MINTI: Për gjashtë muaj kemi trajtuar mbi 1 mijë e 500 ankesa të konsumatorëve, më së shumti kanë ardhur për njehsorët elektrikë

Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka njoftuar se trajtuar gjithsej 1,567 ankesa të konsumatorëve gjatë periudhës gjashtëmujore janar-qershor 2026. Sipas raportit të Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit, numri më i madh i ankesave ka të bëjë me problemet që lidhen me keq llogaritjet e orës…

Lajme

25/06/2026 10:01

Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka njoftuar se trajtuar gjithsej 1,567 ankesa të konsumatorëve gjatë periudhës gjashtëmujore janar-qershor 2026.

Sipas raportit të Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit, numri më i madh i ankesave ka të bëjë me problemet që lidhen me keq llogaritjet e orës në njehsorët elektrikë, garancionin dhe kthimin e mallit, mospërputhjen e çmimeve raft-arkë nëpër markete, me blerjet online dhe mosdorëzimin e produkteve sipas përshkrimit të ofruar.

“Volumi i lartë i ankesave nga konsumatorët, tregon se në një numër të konsiderueshëm rastesh operatorët ekonomikë nuk po i respektojnë në mënyrë të plotë dispozitat e Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe të drejtat e garantuara të qytetarëve si konsumatorë. Për këtë arsye, MINTI, e konsideron të domosdoshme rritjen e mbikëqyrjes së tregut dhe ndërmarrjen e masave shtesë për ngritjen e nivelit të respektimit të të drejtave të konsumatorëve në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Sipas MINT-it, ankesat e pranuara janë trajtuar në bashkëpunim me institucionet kompetente, përfshirë Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë të Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës, Autoritetin Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Zyrën e Rregullatorit për Energji, Bankën Qendrore të Kosovës dhe Autoritetin Rregullator të Shërbimeve të Ujit, sipas kompetencave përkatëse.

“MINTI mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve dhe u bën thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të raportojnë çdo shkelje të mundshme përmes numrit +383 (0) 46 311 000 në Viber, si dhe në adresën elektronike [email protected]”, thuhet në njoftim. /Lajmi.net/