Mbrojtja kërkon lirimin me kusht të Hashim Thaçit, raportohet se janë ofruar garanci prej 50 mijë eurosh
Mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i është drejtuar Gjykatës Speciale në Hagë me një kërkesë për lirimin e tij të përkohshëm, duke argumentuar se nuk ekzistojnë më arsyet që justifikojnë vazhdimin e paraburgimit. Në parashtresën e dorëzuar për rishikimin e masës së paraburgimit, avokatët e Thaçit theksojnë se ai nuk paraqet rrezik arratisjeje…
Lajme
Mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i është drejtuar Gjykatës Speciale në Hagë me një kërkesë për lirimin e tij të përkohshëm, duke argumentuar se nuk ekzistojnë më arsyet që justifikojnë vazhdimin e paraburgimit.
Në parashtresën e dorëzuar për rishikimin e masës së paraburgimit, avokatët e Thaçit theksojnë se ai nuk paraqet rrezik arratisjeje dhe kanë ofruar një garanci financiare prej 50 mijë eurosh për të mbështetur kërkesën për lirim me kusht. Sipas mbrojtjes, vazhdimi i paraburgimit nuk është më as i arsyeshëm dhe as proporcional me fazën në të cilën ndodhen procedurat gjyqësore, transmeton lajmi.net.
Në dokumentin e dorëzuar, mbrojtja kërkon që gjyqtari të urdhërojë lirimin e përkohshëm të Thaçit, duke u mbështetur në dispozitat e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Rregullores së Procedurës dhe Provave, raporton klankosova, transmeton lajmi.net.
‘’Mbrojtja e z. Hashim Thaçi (“Mbrojtja”) paraqet me këtë parashtresë argumentet e saj në kuadër të rishikimit të paraburgimit, në përputhje me nenin 41(6) dhe (10) të Ligjit,¹ rregullat 56 dhe 57 të Rregullores,² si dhe urdhrin e Gjyqtarit të Vetëm të Gjykimit (“GVG”).³ Mbrojtja kërkon që GVG-ja të urdhërojë lirimin e përkohshëm të z. Thaçi, ndër të tjera, me arsyetimin se ai nuk paraqet rrezik arratisjeje, veçanërisht duke pasur parasysh garancinë financiare prej 50.000 eurosh të ofruar për të siguruar lirimin e tij,⁴ si dhe se vazhdimi i paraburgimit të tij nuk është më i arsyeshëm ose proporcional’’, thuhet mes tjerash në kërkesë.
Kjo kërkesë vjen në një kohë kur procesi gjyqësor ndaj Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së në rastin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ka hyrë në fazën përfundimtare. Dhomat e Specializuara kanë caktuar 16 shtatorin 2026 si datë për shpalljen e aktgjykimit të shkallës së parë, pasi më herët afati ishte shtyrë për shkak të vëllimit të madh të provave dhe kompleksitetit të çështjes.
Hashim Thaçi ndodhet në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, kur u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara pas konfirmimit të aktakuzës ndaj tij. Gjatë kësaj periudhe, kërkesat e tij për lirim të përkohshëm janë refuzuar disa herë nga gjykata, me arsyetimin se ekziston rreziku i pengimit të procedurave dhe ndikimit mbi dëshmitarët./lajmi.net/