BDI në takim me kongresistin amerikan: Marrëveshja e Ohrit po rrezikohet
Delegacioni i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), i kryesuar nga Ali Ahmeti, ka zhvilluar takim me kongresistin amerikan Keith Self, Kryetar i Nënkomisionit për Evropën në Kongresin Amerikan, ku u diskutuan zhvillimet politike në Maqedoninë e Veriut dhe sfidat që lidhen me Marrëveshjen e Ohrit. Në takim u theksua rëndësia e ruajtjes së Marrëveshjes Paqësore…
Lajme
Delegacioni i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), i kryesuar nga Ali Ahmeti, ka zhvilluar takim me kongresistin amerikan Keith Self, Kryetar i Nënkomisionit për Evropën në Kongresin Amerikan, ku u diskutuan zhvillimet politike në Maqedoninë e Veriut dhe sfidat që lidhen me Marrëveshjen e Ohrit.
Në takim u theksua rëndësia e ruajtjes së Marrëveshjes Paqësore të Ohrit, e cilësuar si themel i paqes, bashkëjetesës dhe demokracisë multietnike në Maqedoninë e Veriut, por edhe si një nga investimet më të rëndësishme strategjike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rajon.
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme amerikane ndaj stabilitetit, sigurisë dhe orientimit euro-atlantik të Maqedonisë së Veriut dhe Ballkanit Perëndimor.
Në takim mori pjesë edhe Ziadin Sela, i cili përmes një postimi në Facebook bëri të ditur se me kongresistin amerikan kanë diskutuar për, siç tha ai, regresin e fundit në shumë fusha në Maqedoninë e Veriut, si dhe për sfidat që lidhen me të drejtat e shqiptarëve.
Sela theksoi se ka ngritur shqetësimin për tendencat ndaj përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe dhe për nevojën e vendosjes së parimit të Badenterit në Gjykatën Kushtetuese, si mekanizëm mbrojtës ndaj majorizimit.
Ai po ashtu përmendi rastin “Alfa”, duke shprehur shqetësime për funksionimin e sistemit të drejtësisë në vend.
Sipas Selës, në takim është diskutuar edhe për, siç u shpreh ai, goditjet e vazhdueshme ndaj të drejtave të shqiptarëve që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit.