Tahiri kritikon Kurtin: Një prirje shqetësuese drejt kontrollit të plotë partiak të administratës publike

Nënkryetari i AAK-së dhe deputeti i ardhshëm, Besnik Tahiri, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti lidhur me menaxhimin e administratës publike dhe zhvillimet në shërbimin civil. Në reagimin e tij në Ditën e Shërbimit Publik, Tahiri ka vënë në pikëpyetje vazhdimin e shpalljes së konkurseve për pozita të larta drejtuese nga qeveria në detyrë. “Pse një…

Lajme

19/06/2026 12:36

Nënkryetari i AAK-së dhe deputeti i ardhshëm, Besnik Tahiri, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti lidhur me menaxhimin e administratës publike dhe zhvillimet në shërbimin civil.

Në reagimin e tij në Ditën e Shërbimit Publik, Tahiri ka vënë në pikëpyetje vazhdimin e shpalljes së konkurseve për pozita të larta drejtuese nga qeveria në detyrë. “Pse një qeveri në dorëheqje po vazhdon të shpallë konkurse për pozita të larta drejtuese?”, ka shkruar ai, duke shtuar se kjo, sipas tij, bie ndesh me frymën e Ligjit për Qeverinë, transmeton lajmi.net.

Ai ka ngritur shqetësime edhe për dobësimin e garancive juridike të shërbimit civil dhe përdorimin e pozitave me ushtrues detyre, duke përmendur edhe raportin e Auditorit për Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ku janë evidentuar 29 pozita me ushtrues detyre.

Tahiri ka deklaruar se këto zhvillime përbëjnë një trend shqetësues. “Së bashku, ato dëshmojnë një prirje shqetësuese drejt kontrollit të plotë partiak të administratës publike”, ka thënë ai, duke shtuar se rrezikohet parimi i meritokracisë dhe pavarësia e institucioneve.

Në fund, ai ka shprehur mirënjohje për nëpunësit publikë që, sipas tij, shërbejnë me profesionalizëm dhe integritet qytetarëve të Kosovës.

Postimi i plotë: 

Në vend të urimeve protokollare për Ditën e Shërbimit Publik, Kryeministri duhet t’u japë përgjigje qytetarëve për disa çështje serioze që prekin ligjshmërinë, profesionalizmin dhe pavarësinë e administratës publike.
Së pari, pse një qeveri në dorëheqje po vazhdon të shpallë konkurse për pozita të larta drejtuese? Një qeveri në dorëheqje ka mandat të kufizuar dhe nuk mund të veprojë sikur gëzon legjitimitet të plotë. Shpallja e dhjetëra konkurseve në këtë periudhë bie ndesh me frymën e Ligjit për Qeverinë dhe krijon dyshime të arsyeshme për përpjekje të ndikimit politik në institucione para formimit të qeverisë së re.
Së dyti, pse janë dobësuar garancitë juridike të shërbimit civil? Shndërrimi i pozitave drejtuese nga vende të përhershme pune në mandate të kufizuara cenon sigurinë juridike të nëpunësve publikë dhe rrezikon pavarësinë e administratës. Kjo qasje largohet nga standardet evropiane për një shërbim civil profesional, meritokratik dhe të depolitizuar.
Së treti, pse po tolerohen emërimet e ushtruesve të detyrës në kundërshtim me ligjin? Vetëm në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, sipas raportit të Auditorit, janë evidentuar 29 pozita me ushtrues detyre, prej të cilave 3 në kundërshtim me ligjin. Vetë Auditori ka paralajmëruar se mbajtja e pozitave për periudha të gjata me ushtrues detyre rrezikon që funksionet publike të ushtrohen nga persona që nuk i plotësojnë kriteret ligjore dhe profesionale.
Këto nuk janë raste të izoluara. Së bashku, ato dëshmojnë një prirje shqetësuese drejt kontrollit të plotë partiak të administratës publike, dobësimit të meritokracisë dhe zëvendësimit të shtetit ligjor me logjikën e parti-shtetit. Kosova ka nevojë për institucione të pavarura, profesionale dhe të mbrojtura nga ndërhyrjet politike, jo për praktika që minojnë besimin e qytetarëve në shtet.
Pavarësisht këtyre shqetësimeve, në Ditën e Shërbimit Publik shpreh mirënjohjen dhe respektin tim për të gjithë nëpunësit publikë që me integritet, profesionalizëm dhe përkushtim i shërbejnë qytetarëve dhe Republikës së Kosovës çdo ditë./lajmi.net/