Natë e rëndë për Abdixhikun, vjen kërkesa për dorëheqjen e tij edhe nga dega e II-të e LDK-së në Prishtinë
Dega e Dytë e LDK-së në Prishtinë ka dalë me reagim zyrtar duke kërkuar dorëheqjen e kryetarit të Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku. Në deklaratën e saj, Dega II e LDK-së në Prishtinë e lidh situatën në parti me rezultatin e dobët zgjedhor dhe me nevojën për ndryshime të brendshme. “Fatkeqësisht, ashtu si Kosova, edhe Lidhja…
Lajme
Dega e Dytë e LDK-së në Prishtinë ka dalë me reagim zyrtar duke kërkuar dorëheqjen e kryetarit të Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku.
Në deklaratën e saj, Dega II e LDK-së në Prishtinë e lidh situatën në parti me rezultatin e dobët zgjedhor dhe me nevojën për ndryshime të brendshme.
“Fatkeqësisht, ashtu si Kosova, edhe Lidhja Demokratike e Kosovës po kalon njërën nga periudhat më të vështira në historinë e saj. Pas humbjeve të njëpasnjëshme, LDK-ja po rrëshqet drejt margjinalizimit politik, duke e betonuar veten në pozitën e tretë dhe duke u shndërruar në një parti pa peshën e duhur politike dhe shtetndërtuese. Ky është një realitet i papranueshëm për partinë e Ibrahim Rugovës dhe një dëm i madh për vetë shtetin e Kosovës”, thuhet në deklaratë.
Në reagim, kjo degë kërkon që Abdixhiku të japë dorëheqje dhe t’i hapë rrugë ndryshimeve në parti.
“Në këto rrethana, Dega e Dytë e LDK-së në Prishtinë e falënderon kryetarin Lumir Abdixhiku për kontributin dhe angazhimin e tij të deritashëm dhe, njëkohësisht, kërkon që, me përgjegjësi dhe dinjitet politik, të japë dorëheqje dhe t’u hapë rrugë ndryshimeve tashmë të domosdoshme në LDK”, thuhet në deklaratë.
Kjo degë kërkon edhe hapjen e procesit demokratik për zgjedhjen e një lidershipi të ri.
“Prandaj, kërkojmë hapjen e procesit demokratik për zgjedhjen e një lidershipi të ri, të cilin e kërkojnë koha, anëtarësia dhe qytetarët e Kosovës”, thuhet në reagim.
Dega II në Prishtinë po ashtu ka bërë thirrje që kërkesat për llogaridhënie të mos trajtohen si armiqësi ndaj partisë.