Kurti nga Vushtrria kërkoi dalje masive më 7 qershor dhe foli për bllokadat politike

Lëvizja Vetëvendosje e ka mbajtur tubimin elekotral në Vushtrri në ditën e katërt të fushatës zgjedhore. Derisa në skenë po ngjitej kandidati i VV-së për kryeministër, Albin Kurti, ai me vete e mori edhe një vajzë të vogël, Tara Tahirin, e cila e këndoi një këngë. Pas saj, Kurti u shpreh se mësoi se fëmijët…

Lajme

31/05/2026 20:39

Lëvizja Vetëvendosje e ka mbajtur tubimin elekotral në Vushtrri në ditën e katërt të fushatës zgjedhore.

Derisa në skenë po ngjitej kandidati i VV-së për kryeministër, Albin Kurti, ai me vete e mori edhe një vajzë të vogël, Tara Tahirin, e cila e këndoi një këngë. Pas saj, Kurti u shpreh se mësoi se fëmijët janë më radikalë se ai.

Për herë të parë e takova Tara Tahirin, por atë që e mësova është se fëmija janë edhe më radikalë se unë”, theksoi Kurti.

Kurti më tej tha se gjatë mandatit të tij janë fokusuar tek nënat lehona, fëmijët, bujqësia, ushtria e veriu, teksa tha se m7 qershor iu duhet fitore më e madhe se ajo e 28 dhjetorit.

“Na duhet një fitore më e madhe se më 28 dhjetor. Prej vjeshtës së 2019, 5 herë zgjedhje. Ne organizojmë zgjedhje shpesh, që të na vonojnë pak se me na ndalë s’ka kush që na ndalë. Më 7 qershor i vjen fundi edhe këtyre bllokadave dhe krizave artificiale. Për bindjen time, është shumë e qartë pse bllokojnë. Bllokojnë sepse s’kanë më terminale. Kur e kemi marrë ne detyrën, vetëm një terminal ka qenë i shtetit, e që nga marsi i këtij viti asnjë terminal më nuk është jashtë shteti. E di që e kanë hall Byronë, por ne nuk mund të lejojmë që brezit të ardhshëm të ua vështirësojmë jetën sepse dikush paska abuzuar me pushtet. Kjo nuk tolerohet. As qytetarët nuk lodhen, as ne nuk dorëzohemi. Prandaj, sot 1 javë me kusherinjë, dilni krejt në zgjedhje”, tha Kurti.

Kryetari i qendrës së VV-së në Vushtrri, Sylejman Meholli, i ftoi vushtrriasit që më 7 qershor të bëhen bashkë “krejt për shtet”.

“Edhe ne më 7 qershor, lë të bëhemi bashkë, Vushtrria krejt për shtet. Më 7 qershor që të kemi një shtet për krejt, opsioni është Vetëvendosje. Lideri që ia qet pikën është Albin Kurti”, tha ai.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare mbahen më 7 qershor.