreth 150 mijë punëtorë të sektorit privat”, tha Kurti, duke shtuar se trefishimi i pagës minimale është dëshmi se rritja ekonomike duhet të shoqërohet me përmirësim të mirëqenies së qytetarëve.

Ai theksoi gjithashtu se Qeveria po fuqizon mekanizmat për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit të Punës. Sipas tij, në qershor është hapur konkursi për pranimin e 39 inspektorëve të rinj të punës, prej të cilëve 24 do të angazhohen në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë, ndërsa 15 në marrëdhëniet e punës.

Kurti bëri të ditur se po punohet edhe për ndryshimin e kornizës ligjore në fushën e punës, me synim forcimin e përfaqësimit të punëtorëve, zgjerimin e dialogut social dhe krijimin e një balance më të mirë ndërmjet punëmarrësve dhe punëdhënësve.

Ai përmendi edhe programet aktive të punësimit, përfshirë programin “Superpuna”, duke theksuar se ato synojnë krijimin e vendeve të reja të punës, veçanërisht për të rinjtë, gratë dhe kategoritë e tjera që hasin vështirësi në tregun e punës.

Në fillim të fjalës së tij, Kurti kërkoi falje për vonesën, duke sqaruar se paraprakisht kishte marrë pjesë në aktivitetet e fushatës së korrje-shirjeve në Podujevë. Ai tha se pritjet janë që këtë vit prodhimi i grurit të tejkalojë konsumin, ndërsa rendimenti në disa zona pritet të arrijë deri në gjashtë tonë për hektar.

Fjalimi i plotë:

Mirëdita të gjithëve. Së pari më lejoni t’ju kërkoj falje për vonesën, sepse ishim në trevën e Llapit, në kuadër të fushatës së korrje-shirjeve, në Shtedim konkretisht, edhe më konkretisht te fermeri Malsor Sejdiu, i cili i punon 140 hektarë dhe është lajm i mirë që sivjet do të kemi midis 4 dhe 5 tonë për hektarë. Do të jetë një vit në të cilin do të arrijmë që prodhimtaria ta tejkaloj konsumin dhe pikërisht në Shtedim të Podujevës, tek fermeri Malsor Sejdiu, morëm vesh që aty do të jetë rendimenti, madje 6 tonë për hektarë. Pra, na pret një sezone e mirë verore e korrje-shirjeve në muajin korrik dhe në fillim të muajit gusht, në mënyrë që të kemi sa më shumë bukë në sofrën tonë nga toka jonë. Krahasuar me para 5 vjetëve, 2026-ën numri i fermerëve që mbjellin grurë dhe sjellin rendiment është katërfishuar, ndërkaq buxheti që kemi alokuar ne për këta fermerë është shtatëfishuar.

 

I nderuar Kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli,

I nderuari z. Luc Triangle, Sekretar i Përgjithshëm i Konfederatës Ndërkombëtare të Sindikatave,

I nderuari z. Peter Sherer, zëvendës sekretar i Përgjithshëm i Konfederatës evropiane të Sindikatave,

Të nderuar delegatë nga Federatat sindikale të BSPK-së,

Të dashur miq nga vende të ndryshme të botës, udhëheqës e përfaqësues të organizimeve të ndryshme sindikale,

Të dashur punëtorë,

Të nderuar të pranishëm,

Zonja dhe zotërinj,

 

 

Mirë se po takohemi në Kongresin e 9-të Zgjedhor të BSPK-së. Ju përgëzoj për punën tuaj në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve dhe për rolin tuaj në forcimin e dialogut social në vend.

 

Shteti ynë po kalon një fazë të rëndësishme të konsolidimit ekonomik dhe institucional, dhe në këtë proces punëtorët mbeten shtylla kryesore e zhvillimit të vendit. Prandaj, politikat tona janë të orientuara drejt ndërtimit të një tregu pune më të drejtë dhe më dinjitoz për të gjithë.

 

Një nga çështjet parësore të drejtësisë sociale është paga minimale. Për më shumë se një dekadë, paga minimale në vendin tonë ishte e pandryshuar. Që nga viti 2011, paga minimale ka qëndruar në nivelet 130 euro dhe 170 euro, varësisht nga mosha e punëtorit, përkatësisht a je më shumë apo më pak sesa 35 vjeç. Kjo periudhë e gjatë stagnimi ka krijuar vështirësi të rënda për punëtorët e sektorit privat.

 

Ndërkaq, tash paga minimale është ngritur, sepse ajo është rritur gradualisht dhe vazhdimisht: nga 130 euro dhe 170 euro, fillimisht gjatë qeverisjes tonë 250 euro, më pas në 350 euro, pastaj në 425 euro, e nga 1 korriku sivjet, paga minimale është 500 euro bruto. Nga kjo rritje përfitojnë rreth 150 mijë punëtorë të sektorit privat.

 

Kjo tregon qartë se, pas një dekade stagnimi, brenda një periudhe shumë më të shkurtër është bërë trefishimi i pagës minimale. Është një dëshmi e qartë se rritja ekonomike duhet të shoqërohet gjithmonë me rritje të mirëqenies së qytetarëve dhe me ngrite të gjendjes së punëtorëve.

 

Një prioritet i veçantë i Qeverisë sonë mbetet fokusi te institucionet që garantojnë zbatimin e ligjit të punës.

 

Në këtë drejtim, Inspektorati Qendror i Punës është duke u fuqizuar. Vetëm pak javë më parë, në qershor 2026, është hapur konkursi për 39 inspektorë të rinj, prej të cilëve 24 për siguri dhe shëndet në punë dhe 15 për marrëdhënie pune. Ky është një hap i rëndësishëm për rritjen e kapaciteteve të inspektimit dhe për forcimin e zbatimit të legjislacionit të punës në terren.

 

Paralelisht, jemi duke punuar në përmirësimin e kornizës ligjore në fushën e punës, me synimin që ajo të garantojë përfaqësim më të drejtë të punëtorëve, zgjerim të dialogut social dhe një balancë më të qëndrueshme midis punëmarrësve dhe punëdhënësve.

 

Po ashtu, përmes Agjencisë së Punësimit të Republikës së Kosovës, kemi ngritur skemat aktive të punësimit që synojnë krijimin e vendeve të reja të punës. Këto përfshijnë programin “Superpuna”, si dhe skema të tjera të mbështetjes për bizneset, me objektiv të qartë afatgjatë mbështetjen e punësimit të të rinjve, grave dhe kategorive të tjera që përballen me vështirësi në tregun e punës. Këto masa synojnë jo vetëm rritjen e punësimit, por edhe garantimin e punësimit të qëndrueshëm dhe afatgjatë. Siç e tha kryetari Hykolli duhet ta zvogëlojmë papunësinë, por duhet ta rrisim qëndrueshmërinë e punëtorëve edhe sa i përket kushteve gjithnjë më të dinjitetshme të punë s edhe sa i përket formimit e forcimit të sindikatave posaçërisht në sektorin privat, e gjithashtu edhe sa i përket rritjes së të ardhurave të tyre.

 

Tash ju e dini që e kemi edhe një ministri që e ka fjalë n punë aty, e kemi Ministrinë e Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftë s Çlirimtare, e gjithashtu jemi përpjekur që punëtorë ve t’ju ndihmojmë duke ju ndihmuar edhe anëtarëve të familjeve të punëtorëve. Prej shtesave për fëmijë e për gratë lehona mbështetje financiare, deri te rrija e pensioneve bazike dhe mbështetjet e njëhershme shtatë herë brenda pesë viteve për më të moshuarit tanë.

 

Në këtë mënyrë, po përpiqemi të ndërtojmë një model bashkëpunimi ku institucionet dhe bizneset shihen si partnerë në zhvillimin ekonomik dhe në krijimin e vendeve të punës. Është e vërtetë që sfida ka ende, por drejtimi është i qartë: fuqizimi i të drejtave të punëtorëve, rritja e standardeve të punës dhe ndërtimi i një ekonomie e cila funksionon për qytetarin.

 

Dialogu social mbetet instrumenti i rëndësishëm për ta arritur këtë qëllim, dhe ne jemi të përkushtuar për bashkëpunim të vazhdueshëm me BSPK-në dhe partnerët e tjerë.

 

U jam mirënjohës për kontributin tuaj dhe ju uroj punime të suksesshme në këtë Kongres, si dhe suksese lidershipit të ri, i cili do të zgjidhet.

 

Ju faleminderit për ftesën dhe për vëmendjen!/lajmi.net/