Blerim Latifi: Jemi shtet pa helikopterë ushtarakë, por kjo s’na ka penguar t’ua “kallxojmë vendin” atyre që na ruajnë
Ish-ushtari i UÇK’së dhe profesori universitar, Blerim Latifi, ka shkruar sot për disa helikopterë që i ka parë të fluturojnë ultë në drejtim të Pejës e Prishtinës. Latifi ka thënë se nuk i kishte rastisur gjatë kohë që të shihte helikopterë aq afër, ndonëse në kohë të pasluftës ajo ishte përditshmëri. Latifi ka shkruar për…
Lajme
Ish-ushtari i UÇK’së dhe profesori universitar, Blerim Latifi, ka shkruar sot për disa helikopterë që i ka parë të fluturojnë ultë në drejtim të Pejës e Prishtinës. Latifi ka thënë se nuk i kishte rastisur gjatë kohë që të shihte helikopterë aq afër, ndonëse në kohë të pasluftës ajo ishte përditshmëri.
Latifi ka shkruar për numrin e madh të forcave të NATO-s që ishin vendosur në Kosovë, numër ushtarësh që është zvogëluar me kalimin e kohës.
Ai tutje ka thënë se Kosova sot është shtet, por për dallim nga të gjitha shtetet e tjera, s’ka helikopterë ushtarak.
Profesori i filozofisë ka thënë se ndonëse Kosova s’ka as helikopterë, kjo s’e ka penguar që “t’ua kallxojë vendin” shteteve që e ruajnë.
Postimi i plotë:
Tre helikopterë fluturuan mbi katund. Vinin nga drejtimi i Pejës dhe dukej se po shkonin drejt Prishtinës. Fluturonin shumë ulët. Më pushtoi një ndjenjë habie. Kishte shumë kohë që nuk më kishte rastisur të shihja helikopterë në një fluturim të tillë.
Pas luftës, kjo ishte përditshmëri. Mbi 50 mijë trupa të NATO-s ishin në Kosovë dhe një pjesë e madhe e operacioneve të tyre kryheshin me helikopterë. Zhurma e tyre ishte pjesë e peizazhit të përditshëm. Me kalimin e viteve, prania ushtarake ndërkombëtare u zvogëlua dhe, bashkë me të, u rralluan edhe fluturimet në qiellin e Kosovës.
Sot Kosova është shtet. Por ka një veçori të pazakontë që e dallon nga pothuajse të gjitha shtetet e tjera të Europës: është një shtet pa helikopterë ushtarakë. Ka edhe një veçori tjetër: siguria e tij jepet gratis nga NATO.
Megjithatë, kjo nuk na pengon që, herë pas here, rojtarëve të këtij shteti t’ua “kallxojmë vendin” në emër të sovranitetit, dinjitetit dhe broçkullave tjera pseudo- patriotike. Krejt kjo merr formën e një paradoksi: sa më pak e vërejmë barrën që të tjerët mbajnë për sigurinë tonë, aq më lehtë e shpërfillim atë. Por paradokset kanë pasoja: në mendim ato ta rrëzojnë argumentin, e në praktikë ta thyejnë qafën.