Avdyli me detaje për kandidimin e Gërvallës për kryekuvendare: Në VV na thanë mos e boni të madhe se mos po votohet
Kandidati për deputet nga radhët e LDK-së, Haxhi Avdyli ka ndarë detaje të padëgjuara nga propozimet e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Kuvendit të Kosovës, gjatë vitit 2025. Avdyli, që në atë kohë ishte pjesë e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, ka treguar edhe për propozimin e Donika Gërvalles për kryekuvendare, ku sipas tij, Kurti…
Lajme
Kandidati për deputet nga radhët e LDK-së, Haxhi Avdyli ka ndarë detaje të padëgjuara nga propozimet e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Kuvendit të Kosovës, gjatë vitit 2025.
Avdyli, që në atë kohë ishte pjesë e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, ka treguar edhe për propozimin e Donika Gërvalles për kryekuvendare, ku sipas tij, Kurti dhe të tjerët nuk kanë dashur që ajo të zgjidhej në këtë post.
Për këtë, në emisionin DPT te Fidani, Avdyli ka përmendur rastin kur sipas tij, u është kërkuar që të mos bëhet e madhe propozimi i Gërvallës, në mënyrë që zgjedhja e saj të pamundësohet.
“Kurti e kandidoi Donikën, Donika me një buzëqeshje edhe unë mendova që po e marrim një zgjidhje, po e zgjedhim kryetaren e Kuvendit dhe më erdhi shumë mirë. Por, njëri prej tyre u ngrit në këmbë, ka qenë Besnik Bislimi edhe na tha ju lutem, se prej frike që ne mos pe marrim telefonin e po e kontaktojmë dikë prej LDK-së, edhe na thanë të lutem mos i tregoni askujt, se mos po na votojnë Donikën. Edhe më erdhi keq që e përdorën më se shumti Donikën, edhe ajo ka qenë prezent aty”, ka thënë Avdyli.
Ai ka kritikuar Kurtin dhe VV-në se i ka shfrytëzuar situatat politike për t’ua lënë “kile” rivalëve politikë.
“Psh. Këtë na ka vërtetu në vitin 2025, unë kam qenë brenda edhe gjithë ajo luftë e madhe që u bë për Ablulenën ka qenë jo pse ka dashtë që Albulena të bëhet, por kur e ka pa që Albulena s’po pranohet prej opozitës e ka kandidu me dhjetëra herë”, ka thënë ai.
Avdyli ka treguar edhe momente të tjera brenda diskutimeve në Lëvizjen Vetëvendosje për emrat e kandidatëve për kryetar të Kuvendit.
“Nuk ka qenë i lumtur edhe kur është zgjedh Dimal Basha. Ju ra një hije e zezë pse u votu Dimali, se qëllimi ka qenë me kandidu e mos me u zgjedh.”, ka deklaruar tutje Avdyli.