Apeli ia vërteton dënimin “Kobrës” dhe tre të akuzuarve tjerë për vrasjen në “Kobra City”, zbut dënimin për të pestin
Gjykata e Apelit ka marrë vendim me të cilin ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë ndaj Dibran Hoxhajt i njohur si “Kobra” dhe tre të akuzuarve: Arben Vezaj, Burim Mazreku dhe Jesmir Badalli, për vrasjen e shtetasit të Shqipërisë në lokalin “Kobra City” më 3 janar 2023. Ndërkaq, ka ndryshuar vendimin për Roland Susurin, duke ia zbutur…
Lajme
Gjykata e Apelit ka marrë vendim me të cilin ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë ndaj Dibran Hoxhajt i njohur si “Kobra” dhe tre të akuzuarve: Arben Vezaj, Burim Mazreku dhe Jesmir Badalli, për vrasjen e shtetasit të Shqipërisë në lokalin “Kobra City” më 3 janar 2023. Ndërkaq, ka ndryshuar vendimin për Roland Susurin, duke ia zbutur dënimin unik në 5 vjet burgim.
Themelorja më 9 tetor 2025 kishte Hoxhajn e kishte dënuar me dënim unik prej 24 vjet burgim, Roland Susuri u dënua me dënim unik prej 7 vjet burgim, Jesmir Badallaj u dënua me dënim unik prej 2 vjet burgim, Arben Vezaj dhe Burim Mazreku u dënuan me nga 1 vit burgim.
Në këtë rast, Dibran Hoxhaj i njohur si “Koba” dhe katër të akuzuarit Roland Susuri, Arben Vezaj, Burim Mazreku dhe Jesmir Badalli, akuzohen për rastin e vrasjes së V.C., më 3 janar 2023 në lokalin “Kobra City” në Prizren, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykata e Apelit me vendimin e 26 majit 2026, ka ndryshuar aktgjykimin e Themelores vetëm sa i përket vendimit mbi dënimin për veprën penale “Manipulim me prova” ndaj të akuzuarit Susuri, të cilin për këtë vepër penale e dënoi me 3 vjet burgim. Kurse, iu vërtetua dënimi për dy veprat tjera (“Pjesëmarrje në rrahje” dhe “Armëmbajtje pa leje”). Kështu që Susuri u dënua me dënim unik prej 5 vjet burgim.
“Gjykata e Apelit e Kosovës, me aktgjykimin APS.nr.7/2026 të datës 30.03.2026, me aprovimin e pjesshëm të ankesës së mbrojtësit të të akuzuarit R.S., avokatit R.S., ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, PS.nr.23/2024 të datës 14.11.2025, vetëm përkitazi me vendimin mbi dënimin për veprën penale manipulimi me prova nga neni 389 paragrafi 1 i KPRK-së, ashtu që për këtë vepër penale të njëjtit i është shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 3 (tre) viteve, ndërsa për tri veprat penale për të cilat është shpallur fajtor të akuzuarit R.S, i është shqiptuar dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 5 (pesë) viteve”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, kjo Gjykatë vërtetoi aktgjykimin e Themelores për Hoxhajn, Vezajn, Mazrekun dhe Badallin.
“Ndërsa, Gjykata e Apelit i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve D.H., avokatëve F.L. dhe M.K.; J.B., avokatit J.R.; A.V., avokatit B.GJ.; dhe B.M., avokatit G.GJ., si dhe pjesën tjetër të ankesës së mbrojtësit të të akuzuarit R.S., avokatit R.S., si dhe ankesën e përfaqësuesit të autorizuar të palës së dëmtuar B.C., avokatit E.K., në raport me të akuzuarit e cekur në dispozitiv të aktgjykimit dhe për këtë pjesë e ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, PS.nr.23/2024 të datës 14.11.2025. Po ashtu, Gjykata e Apelit ka hedhur si të palejuar ankesën e përfaqësuesit të autorizuar të palës së dëmtuar B.C., avokatit E.K., në raport me të akuzuarin B.M”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, sipas Apelit, me aprovimin e ankesës së përfaqësuesit të autorizuar të palës së dëmtuar R.T., dhe sipas detyrës zyrtare ka anuluar aktvendimin e shkallës së parë të 23 janarit 2026, lidhur me refuzimin e kërkesës për kthimin e sendit të sekuestruar dhe çështjen e ka kthyer gjykatës së shkallës së parë në rivendosje.
Apeli ka gjetur se aktgjykimi i ankimuar nuk është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384, paragrafi 1 të Kodit të Procedurës Penale, për të cilat kjo gjykatë kujdeset sipas detyrës zyrtare, ngase shqyrtimi gjyqësor është zhvilluar në mënyrë të ligjshme dhe aktgjykimi përmban arsye të qarta dhe të plota lidhur me faktet vendimtare.
“Sa i përket pretendimeve ankimore të mbrojtësve të të akuzuarve për shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384 paragrafi 2 nënparagrafët 2.1, 2.2, 2.5 dhe 2.7 lidhur me nenin 369 të KPPK-së, si dhe shkelje të nenit 53 të KPPK-së, Gjykata e Apelit ka vlerësuar se të njëjtat janë të pabazuara. Kjo për faktin se dispozitivi i aktgjykimit është i qartë, konkret dhe në përputhje të plotë me arsyetimin e tij, ndërsa gjykata e shkallës së parë ka dhënë arsye të mjaftueshme lidhur me të gjitha faktet vendimtare të kësaj çështjeje penale-juridike, duke bërë vlerësimin e provave në pajtim me nenin 361 paragrafi 1 të KPPK-së dhe duke dhënë arsye të qarta lidhur me vendin, kohën, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së veprave penale nga të akuzuarit”, vlerëson Apeli.
Kurse, sa i përket pretendimeve ankimore përkitazi me vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, Apeli konstaton se gjykata e shkallës së parë gjendjen faktike në këtë çështje penale e ka vërtetuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë, për faktin se me provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor është vërtetuar se të akuzuarit me veprimet e përshkruara për secilin veç e veç në pikat përkatëse të dispozitivit të aktgjykimit të ankimuar, kanë kryer veprat penale për të cilat janë shpallur fajtorë, secili sipas rolit, pjesëmarrjes dhe veprimeve të ndërmarra në këtë çështje penale. Andaj, pretendimet ankimore për vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, Apeli i ka vlerësuar si të pabazuara.
Sipas Apelit, numri i të shtënave nga i akuzuari Hoxha dhe mënyra e përdorimit të armës së zjarrit, tregon qartë dashjen eventuale për privim nga jeta dhe rrezikim të personave të tjerë.
“Sa i përket pretendimeve për shkelje të ligjit penal, Gjykata e Apelit ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë, mbi bazën e gjendjes faktike të vërtetuar drejt dhe plotësisht, me të drejtë ka aplikuar ligjin penal në raport me të gjitha veprat penale për të cilat të akuzuarit janë shpallur fajtorë. Po ashtu, pretendimet e mbrojtjes së të akuzuarit D.H. lidhur me mungesën e elementeve të veprës penale vrasja e rëndë janë vlerësuar si të pabazuara, pasi mënyra e përdorimit të armës së zjarrit, numri i gjuajtjeve dhe drejtimi i tyre shpërfaqin qartë dashjen eventuale për privim nga jeta dhe rrezikim të personave tjerë”, thuhet më tej.
Sa i përket vendimit mbi dënimin, shkalla e dytë ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë, me rastin e matjes së dënimit, ka vlerësuar drejt rrethanat lehtësuese dhe rënduese për secilin të akuzuar në pajtim me nenin 73 të KPRK-së.
“Në këtë drejtim, Gjykata e Apelit ka vlerësuar se dënimet e shqiptuara ndaj të akuzuarve D.H., J.B., A.V. dhe B.M. janë të drejta dhe të ligjshme, në harmoni me intensitetin e rrezikshmërisë shoqërore të veprave penale të kryera dhe shkallën e përgjegjësisë penale të secilit të akuzuar, janë në funksion të preventivës gjenerale dhe individuale dhe se me këto dënime do të arrihet qëllimi i ndëshkimit i paraparë me dispozitën e nenit 38 të KPRK-së”, njofton Apeli.
Megjithatë, për të akuzuarin Susuri, Gjykata e Apelit ka vlerësuar se nuk janë dhënë arsye të mjaftueshme për shqiptimin e dënimit pothuajse në maksimumin ligjor për veprën penale “Manipulimi me prova”, andaj aktgjykimi është ndryshuar vetëm në këtë pjesë.
Ndërsa, pretendimet e mbrojtësve të të akuzuarve tjerë për dënime më të buta, si dhe pretendimet e përfaqësuesit të autorizuar të palës së dëmtuar për dënime më të larta, janë vlerësuar si të pabazuara.
“Sa i përket ankesës së përfaqësuesit të autorizuar të palës së dëmtuar B.C., avokatit E.K., Gjykata e Apelit të njëjtën e ka hedhur pjesërisht poshtë si të palejuar në raport me të akuzuarin B.M., ngase pala e dëmtuar nuk ka të drejtë ankese lidhur me vendimin mbi sanksionin penal për veprën penale manipulimi me prova nga neni 389 paragrafi 1 i KPRK-së” thuhet më tutje.
Kurse, aktvendimin lidhur me sekuestrimin e automjetit, Apeli e ka anuluar dhe çështjen ia ktheu Themelores në rigjykim.
“Ndërsa, lidhur me ankesën e përfaqësuesit të autorizuar të palës së dëmtuar R.T., avokatit F.M., ndaj aktvendimit për refuzimin e kërkesës për kthimin e automjetit të sekuestruar, Gjykata e Apelit ka vlerësuar se aktvendimi i ankimuar nuk përmban arsye të mjaftueshme lidhur me nevojën e vazhdimit të sekuestrimit të automjetit dhe nuk janë sqaruar veprimet konkrete procedurale që mbeten ende për t’u ndërmarrë lidhur me të. Po ashtu, gjykata e shkallës së parë nuk ka vlerësuar efektin juridik të urdhëresave të autoriteteve gjyqësore të Republikës së Shqipërisë mbi sekuestrimin e automjetit. Për këtë arsye, Gjykata e Apelit ka anuluar aktvendimin e ankimuar dhe çështjen e ka kthyer gjykatës se shkallës së parë në rivendosje”, njofton Apeli.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 20 shkurt 2024, ka ngritur aktauzë kundër Dibran Hoxhajt i njohur si “Kobra” dhe Roland Susurit, Arben Vezajt, Burim Mazrekut dhe Jesmir Badallit, për vrasjen e shtetasit të Shqipërisë në Prizren më 3 janar 2023.
Në aktakuzën e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, “Kobra”, akuzohet se më 3 janar 2023, në ora 4:10, në afërsi të lokalit të tij “Kobra City”, në magjistralen Prizren-Zhur, me dashje ka privuar nga jeta V.C, duke vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarve R.T (Sh) dhe A.B.
Deri të rasti, sipas aktakuzës së Prokurorisë kishte ardhur pasi të dëmtuarit nuk ishin pajtuar me faturën e lartë në lokal, duke filluar kështu një zënkë me punëtorët e lokalit.
Më 13 maj 2024, “Betimi për Drejtësi” kishte raportuar se Themelorja ua kishte konfirmuar të akuzuarve aktakuzën që mund ta lexoni të plotë duke klikuar KËTU.