OVL-UÇK reagon ndaj kërcënimeve të mërgimtarit kundër Daut Haradinajt: Kurti dhe VV duhet të ndalin, tani, nxitjen e këtyre sulmeve ndaj UÇK-së
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka dal me reagim për sulmin dhe kërcënimin që një mërgimtar me emrin, Naser Xhylani i bëri kundër kandidatit për deputet të AAK-së, Daut Haradinaj. OVL i ka quajtur të ndyra këto sulme drejtuar gjeneralëve të luftës, transmeton lajmi.net. “Albin Kurti dhe Vetëvendosje duhet të ndalin, tani, nxitjen…
Lajme
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka dal me reagim për sulmin dhe kërcënimin që një mërgimtar me emrin, Naser Xhylani i bëri kundër kandidatit për deputet të AAK-së, Daut Haradinaj.
OVL i ka quajtur të ndyra këto sulme drejtuar gjeneralëve të luftës, transmeton lajmi.net.
“Albin Kurti dhe Vetëvendosje duhet të ndalin, tani, nxitjen e këtyre sulmeve ndaj UÇK-së, veteranëve dhe komandantëve të saj. Kosova nuk u çlirua që aventurierët politikë të përdorin si armë konfliktin qytetar për pushtet.”, thuhet ndër të tjera në reagim.
Reagimi i plotë:
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së dënon sulmet e ndyra të drejtuara kundër gjeneralëve të Luftës Çlirimtare, sulme që tani po përforcohen nga qarqe, prejardhja politike dhe familjare e të cilave u kalit në shërbim besnik ndaj Jugosllavisë dhe pushtimit serb.
Asnjë shpifje nuk mund ta njollosë luftën që çliroi Kosovën. Gjeneralët dhe luftëtarët e UÇK-së nuk u kërkuan kurrë leje puthadorëve të një regjimi të vdekur para se të rroknin armët për këtë tokë. Sakrifica e tyre është themeli mbi të cilin ngrihet Kosova. Ata që pështyjnë mbi të, nuk shpërfaqin asgjë tjetër veçse zbrazëtinë e tyre politike dhe kalbëzimin moral.
Pas dy vitesh krizë institucionale, nxitja e qëllimshme e militantëve kundër UÇK-së nuk është e rastësishme. Është një lëvizje e llogaritur për të helmuar jetën publike, për të përçarë shoqërinë shqiptare dhe për ta çuar Kosovën drejt përplasjes së brendshme. Interesit të kujt i shërben kjo sjellje? Qartazi, Serbisë, në fushatën e saj të gjatë për të kriminalizuar Luftën Çlirimtare dhe për të shkatërruar unitetin tonë kombëtar.
Albin Kurti dhe Vetëvendosje duhet të ndalin, tani, nxitjen e këtyre sulmeve ndaj UÇK-së, veteranëve dhe komandantëve të saj. Kosova nuk u çlirua që aventurierët politikë të përdorin si armë konfliktin qytetar për pushtet. Ata që nuk trashëguan asgjë nga kjo përpjekje, nuk kanë asnjë tagër të gjykojnë ata që e ngritën atë me gjak. Kërkojmë llogaridhënie publike dhe ndërprerje të pakushtëzuar të kësaj fushate antiçlirimtare. Vazhdoni në këtë rrugë dhe pasojat do të jenë të përhershme./lajmi.net/