Hapat e ardhshëm në dialogun Kosovë-Serbi, Sorensen jep detaje nga biseda me Konjufcën

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka konfirmuar vazhdimin e kontakteve me ministrin e Jashtëm të Kosovës, Glauk Konjufca, në kuadër të procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit. Përmes një reagimi në platformën X, Sorensen bëri të ditur se bisedimet e fundit janë zhvilluar…

Lajme

23/05/2026 16:55

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka konfirmuar vazhdimin e kontakteve me ministrin e Jashtëm të Kosovës, Glauk Konjufca, në kuadër të procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit.

Përmes një reagimi në platformën X, Sorensen bëri të ditur se bisedimet e fundit janë zhvilluar si vazhdim i takimit të mbajtur javën e kaluar në Bruksel, ku palët kishin diskutuar për ecurinë e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, transmeton lajmi.net.

“Pas takimit tonë javën e kaluar në Bruksel, vazhdova shkëmbimin me ministrin e Jashtëm të Kosovës, Glauk Konjufca, për dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, ka deklaruar Sorensen.

Sipas tij, fokusi i diskutimeve ka qenë te hapat e ardhshëm që pritet të ndërmerren në kuadër të procesit negociues, përfshirë edhe çështjen e zbatimit të Ligjit për të Huajt, si dhe nevojën për vazhdimin e angazhimit konstruktiv nga të gjitha palët në dialog.

Ky komunikim vjen në një periudhë kur Bashkimi Evropian po intensifikon përpjekjet për të shtyrë përpara procesin e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë, duke kërkuar zbatim konkret të marrëveshjeve të arritura dhe ruajtje të dialogut politik./lajmi.net/