Kongresmenët amerikanë në Preshevë, Rexhepi: Diskriminimi ndaj shqiptarëve në Luginë duhet të ndalet
Kryetari i Këshilli Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, ka njoftuar se në Preshevë po qëndrojnë kongresmenët amerikanë Keith Self dhe Suhas Subramanyam, me të cilët janë diskutuar problemet me të cilat përballen shqiptarët në Luginën e Preshevës. Sipas Rexhepit, në takimin e mbajtur në zyrën e Këshillit Kombëtar Shqiptar, së bashku me deputetin Shaip Kamberi dhe…
Lajme
Kryetari i Këshilli Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, ka njoftuar se në Preshevë po qëndrojnë kongresmenët amerikanë Keith Self dhe Suhas Subramanyam, me të cilët janë diskutuar problemet me të cilat përballen shqiptarët në Luginën e Preshevës.
Sipas Rexhepit, në takimin e mbajtur në zyrën e Këshillit Kombëtar Shqiptar, së bashku me deputetin Shaip Kamberi dhe bashkëpunëtorë të tjerë, janë trajtuar çështje si pasivizimi i adresave, mosnjohja e diplomave, mungesa e përfaqësimit institucional, varfërimi dhe moszhvillimi ekonomik i komunave shqiptare në jug të Serbisë.
Ai ka theksuar se këto politika kanë për qëllim “shpopullimin e Luginës së Preshevës nga shqiptarët”.
Postimi i plotë:
𝐃𝐢𝐭𝐞̈ 𝐞 𝐦𝐚𝐝𝐡𝐞 𝐩𝐞̈𝐫 𝐋𝐮𝐠𝐢𝐧𝐞̈𝐧.🇺🇸🇦🇱
Sot në Preshevë po qëndrojnë kongresmenët Keith Self dhe Suhas Subramanyam.
Patëm kënaqësinë që, së bashku me deputetin Kamberi dhe bashkëpunëtorë, t’i mirëpresim në zyrën e Këshillit Kombëtar Shqiptar.
Në këtë takim patëm mundësinë të shtjellojmë të gjitha temat dhe çështjet me të cilat, tash e me dekada, përballet Lugina e Preshevës. Pasivizimi, mosnjohja e diplomave, mospërfaqësimi në institucione, varfërimi dhe moszhvillimi i komunave tona kanë një qëllim të qartë: shpopullimin e Luginës nga shqiptarët. Kjo ishte një nga çështjet kryesore që potencuam gjatë takimit.
Mungesa e investimeve, bllokimi i mjeteve nga Republika e Kosovës për Këshillin Kombëtar Shqiptar, centralizmi i shtetit në çdo institucion, moshapja e kufirit Miratoc–Llojan, moszbatimi i Planit 7 Pikësh dhe i Planit Aksional për integrimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore janë dëshmi të qarta të një qasjeje diskriminuese, ndër të tjera.
Në këtë takim patëm të ftuar edhe Teuta Fazliun, shqiptaren e pasivizuar nga Bujanoci, e cila rastin e saj e ka dërguar deri në Gjykatën e Strasburgut. Kongresmenët patën mundësinë që nga ajo personalisht të dëgjojnë shembuj konkretë se si pasivizimi i adresave po i selekton veçanërisht shqiptarët.
Projektligji i kongresmenit Keith Self, i cili ka gjetur mbështetje nga të dy kampet politike në SHBA, mbetet shpresa jonë e madhe për mbështetje ndërkombëtare që do ta detyrojë Qeverinë e Serbisë të ndalojë diskriminimin dhe shkeljen e të drejtave themelore të njeriut ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Për këtë, i falënderuam pa masë kongresmenët amerikanë, duke potencuar edhe një herë se shqiptarët në përgjithësi, e ata të Luginës në veçanti, mbeten komuniteti më proamerikan në rajon./Lajmi.net/