Raportohet se janë mbledhur 1/3 e nënshkrimeve për ta hedhur në votim shkarkimin e Abdixhikut si kryetar në Kuvendin e LDK-së
Nisma e brendshme për ta çuar kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, para votëbesimit të delegatëve ka siguruar të paktën një të tretën e nënshkrimeve të nevojshme. Presioni ndaj Abdixhikut është rritur ndjeshëm kohëve të fundit brenda strukturave të kësaj partie, pas rezultatit zgjedhor në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit. Fillimisht, Dega e LDK-së në Pejë…
Lajme
Nisma e brendshme për ta çuar kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, para votëbesimit të delegatëve ka siguruar të paktën një të tretën e nënshkrimeve të nevojshme.
Presioni ndaj Abdixhikut është rritur ndjeshëm kohëve të fundit brenda strukturave të kësaj partie, pas rezultatit zgjedhor në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.
Fillimisht, Dega e LDK-së në Pejë kërkoi “reflektim politik” dhe përgjegjësi nga lidershipi, duke deklaruar se “me shumicë votash” kishte kërkuar dorëheqjen e udhëheqjes.
Më pas, Dega e LDK-së në Lipjan kërkoi drejtpërdrejt dorëheqjen e Abdixhikut, me arsyetimin se rezultati zgjedhor në nivel vendi nuk mund t’u atribuohet vetëm strukturave lokale. Thirrjeve iu bashkua edhe Dega e Dytë e LDK-së në Prishtinë, e drejtuar nga Florian Dushi, e cila paralajmëroi rrezikun e margjinalizimit politik të partisë dhe kërkoi ndryshim lidershipi.
Abdixhiku, në reagimin e tij, i cilësoi kërkesat e degëve të Pejës dhe Lipjanit si të koordinuara dhe tha se ato do të duhej të adresoheshin brenda partisë. Ai pranoi se rezultati në këto dy komuna nuk ishte i kënaqshëm, por foli edhe për “sabotim të thellë” dhe për një “projekt që nuk është i LDK-së”
Sipas Statutit të LDK-së, nënshkrimet e një të tretës së anëtarëve të Kuvendit nuk e shkarkojnë automatikisht kryetarin. Ato vetëm hapin rrugën për ngritjen formale të çështjes së votëbesimit.
Me fjalë të tjera, nisma e dërgon betejën politike aty ku, sipas rregullave të partisë, merret vendimi përfundimtar: te delegatët e Kuvendit të LDK-së.
Në përbërjen statutare të Kuvendit të LDK-së janë 354 delegatë të zgjedhur nga kuvendet e degëve, ndërsa kryetari aktual është delegat me automatizëm. Kjo e çon numrin e përgjithshëm në 355. Në këtë përllogaritje, një e treta nënkupton së paku 119 nënshkrime.
Neni 27 i Statutit e rregullon përgjegjësinë e kryetarit para Kuvendit të LDK-së. Aty parashihet se, me propozimin e një të tretës së anëtarëve të Kuvendit, mund të ngrihet çështja e votëbesimit të kryetarit.
Siç raporton Nacionale, nëse Kuvendi voton për shkarkim, mandati i kryetarit përfundon. Në rast shkarkimi apo dorëheqjeje, Kuvendi i LDK-së duhet të thirret brenda 60 ditësh.
Ky zhvillim vjen vetëm pak muaj pasi Abdixhiku kishte dalë vetë para Kuvendit të partisë për të kërkuar votëbesimin e delegatëve, pas rezultatit të dobët zgjedhor. Atëherë, ndonëse në një votim të ngushtë, shumica e delegatëve ia kishin vazhduar mandatin.