ZKA evidentoi 2.87 milionë euro pagesa të papaguara për ushtarët, Ministria thotë se financat janë në rregull

Ministria e Mbrojtjes ka reaguar pas publikimit të raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për vitin 2025, duke vlerësuar se auditimi konfirmon menaxhim të qëndrueshëm financiar dhe pajtueshmëri të përgjithshme me legjislacionin në fuqi. Në një komunikatë për media, ministria ka theksuar se ZKA i ka dhënë opinion të pa-modifikuar për pasqyrat financiare vjetore,…

Lajme

16/06/2026 19:06

Ministria e Mbrojtjes ka reaguar pas publikimit të raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për vitin 2025, duke vlerësuar se auditimi konfirmon menaxhim të qëndrueshëm financiar dhe pajtueshmëri të përgjithshme me legjislacionin në fuqi.

Në një komunikatë për media, ministria ka theksuar se ZKA i ka dhënë opinion të pa-modifikuar për pasqyrat financiare vjetore, duke nënvizuar se ato paraqesin drejt dhe saktë gjendjen financiare të institucionit në të gjitha aspektet materiale, transmeton lajmi.net.

Reagimi vjen pasi raporti i auditimit evidentoi mangësi të rëndësishme në fushën e prokurimit publik, të cilat çuan në një opinion të kualifikuar për pajtueshmërinë me legjislacionin. Auditorët gjetën se në nëntë kontrata nuk ishin azhurnuar rregullisht të dhënat në sistemin elektronik të prokurimit, ndërsa në gjashtë procedura me vlerë mbi 500 mijë euro nuk ishte publikuar njoftimi paraprak, siç kërkohet me Ligjin për Prokurim Publik.

Megjithatë, Ministria e Mbrojtjes ka minimizuar peshën e këtyre gjetjeve, duke deklaruar se rekomandimet lidhen kryesisht me përmirësimin e proceseve administrative dhe kontrolleve të brendshme dhe se ato nuk cenojnë besueshmërinë e pasqyrave financiare.

“Në raport janë evidentuar kryesisht nevoja për avancim të proceseve administrative dhe të kontrollit të brendshëm”, thuhet në reagimin e ministrisë.

Institucioni ka bërë të ditur se do t’i trajtojë me prioritet rekomandimet e auditorëve dhe do të ndërmarrë veprime konkrete për zbatimin e tyre, me qëllim rritjen e efikasitetit institucional dhe forcimin e qeverisjes së mirë.

Megjithatë, raporti i ZKA-së nxori në pah edhe çështje të tjera problematike, përfshirë rreth 2.87 milionë euro detyrime të papaguara për kujdestaritë e pjesëtarëve të FSK-së, mospërputhje në menaxhimin e barnave dhe pasurive në vlerë prej 116 mijë eurosh, si dhe vonesa në inventarizim dhe realizimin e kontratave.

Derisa Ministria po e paraqet opinionin e pa-modifikuar për pasqyrat financiare si dëshmi të menaxhimit të mirë, raporti i auditorëve evidenton se problemet në prokurim dhe kontrollet e brendshme vazhdojnë të mbeten sfida të pazgjidhura, disa prej tyre të përsëritura edhe nga vitet paraprake.

Postimi i plotë:

KOMUNIKATË PËR MEDIA

Ministria e Mbrojtjes ka pranuar Raportin e Auditimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për Pasqyrat Financiare Vjetore për vitin 2025 dhe vlerëson se raporti konfirmon menaxhim të qëndrueshëm financiar dhe pajtueshmëri të përgjithshme me legjislacionin në fuqi. Raporti i auditimit i ZKA-së i ka dhënë Ministrisë së Mbrojtjes opinion të pa-modifikuar për pasqyrat financiare vjetore, që nënkupton se ato paraqesin drejt dhe saktë gjendjen financiare të institucionit, në të gjitha aspektet materiale.

Gjetjet dhe rekomandimet e evidentuara në raport lidhen kryesisht me nevojën për përmirësimin e mëtejmë të proceseve administrative dhe të kontrollit të brendshëm dhe nuk cenojnë besueshmërinë e pasqyrave financiare.

Institucioni mbetet i përkushtuar ndaj transparencës, llogaridhënies dhe menaxhimit të përgjegjshëm të fondeve publike. Rekomandimet e ZKA-së do të trajtohen me prioritet dhe do të ndërmerren veprime konkrete për zbatimin e tyre, me qëllim të avancimit të mëtejmë të qeverisjes së mirë dhe rritjes së efikasitetit institucional.

Auditimi i jashtëm mbetet një mekanizëm i rëndësishëm për forcimin e kontrolleve të brendshme dhe avancimin e standardeve të menaxhimit financiar e administrativ, në funksion të rritjes së performancës institucionale.

Raportin e plotë të auditimit mund ta gjeni në linkun në vijim: https://zka-rks.org/cms/ReportFiles/2026_66dba43a-986c-45f4-b490-f0676182409b.pdf ./lajmi.net/