Rriten pakënaqësitë në LDK, Peja dhe Lipjani kërkojnë largimin e Abdixhikut

Degët e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Pejë dhe në Lipjan, të drejtuara nga Gazmend Muhaxheri dhe Imri Ahmeti kanë kërkuar përgjegjësi nga lidershipi i partisë pas rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit, duke kërkuar edhe dorëheqjen. Në një reagim të publikuar në rrjetin social Facebook, dega e LDK-së në Pejë thotë se përgjegjësia për…

Lajme

23/06/2026 20:14

Degët e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Pejë dhe në Lipjan, të drejtuara nga Gazmend Muhaxheri dhe Imri Ahmeti kanë kërkuar përgjegjësi nga lidershipi i partisë pas rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit, duke kërkuar edhe dorëheqjen.

Në një reagim të publikuar në rrjetin social Facebook, dega e LDK-së në Pejë thotë se përgjegjësia për rezultatin duhet të bartet nga udhëheqja.

“Pas mbledhjes së Kryesisë dhe analizës së rezultateve të zgjedhjeve të qershorit, me shumicë votash, anëtarët e Kryesisë në Pejë kanë kërkuar reflektim të thellë politik dhe marrjen e përgjegjësisë nga lidershipi i partisë.

Në këtë drejtim, është kërkuar dorëheqja si akt moral dhe politik, duke vlerësuar se përgjegjësia për rezultatin duhet të bartet nga udhëheqja.

Kryesia konsideron se ky duhet të jetë një imperativ i qartë i kësaj shtëpie të demokracisë, në funksion të ruajtjes së besimit të anëtarësisë dhe forcimit të standardeve demokratike brenda partisë”, thuhet në reagim.

Ndërkaq, kryesia e degës në Lipjan ka thënë se “rezultati i zgjedhjeve duhet të shërbejë si thirrje për reflektim, përgjegjësi të përbashkët dhe nisjen e procesit të reformimit dhe riorganizimit të partisë në të gjitha nivelet”.

Tutje, kjo degë ka kërkuar dorëheqjen e Lumir Abdixhikut.

“Në këtë frymë, pas një diskutimi të gjatë dhe një analize të detajuar të secilës qendër votimi në Degën e Lipjanit, si dhe të gjendjes aktuale politike dhe organizative brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kryesia e Degës kërkon dorëheqjen e Kryetarit të LDK-së, si standard të përgjegjësisë politike dhe si akt reflektimi ndaj mesazhit që qytetarët kanë përcjellë përmes votës së tyre”.

Theksojmë se Lidha Demokratike e Kosovës është renditur e treat në zgjedhjet e 7 qershorit.

Kjo parti ka fituar 16.69 për qind, apo 135,567 vota. Në Kuvendin e Kosovës kjo do të përkthehet në 18 ulëse.

Ky subjekt politik u bashkua me Vjosa Osmanin si candidate për presidente në këto zgjedhje. Kjo e fundit, mori 92 mijë e 236 vota.

Ndërkaq, kreu i kësaj partie fitoi 83 mijë e 894 vota.

Ky rezultat, ka shfaqur pakënaqësi të shumta brenda kësaj partie, me shumë figura të saj që i kanë shprehur haptas ato.

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se LDK-ja duhet të rikthehet fuqishëm te elektorati i saj tradicional.

“Eksperimente me LDK-në dhe me të ardhmen e saj nuk do të ketë. Rezultati ka dhënë një mesazh të qartë: LDK duhet të rikthehet fuqishëm te elektorati i saj tradicional, te vlerat e saj dhe te vizioni që e ka ndërtuar këtë parti. Duhet të luftojmë çdo mentalitet që dobëson aleancat tona historike dhe cenon rrugën euroatlantike të Kosovës. LDK nuk është pronë e askujt dhe nuk mund të jetë peng i interesave personale. LDK është më e madhe se secili individ, është një mision politik dhe historik”, ka shkruar Hoti.

Ish-shefi i grupit parlamentar, Arben Gashi, ishte shprehur edhe më i ashpër:

“Një LDK me vlerat e saj autentike. Një LDK me njerëzit më të mirë, me mendim të lirë, me demokraci të brendshme, me profesionalizëm dhe me vizion. Mbi të gjitha, një LDK fituese. Rezultati i fundit zgjedhor duhet të na shërbejë si thirrje për reflektim. Ne nuk duhet ta pranojmë si normalitet një LDK në vendin e tretë. Një LDK me 16% nuk është LDK-ja që njohim, nuk është LDK-ja që ndërtoi shtetin dhe nuk është LDK-ja që i duhet Kosovës. Prandaj, krahas domosdoshmërisë që vendi të ketë sa më shpejt institucione të qëndrueshme dhe funksionale, ne kemi edhe një detyrë tjetër të madhe: të merremi me veten. Të merremi me LDK-në. Me LDK-në tuaj”.