AUV konstaton shkelje në fabrikën “Vita” në Istog, priten rezultatet laboratorike
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka bërë të ditur se komisioni inspektues ka konstatuar shkelje të vendimit të Ministrisë së Bujqësisë në fabrikën e përpunimit të qumështit “Vita” në Istog, i cili ndalon përdorimin e qumështit pluhur, vajit të palmës, hirrës dhe përbërësve të tjerë në produktet e qumështit. Zyrtarët e AUV-së theksojnë se…
Lajme
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka bërë të ditur se komisioni inspektues ka konstatuar shkelje të vendimit të Ministrisë së Bujqësisë në fabrikën e përpunimit të qumështit “Vita” në Istog, i cili ndalon përdorimin e qumështit pluhur, vajit të palmës, hirrës dhe përbërësve të tjerë në produktet e qumështit.
Zyrtarët e AUV-së theksojnë se rezultatet përfundimtare priten pas analizave laboratorike.
Shefi i Inspektoratit Veterinar Kufitar në AUV, Eroll Shehu, ka deklaruar se inspektimi është kryer më 2 korrik në bashkëpunim me njësitë e tjera inspektuese.
“Së pari, në bazë të kontrolleve gjatë datës 2 korrik në subjektin, ose fabrikën e përpunimit të qumështit ‘Vita’ në Istog, është bërë procesi i inspektimit të përbashkët me njësitë tjera inspektuese në subjekt. Inspektimi është bërë sipas kërkesës së vendimit të ministrit, i cili është zbatuar gjatë ditës, domethënë gjatë orarit. Sa i përket ciklit të inspektimit, inspektimi ka shkuar gjithmonë shumë transparent. Këtë herë të gjithë kohën i kemi pasur kamerat rreth vetes dhe tani jemi në proces të pritjes së rezultateve nga laboratori”, ka deklaruar Shehu për Ekonomia Online.
Ndërkohë, udhëheqësi i Zyrës së AUV-së në Prizren, Durak Zyrapi, ka thënë se komisioni ka konstatuar shkelje të vendimit të ministrit.
“Ne si komision kemi konstatuar, në bazë të gjetjeve të inspektorëve që kanë qenë në terren, se subjekti në fjalë ka thyer vendimin e ministrit, ku ndalohet përdorimi i qumështit pluhur, vajit të palmës, hirrës dhe gjërave të tjera në fabrikat e përpunimit të qumështit. Ky ka qenë konstatimi fillestar i komisionit”, ka deklaruar Zyrapi.
Ai gjithashtu ka sqaruar se jo të gjithë anëtarët e komisionit kanë qenë të pranishëm gjatë inspektimit.
“Sa i përket korrektësisë së opinionit dhe disa portaleve që po shkruajnë se kemi qenë të gjithë prezent në inspektim, kjo nuk është e vërtetë. Unë personalisht, edhe pse jam kryesues i komisionit të monitorimit, nuk kam qenë në inspektim faktikisht brenda, kam qenë jashtë zyrave. Edhe pesë zyrtarë të tjerë të ministrisë nuk kanë qenë pjesë e këtij zhvillimi. Të tjerët që kanë qenë kompetentë dhe që vijnë nga fushat përkatëse kanë kryer inspektimin dhe na kanë paraqitur konstatimet e tyre”, ka thënë Zyrapi.
AUV ka bërë të ditur se vendimi përfundimtar do të merret pas përfundimit të analizave laboratorike./lajmi.net/