LDK po zhvillon dy fushata: Hoti, Bajrami dhe Ymeri bashkë ndërsa “grupi” i Abdixhikut dhe Osmanit në anën tjetër
Lidhja Demokratike e Kosovës, duket se është ndarë në dy grupe, ai që ka mbështetur rikthimin e Vjosa Osmanit në LDK dhe grupi që nuk e ka mbështetur atë. Një ndarje e ngjashme në LDK madje ishte raportuar edhe para rikthimit të Osmanit, kur disa nga anëtarët nuk dakordoheshin me Lumir Abdixhikun dhe vendimet e…
Lajme
Lidhja Demokratike e Kosovës, duket se është ndarë në dy grupe, ai që ka mbështetur rikthimin e Vjosa Osmanit në LDK dhe grupi që nuk e ka mbështetur atë.
Një ndarje e ngjashme në LDK madje ishte raportuar edhe para rikthimit të Osmanit, kur disa nga anëtarët nuk dakordoheshin me Lumir Abdixhikun dhe vendimet e tij.
Madje pikërisht kjo dhe rezultati i dobët në zgjedhjet e 28 dhjetorit kishin quar në kuvendin e partisë. E në këtë grup që s’dakordohet me Abdixhikun e tani me Osmanin duket se hapur janë ish-deputetët, Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami dhe Janina Ymeri.
Dy të parët e kanë shprehur edhe publikisht se nuk janë pro rikthimit të Osmanit që sipas tyre e ka shkatërruar LDK-në duke e ulur në përqindje e që gjithashtu kishin deklaruar se as nuk do ta votonin për Presidente.
Kjo ndarje e tyre në grupe, po shihet edhe gjatë fushatës.
Në pothuajse të gjitha aktivitetet e fushatës, Hoti, Bajrami e Ymeri po shihen së bashku pa akterë të tjerë të LDK-së.
Ata të tre së bashku sot kanë vizituar një kompani në Parkun e Biznesit në Drenas.
“Qeveria e ardhshme duhet t’i qëndrojë afër këtij sektori me mbi 700 kompani dhe mbi 4000 të punësuar. Kosova ka përparësi të qartë krahasuese në këtë sektor prodhues. Mbështetja e Qeverisë duhet të jetë për gjithë ciklin prodhues, nga sigurimi i lëndës së parë të drurit përmes certifikimit të pyjeve të Kosovës nga ku mund të merret drurit, pastaj mbështetja për zhvillimin e kuadrove, procedurat për eksport dhe certifikimet e cilësisë së produkteve e kështu me radhë. Debati i kësaj fushate duhet kthyer kah biznesi dhe kah nevojat elementare të qytetarëve”, ka shkruar Hoti.
Hykmete Bajrami, Avdullah Hoti e Janina Ymeri nuk ishin as në takimin e Abdixhikut me zyrtarët e BIK-ut dje në ditën e Kurban Bajramit.
Ndonëse ishin disa kandidatë për deputetë të LDK-së, këta të tre nuk iu bashkuan.
Aktivitetet e tyre politike tanimë po zhvillohen veçmas, ndërsa e gjithë kjo duket të ketë ardhur nga rikthimi i Osmait në LDK, e që i pari i kësaj partie po e quan si “bashkim i së djathtës”. /Lajmi.net/