Hamza prezanton programin, premton rritje pagash prej 50%: Veteranët do të mund të marrin edhe pagën edhe pensionin
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka deklaruar se partia do ta hapë fushatën në Ferizaj, në orën 20:00. Në një konferencë për media, Hamza tha se po hyjnë në fushatë me respekt për qytetarët, besim te demokracia dhe shpresë për të ndryshuar vendin. Ai bëri thirrje për një fushatë të barabartë dhe…
Lajme
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka deklaruar se partia do ta hapë fushatën në Ferizaj, në orën 20:00.
“Përdorimi i resurseve shtetërore dhe i parasë publike në funksion të zgjedhjeve dhe të maksimalizimit të votës për partinë në pushtet, nuk është gjë e duhur. Kjo nuk duhet të ndodhë. Prandaj, i bëj kërkesë dhe ftesë partisë në pushtet, që të mos e përdorë paranë publike për fushatë” tha Hamza.
Ai deklaroi se programi qeveritar i PDK-së është i mirëhartuar dhe në qendër ka qytetarin.
Shtylla e parë e programit të PDK-së është çmime e tatime më të ulëta dhe paga më të larta. Hamza bëri me dije se do të ketë mbështetje direkte për prodhuesit, importuesit dhe kompanitë që punësojnë masë të madhe punëtore.
Ai shtoi se do të ketë lehtësi edhe për bizneset dhe, përmes zhvillimit ekonomik dhe normës tjetër të rritjes ekonomike, do të prodhohet situata për njerëzit të jetojnë më mirë.
Hamza premtoi rritje prej 50% të pagave dhe pensioneve, duke shtuar se veteranët e luftës nuk do të vendosen përpara zgjedhjes nëse do të marrin pagë apo pension të veteranit.
Klima e mirë për bizneset, sipas Hamzës, është prioriteti më i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik.