Sondazhi i fundit: BDI-ja e Ali Ahmetit mbetet forca e parë shqiptare në Maqedoni të Veriut, e lë mbrapa VLEN-in
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka deklaruar se është e gatshme për zgjedhje të parakohshme parlamentare, duke vlerësuar se, sipas saj, qeveria aktuale “e ka humbur legjitimitetin politik, moral dhe demokratik”. Në një reagim të gjatë, BDI iu referua edhe një sondazhi të publikuar nga portali Mkd.mk dhe i realizuar nga Market Vision në periudhën…
Lajme
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka deklaruar se është e gatshme për zgjedhje të parakohshme parlamentare, duke vlerësuar se, sipas saj, qeveria aktuale “e ka humbur legjitimitetin politik, moral dhe demokratik”.
Në një reagim të gjatë, BDI iu referua edhe një sondazhi të publikuar nga portali Mkd.mk dhe i realizuar nga Market Vision në periudhën 10–27 qershor 2026, me 1200 të anketuar. Sipas partisë, rezultatet tregojnë se ajo mbetet forca e parë politike shqiptare në vend me 12,1% të votuesve të vendosur, transmeton lajmi.net.
“Pas dy vitesh opozitë, pas një fushate të vazhdueshme sulmesh, shpifjesh dhe inxhinierish politike kundër saj, BDI mbetet forca e parë politike shqiptare në vend”, thuhet në reagim.
BDI ka vlerësuar gjithashtu se kryetari i saj, Ali Ahmeti, gëzon “besimin më të lartë ndër liderët shqiptarë dhe renditet i dyti në nivel shtetëror”.
Në reagim, partia ka përmendur edhe mbështetjen e qytetarëve për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, duke theksuar se “80,3% e qytetarëve mbështesin integrimin në BE edhe pa të drejtë vetoje”.
Megjithatë, BDI ka kritikuar qeverinë aktuale, duke thënë se ajo “po shpërfill vullnetin e qytetarëve” dhe se, sipas tyre, në vend të reformave po prodhon “tensione dhe nacionalizëm”.
“Bilanci i kësaj qeverie është dështim në çdo drejtim”, thuhet më tej në reagim, ku përmenden edhe shqetësimet e qytetarëve për pagat, pensionet, papunësinë dhe çmimet, si dhe mungesa e reformave në drejtësi dhe integrim evropian.
BDI ka theksuar se nuk i frikësohet zgjedhjeve, por i kërkon ato si zgjidhje politike.
“Prandaj deklarojmë qartë dhe pa asnjë rezervë: Bashkimi Demokratik për Integrim është gati për zgjedhje të parakohshme parlamentare”, thuhet në deklaratë.
Partia u ka bërë thirrje qytetarëve që të vendosin përmes votës, duke shtuar se “heshtja u jep hapësirë atyre që kanë zhgënjyer qytetarët”.
BDI ka përsëritur se platforma e saj mbetet anëtarësimi në BE, zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit, përfaqësimi i drejtë dhe stabiliteti rajonal, ndërsa ka kërkuar që qytetarët të vendosin në zgjedhje të parakohshme për drejtimin e ardhshëm të vendit./lajmi.net/