ZKA gjen shkelje në MINT: Detyrime të pasqyruara gabimisht, në një kontekst gjyqësorë u desh të paguaj mbi 130 mijë euro dhe projekte milionëshe pa bartje të pronësisë
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) për vitin 2025, duke dhënë opinion të kualifikuar për pasqyrat financiare dhe duke evidentuar një sërë mangësish në menaxhimin financiar, kontratat publike dhe administrimin e projekteve kapitale. Sipas raportit, ministria kishte mbivlerësuar detyrimet…
Lajme
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) për vitin 2025, duke dhënë opinion të kualifikuar për pasqyrat financiare dhe duke evidentuar një sërë mangësish në menaxhimin financiar, kontratat publike dhe administrimin e projekteve kapitale.
Sipas raportit, ministria kishte mbivlerësuar detyrimet kontingjente për 240 mijë e 500 euro dhe kishte nënvlerësuar obligimet e papaguara për 36 mijë e 443 euro, çka ndikoi në paraqitjen jo të saktë të gjendjes financiare për vitin 2025, shkruan lajmi.net.

Auditimi ka zbuluar gjithashtu dobësi serioze në pranimin e faturave dhe ekzekutimin e pagesave. Në katër raste, menaxhimi jo i duhur i faturave ka rezultuar me konteste gjyqësore dhe kosto shtesë për buxhetin e ministrisë. Në një rast, MINT ka humbur një kontest gjyqësor lidhur me një projekt në Parkun Industrial në Budrigë, duke u detyruar të paguajë 130 mijë e 177 euro, përfshirë edhe shpenzime shtesë të interesit dhe procedurave gjyqësore.
ZKA bën të ditur se kjo situatë është rezultat i mungesës së kontrolleve efektive në procesin e pranimit të faturave.
Pranimi dhe protokollimi të faturave pa dokumentacion mbështetës dhe mungesa e komunikimit të duhur në mes departamenteve po shkakton konteste të vazhdueshëm gjyqësore.

Një tjetër gjetje me peshë lidhet me dy projekte të përfunduara në parqe industriale me vlerë prej 2.36 milionë eurosh, për të cilat ministria ende nuk kishte kryer procedurat për bartjen e pronësisë tek komunat përkatëse. Audituesit vlerësojnë se kjo krijon paqartësi në menaxhimin dhe kontrollin e aseteve publike.

Raporti evidenton po ashtu probleme në menaxhimin e kontratës për renovimin e zyrave të KIESA-s në vlerë prej 171 mijë e 603 euro. Edhe pse kontrata ishte nënshkruar në tetor të vitit 2025, ministria nuk kishte krijuar kushtet për fillimin e punimeve dhe nuk kishte ndërmarrë veprime për zgjatjen e afatit kontraktual apo vazhdimin e sigurisë së ekzekutimit, duke rritur rrezikun për pasoja financiare dhe ligjore.


Një tjetër problem i identifikuar nga ZKA është mbajtja e pozitave me ushtrues detyre përtej afateve të lejuara ligjore. Audituesit kanë gjetur tri raste ku zyrtarët kishin ushtruar detyrën në pozita zëvendësuese për periudha prej 30 deri në 36 muaj, ndonëse ligji parasheh kufizime më të shkurtra.

Po ashtu, ministria nuk kishte përdorur modulin elektronik të menaxhimit të kontratave në sistemin e-prokurim, siç kërkohet me legjislacionin në fuqi, gjë që sipas auditorëve ul transparencën dhe vështirëson monitorimin e performancës së kontratave publike.
Në total, ZKA ka dhënë tetë rekomandime për MINT-in, prej të cilave tri janë të reja, katër të përsëritura nga vitet paraprake dhe një pjesërisht e përsëritur, duke kërkuar forcim të kontrolleve të brendshme, raportim më të saktë financiar dhe menaxhim më efikas të kontratave dhe pasurive publike. /Lajmi.net/
