Policia jep detaje nga arrestimi i kryetarit të komunës së Mitrovicës dhe kryesuesit të Kuvendit Komunal: Iu është shqiptuar kundërvajtje për vandalizëm

Policia e Kosovës ka njoftuar se sot, më 5 qershor, ka ndërhyrë në Mitrovicën e Veriut pas vendimit të komunës për largimin e mbishkrimit të njohur “I Love Mitrovica”. Sipas Policisë, vendimi duhet të ishte shtyrë deri në miratimin e tij nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), ndaj autoritetet policore kanë mbikëqyrur situatën…

Lajme

05/06/2026 12:28

Policia e Kosovës ka njoftuar se sot, më 5 qershor, ka ndërhyrë në Mitrovicën e Veriut pas vendimit të komunës për largimin e mbishkrimit të njohur “I Love Mitrovica”.

Sipas Policisë, vendimi duhet të ishte shtyrë deri në miratimin e tij nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), ndaj autoritetet policore kanë mbikëqyrur situatën në vendngjarje, transmeton lajmi.net.

Në vendin e ngjarjes kanë qenë të pranishëm kryetari i komunës së Mitrovicës së Veriut dhe rreth 20 persona, përfshirë kryesuesin e Kuvendit Komunal. Pas intervistës për media, kryetari u ka kërkuar zyrtarëve policorë të ngjyrosnin mbishkrimin, duke thënë “tani do të ngjyrosim me ngjyrë emblemën”.

Policia ka ndërhyrë menjëherë për të parandaluar dëmtimin e objektit publik.

Pavarësisht urdhrit dhe paralajmërimit të zyrtarëve policorë, dy persona kanë tentuar të ngjyrosin mbishkrimin, çka ka detyruar intervenimin policor dhe shoqërimin e tyre në stacion.

Sipas Policisë, ndaj tyre është shqiptuar kundërvajtje për vandalizëm dhe më pas janë liruar me urdhër të prokurorit kompetent, duke vazhduar procedurat e mëtejshme ligjore.

Raporti i plotë: 

Policia e Kosovës, sot me datën 05.06.2026 ka pranuar vendimin e komunës së Mitrovicës Veri për largim të mbishkrimit ‘I Love Mitrovica’.

Në vend të ngjarjes menjëherë kanë dalë njësitet policore, si dhe sipas procedurave të parapara ligjore janë njoftuar inspektorët komunalë, që vendimi në fjalë duhet të shtyhet derisa të pranohet vendimi nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL).

Në vendin e ngjarjes, ka ardhur kryetari i komunës së Mitrovicës së Veriut me rreth  njëzetë (20) persona, ku në mesin e tyre ka qenë edhe kryesuesi i Kuvendit Komunal Mitrovicë Veri, të cilët pasi janë njoftuar nga komandanti i stacionit policor rreth situatës, kryetari pas dhënies së intervistës për media, iu është drejtuar zyrtarëve policorë me fjalë “tani do të ngjyrosim me ngjyrë emblemën”.

Derisa zyrtarët policorë kanë njoftuar se një gjë e tillë nuk lejohet të ndodhë, njëherit kanë kërkuar dhe tentuar të ndalojnë dëmtimin/ngjyrosjen e objektit publik.

Edhe përkundër kërkesës dhe urdhrit që të ndalohet dëmtimi/ngjyrosja e objektit publik,  të njëjtit kanë filluar ta ngjyrosin atë, me ç’rast është dashur intervenimi i zyrtarëve policorë të cilët kanë shoqëruar dy personat në stacion policor. Sipas procedurave të parapara të njëjtëve iu është shqiptuar kundërvajtje për vandalizëm. Me urdhër të prokurorit kompetent janë liruar, për të vazhduar me procedurat e mëtejme./lajmi.net/