Mijëra lëndë transferohen në Gjykatën Administrative, sfiduese kontestet e punës
Ende pa u bërë një muaj nga nisja e punës së Gjykatës Administrative, mbi 650 lëndë të reja kanë shkuar në adresë të saj. Ndërkohë që mijëra të tjera janë transferuar e do të vazhdojnë të transferohen nga gjykatat e tjera. Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Gjykatës Administrative tregon për sfidat që mund të…
Lajme
Ende pa u bërë një muaj nga nisja e punës së Gjykatës Administrative, mbi 650 lëndë të reja kanë shkuar në adresë të saj. Ndërkohë që mijëra të tjera janë transferuar e do të vazhdojnë të transferohen nga gjykatat e tjera. Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Gjykatës Administrative tregon për sfidat që mund të ballafaqohet në të ardhmen kjo gjykatë.
Kanë mjaftuar pak javë që raftet e Gjykatës Administrative, të mbushen me mijëra lëndë.
Shumë prej tyre të transferuara nga gjykatat e tjera, por mbi 650 lëndë shkuan të reja në këtë Gjykatë, e cila ka pak javë që nisi punën.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Gjykatës Administrative, Rexhep Gashi thotë se deri në muajin korrik do barten të gjitha lëndët nga Gjykata Komerciale, por që ende nuk dihet sa është numri i tyre, shkruan Rtv Dukagjini, transmeton KosovaPress.
“Lëndët nga departamenti për cështje administrative i Gjykatës Themelore në Prishtinë që janë diku afërsisht 9 mijë lëndë janë bartur në Gjykatën Administrative edhe në sistemin SMIL të gjykatës, në ndërkohë nga dita e sotme ka filluar edhe transferi gradual i lëndëve nga Gjyakata Komerciale, 2 departamentet, departamenti për cështje administrative dhe departamenti fiskal”, ka thënë Rexhep Gashi – U.d i kryetarit të Gjykatës Administrative.
Teksa Gashi tregon se rastet e trashëguara janë prioritet për trajtim, ai thotë se sfiduese do të jetë trajtimi i lëndëve që kanë të bëjnë me kontestet e punës dhe se 23 gjqytarët që do ketë kjo gjykatë mund të mos e përballojnë numrin e madh të lëndëve.
“Duke marr parasysh numrin aktual sic e përmenda më herët që është ardh në Gjykatë i lëndëve pa u përmbush një muaj, dhe numrin e lëndëve që priten të barten nga Gjykata Komerciale dhe gjykata civile unë konsideroj se ky numër nuk do të jetë i mjaftueshëm sidomos numri i lëndëve që kanë të bëjnë me kontestet e punës që kanë të bëjnë me zyrtarët publik dhe organeve publike si punëdhënës të tyre është shumë i lartë”, ka thënë Rexhep Gashi – U.d i kryetarit të Gjykatës Administrative.
Gjykata Administrative nisi së funksionuari më 5 maj të këtij viti, e brenda saj funksionojnë katër departamente.