Lufta SHBA-Iran përfundoi, Ngushtica e Hormuzit u hap ndërsa në Kosovë çmimi i naftës bie nga 1 cent – Pse po ndodh kjo?
Që nga bombardimi i parë i SHBA-ve në Iran, menjëherë në Kosovë është reflektuar në rritje të çmimit të naftës. Nafta dhe derivatet e saj, pësuan rritje ekstreme të çmimit për shkak të mbylljes së Ngushticës së Hormuzit, që është dalja kryesore e naftës nga Irani për në vende të ndryshme të botës. Çmimi më…
Lajme
Që nga bombardimi i parë i SHBA-ve në Iran, menjëherë në Kosovë është reflektuar në rritje të çmimit të naftës.
Nafta dhe derivatet e saj, pësuan rritje ekstreme të çmimit për shkak të mbylljes së Ngushticës së Hormuzit, që është dalja kryesore e naftës nga Irani për në vende të ndryshme të botës.
Çmimi më i lartë i naftës në Kosovë gjatë kësaj periudhe lufte ka arritur edhe në 1.91 euro/litër, e që e detyroi Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë të marrë vendim për caktimin e çmimit maksimal të naftës për çdo 24 orë.
Edhe pasi lufta SHBA-Iran mori fund pas nënshkrimit të një marrëveshje mes tyre, dhe Ngushtica e Hormuzit u hap, çmimi i naftës ende nuk ka rënë në atë që ishte para se të fillonte lufta.
Sot, çmimi i naftës është 1,36 euro/litër, dhe në lidhje me këtë, lajmi.net ka dërguar pyetje tek MINTI.
Ata përmes një përgjigje për lajmi.net kanë thënë se çmimet e derivateve të naftës në Republikën e Kosovës janë në trend të rënies dhe po pësojnë ndryshime të vazhdueshme në përputhje me lëvizjet e tregut, në bursat ndërkombëtare.
“Ju rikujtojmë se ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari- Lila, më 5 prill 2026 ka marrë vendim për përcaktimin e çmimeve tavan (maksimale të lejuara) për derivatet e naftës në Republikën e Kosovës. Ky vendim ka mundësuar një nivel më të lartë transparence dhe mbrojtjeje për qytetarët. Që nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, MINTI, publikon çdo ditë, në orën 09:00, çmimet maksimale të lejuara përmes kanaleve të saj zyrtare, si informacion për qytetarët dhe operatorët ekonomikë. Ju informojmë se çmimet maksimale të lejuara llogariten dhe publikohen çdo 24 orë”, kanë thënë nga MINTI.
Ata kanë treguar edhe se si bëhet përllogaritja e çmimit.
“Përllogaritja bëhet në përputhje me Udhëzimin Administrativ për Rregullimin e Çmimeve të Produkteve të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtëritshme, si dhe me masat e tjera mbrojtëse të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi. Për rrjedhojë, lëvizjet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare nuk reflektohen domosdoshmërisht menjëherë në tregun vendor, pasi çmimi maksimal përcaktohet mbi bazën e kostove reale të furnizimit dhe të dhënave të importit të raportuara nga Dogana e Kosovës”, kanë thënë nga MINTI.
Vendimi për përcaktimin e çmimeve maksimale për derivatet e naftës, MINTI ka thënë se është në fuqi ende.
“Sa i përket kohëzgjatjes së masës së kontrollit të çmimeve, ajo do të vazhdojë të zbatohet për aq kohë sa mbetet në fuqi baza ligjore përkatëse dhe vlerësohet e nevojshme për mbrojtjen e konsumatorëve, ruajtjen e konkurrencës së ndershme dhe funksionimin e qëndrueshëm të tregut”, kanë thënë nga MINTI për lajmi.net.
Sot, çmimi i naftës ka rënë në nivele të papara që nga lufta e Iranit, ndërsa trafiku përmes rrugës kryesore të transportit detar të Ngushticës së Hormuzit rifillon gradualisht.
Nafta e papërpunuar Brent ra përkohësisht nën 72.48 dollarë (55 £) për fuçi, çmimi që ishte një ditë para se SHBA-të dhe Izraeli të nisnin sulmet ndaj Iranit më 28 shkurt, përpara se të arrinte në 72.63 dollarë, shkruan BBC.
Kostoja e naftës së papërpunuar ka rënë ndjeshëm që kur SHBA-të dhe Irani nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi (MOU) më 17 qershor, i cili përcaktoi një periudhë 60-ditore për negociata mbi programin bërthamor të Teheranit dhe masa të tjera për t’i dhënë fund luftës.
Përfaqësuesit nga të dy palët u takuan në Zvicër fundjavën e kaluar për bisedime për t’i dhënë fund luftës, gjë që rezultoi në heqjen pjesërisht të sanksioneve mbi eksportet iraniane të naftës nga SHBA-të.
Numri i anijeve që kalojnë Ngushticën e Hormuzit është rritur ndjeshëm që nga nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit, sipas firmës së inteligjencës detare Kpler.
Anijet që kalojnë nëpër rrugën ujore ditët e fundit përfshijnë ato që transportojnë naftë bruto, gaz natyror të lëngshëm (LNG), plehra dhe mallra të tjera, tha Kpler për BBC-në.
SHBA-të dhe Irani kishin formuar gjithashtu një “linjë komunikimi” për të parandaluar keqkuptimet “me qëllim kalimin e sigurt të anijeve tregtare përmes Ngushticës së Hormuzit”, thanë ndërmjetësit Katar dhe Pakistan në një deklaratë të përbashkët të hënën.
Ka pasur një “ndryshim të jashtëzakonshëm” me shumë më tepër anije që përdorin ngushticën ditët e fundit, tha Dimitris Maniatis, drejtori ekzekutiv i Marisks, një firmë këshillimi për rreziqet detare që punon me anijet e bllokuara në rajon.
Kompania e tij vlerëson se rreth 80 anije kanë kaluar Ngushticën e Hormuzit që nga e hëna pas raundit të parë të bisedimeve të paqes midis SHBA-së dhe Iranit në Zvicër.
Një numër i kufizuar anijesh mund të kalojnë një kalim verior me lejen e autoriteteve iraniane, tha ai.
Marina amerikane ka dhënë gjithashtu udhëzime për anijet që të udhëtojnë nëpër një rrugë jugore që është e sigurt nga minat dhe pengesat e tjera që janë vendosur që nga lufta, tha Maniatis.
Por numri i anijeve që kalojnë ngushticën është ende nën nivelet e para luftës, kur ajo përdorej nga më shumë se 100 anije në ditë.
Qindra anije duket se ende presin në Gjirin Persik. /Lajmi.net/