Abdixhiku takohet me Terras: Respektimi i plotë i vullnetit qytetar dhe i standardeve demokratike mbetet thelbësor

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka pritur në takim raportuesin për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet politike në vend dhe procesin e integrimit evropian. Abdixhiku bëri të ditur se në takim u diskutua për situatën politike pas zgjedhjeve, procesin e certifikimit të rezultateve…

Lajme

07/07/2026 15:47

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka pritur në takim raportuesin për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet politike në vend dhe procesin e integrimit evropian.

Abdixhiku bëri të ditur se në takim u diskutua për situatën politike pas zgjedhjeve, procesin e certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), si dhe për nevojën e konstituimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja, transmeton lajmi.net.

Sipas tij, pas certifikimit të rezultateve është e domosdoshme të ndërmerren hapat e nevojshëm për krijimin e institucioneve të qëndrueshme dhe funksionale, duke theksuar se respektimi i vullnetit të qytetarëve dhe i standardeve demokratike mbetet thelbësor.

Kreu i LDK-së vlerësoi gjithashtu raportin e raportuesit të Parlamentit Evropian për Kosovën, duke thënë se ai nënvizon rëndësinë e avancimit të reformave, forcimit të institucioneve demokratike dhe funksionalizimit të institucioneve në rrugën evropiane të Kosovës.

Abdixhiku shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Parlamentit Evropian dhe Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, duke ritheksuar rëndësinë e partneritetit me institucionet evropiane.

Postimi i plotë: 

Sot, prita në takim Raportuesin për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras. 🇪🇺🇽🇰
Gjatë takimit diskutuam për situatën politike në vend pas zgjedhjeve, procesin e certifikimit të rezultateve nga KQZ-ja, si dhe për domosdoshmërinë e konstituimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja të Republikës së Kosovës.
Theksova se, respektimi i plotë i vullnetit qytetar dhe i standardeve demokratike mbetet thelbësor. Pas certifikimit të rezultateve, është e domosdoshme të ndërmerren hapat e nevojshëm për krijimin e institucioneve të qëndrueshme dhe funksionale, në shërbim të interesit të Republikës së Kosovës.
Po ashtu vlerësova raportin e Raportuesit për Kosovën në Parlamentin Evropian, i cili nënvizon rëndësinë e avancimit të reformave, forcimit të institucioneve demokratike dhe konstituimit të institucioneve funksionale, si hapa të domosdoshëm në rrugën evropiane të Kosovës.
Shpreha gjithashtu mirënjohjen time për përkrahjen e vazhdueshme që Parlamenti Evropian dhe Bashkimi Evropian i kanë ofruar Kosovës ndër vite, duke ritheksuar rëndësinë e partneritetit me institucionet evropiane në avancimin e proceseve demokratike dhe të perspektivës evropiane të vendit./lajmi.net/