Gjykatësi refuzon kërkesat e Sveçlës për dëgjimin e dëshmitarëve dhe ekspertëve
Këtë të premte, në seancën e shqyrtimit gjyqësor në rastin ndaj ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ky i fundit propozoi që në cilësinë e dëshmitarëve të dëgjohen të gjithë ata që kanë qenë pjesëmarrës në atë seancë, përfshirë deputetët dhe stafin administrativ. Për këtë propozim, prokurori i rastit, Valdrin Krasniqi, tha…
Lajme
Këtë të premte, në seancën e shqyrtimit gjyqësor në rastin ndaj ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ky i fundit propozoi që në cilësinë e dëshmitarëve të dëgjohen të gjithë ata që kanë qenë pjesëmarrës në atë seancë, përfshirë deputetët dhe stafin administrativ.
Për këtë propozim, prokurori i rastit, Valdrin Krasniqi, tha se kërkesa është e paqartë, pasi nuk specifikon emra konkretë se kush duhet të ftohet dhe nuk është arsyetuar relevanca e dëgjimit të tyre.
Një propozim i tillë u refuzua nga gjykatësi Sadikaj.
Seanca vazhdoi me administrimin e provave materiale, ku prokurori propozoi që të administrohen provat si në aktakuzë, si dhe fotodokumentacioni e video-incizimet me të cilat vërtetohen veprimet inkriminuese të të akuzuarit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Më pas, u shikuan edhe video-incizimet e rastit në fjalë, ku prokurori Krasniqi tha se vërehet kur i akuzuari Sveçla e ndez bombolën e gazit lotsjellës, ndërsa avokati Prenaj tha se vërehet qartë që nga veprimet e të mbrojturit të tij nuk po dëmtohej askush dhe se nuk ka shans teorik e as shkencor që të jetë gaz lotsjellës me agjent kimik irritues, meqë njerëzit afër të akuzuarit nuk manifestonin asnjë lloj simptome.
Ndërsa, i akuzuari Xhelal Sveçla tha se: “Është e qartë që ne kemi tentu me pengu me votu një tradhti, me falë tokë. Shumë prej tyre tashmë e thonë që kanë mujtë me qëndru në sallë, por kanë dasht një arsyetim me dal për mos me bo çka kanë bo pastaj për shkak të presionit e shantazhit. Qysh jon pishman që e kanë votu Gjykatën Speciale, janë pishman edhe për Demarkacionin.”
Paraprakisht, mbrojtësi i të akuzuarit Xhelal Sveçla, avokati Laur Prenaj, tha se ekspertiza ekzistuese nuk është e besueshme për shkak të problemeve evidente, sidomos në identifikimin e provave, andaj propozoi që në këtë shqyrtim gjyqësor të ftohet një ekspert nga fusha e kimisë dhe toksikologjisë, një ekspert i armëve dhe një ekspert nga IED.
Gjithashtu, ai propozoi që të administrohen edhe videot origjinale dhe të njëjtat të shikohen në sallë në prani të ekspertëve, pasi që ekspertiza ekzistuese është në kundërshtim me dosjen kriminalistike dhe me videot që do të administrohen si prova.
Lidhur me këtë, prokurori Valdrin Krasniqi tha se e kundërshton një propozim të tillë dhe se raporti i ekspertëve është mjaftueshëm i qartë, ku janë specifikuar bombolat e gazit, efektet e tyre në shëndet dhe konstatimi se të njëjtat bëjnë pjesë në kategorinë e armëve sipas Ligjit për Armët, andaj edhe propozoi që ky propozim të refuzohet nga gjykata.
Ky propozim u refuzua nga gjykatësi i rastit, Sabit Sadikaj, me arsyetimin se në shkresat e lëndës nuk ka bombola që mund të vlerësohen nga ndonjë ekspert, por se secila provë në këtë lëndë do të vlerësohet për besueshmërinë deri në përfundim të këtij shqyrtimi gjyqësor.