Kjo është oferta me gjashtë pika e Aleancës së Gjinit që ia bën Kurtit për zhbllokim të institucioneve

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, i është përgjigjur ftesës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke vlerësuar se një takim mes tyre nuk është i nevojshëm në këtë fazë. Përmes një letre të publikuar në Facebook, Gjini rikujtoi ofertën që AAK-ja kishte bërë më 26 qershor për mbështetjen e themelimit të…

Lajme

09/07/2026 17:49

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, i është përgjigjur ftesës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke vlerësuar se një takim mes tyre nuk është i nevojshëm në këtë fazë.

Përmes një letre të publikuar në Facebook, Gjini rikujtoi ofertën që AAK-ja kishte bërë më 26 qershor për mbështetjen e themelimit të institucioneve të reja, duke theksuar se qëndrimi i partisë mbetet i pandryshuar, transmeton lajmi.net.

Sipas tij, Aleanca është e gatshme të kontribuojë në sigurimin e kuorumit për zgjedhjen e presidentit, pa kërkuar poste apo përfitime politike, me kusht që mandatari për formimin e Qeverisë t’i pranojë gjashtë pikat e propozuara nga kjo parti.

Këto përfshijnë realizimin e projektit të gazit amerikan, nisjen e procedurave për ndërtimin e një termocentrali me thëngjill, rritjen e pragut të TVSH-së nga 30 mijë në 100 mijë euro për bizneset e vogla, heqjen e tatimit në pronë për tokën e punuar, financimin e plotë të projekteve infrastrukturore të pezulluara, si dhe krijimin e një fondi prej 800 milionë deri në 1 miliard euro për investime në Prishtinë.

Gjini theksoi gjithashtu se, megjithëse AAK vazhdon ta konsiderojë Ramush Haradinajn kandidatin më të mirë për president, kjo nuk paraqet kusht për arritjen e një marrëveshjeje politike.

Ai paralajmëroi se mungesa e bashkëpunimit ndërmjet partive rrezikon ta mbajë vendin në një krizë të zgjatur institucionale, duke shtuar se Aleanca do të mbështesë çdo marrëveshje që çon drejt funksionalizimit të institucioneve, por se gjashtë pikat e saj mbeten thelbësore për tejkalimin e situatës.

Por, cilat janë gjashtë kërkesat e Aleancës që Gjini ia rikujtoi Kurtit?

1. Orientimi strategjik dhe gazi amerikan: Pranimi i menjëhershëm i projektit të gazit amerikan si një projekt i rëndësisë jetike për orientimin afatgjatë të shtetit.

2. Pavarësia energjetike: Nisja e menjëhershme e procedurave për ndërtimin e termocentralit me thëngjill, për të garantuar zhvillim ekonomik dhe ulje të inflacionit.

3. Lehtësime për bizneset e vogla: Ngritja e menjëhershme e pragut të TVSH-së nga 30,000 në 100,000 euro, për të çliruar potencialin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme

4. Mbështetje për bujqësinë: Lirimi i plotë i tokës së punuar nga tatimi në pronë, me qëllim nxitjen e punimit të tokës dhe përkrahjen direkte të bujqve.

5. Buxhetimi i infrastrukturës: Financimi i plotë buxhetor i projekteve të infrastrukturës jetike në Kosovë, të cilat aktualisht kanë mbetur të pezulluara në mungesë të mjeteve. 6.

Fondi emergjent për kryeqytetin: Ndarja e 800 milionë deri në 1 miliard eurove për Prishtinën, e cila, sipas tij, po bëhet e pajetueshme në mungesë të investimeve kapitale. Lidhur me postin e Presidentit, Gjini potencoi se ndonëse Aleanca konsideron se Kosova nuk do të kishte president më të mirë se Ramush Haradinaj, ky fakt nuk përbën kusht për procesin. Ai shprehu shqetësimin se mungesa e një marrëveshjeje mes partive të tjera rrezikon ta çojë vendin në krizë permanente. “Ne e mbështesim cilëndo marrëveshje mes partive. Në një vend normal, me politikanë të përgjegjshëm, nuk do të ishte fare e rëndësishme se a zgjidhet së pari presidenti apo qeveria. Kur kjo bëhet temë bllokade, është shkelje e kushtetutës. Ne nuk mund të pajtohemi që Kosova të mbetet në krizë”, tha Gjini, duke shtuar se këto pika mbeten të panegociueshme për mbarëvajtjen e procesit./lajmi.net/