Kryeministri në detyrë Kurti mori pjesë në darkën solemne të organizuar nga Rrjeti Global i Bizneseve Shqiptare
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në darkën solemne të organizuar nga Rrjeti Global i Bizneseve Shqiptare, ku dhe mbajti një fjalë rasti para të pranishmëve. “Ju jeni nga ajo gjeneratë e cila i njeh të dy botët. Keni ndërtuar një jetë në botën e jashtme, kryesisht në perëndim, në…
Lajme
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në darkën solemne të organizuar nga Rrjeti Global i Bizneseve Shqiptare, ku dhe mbajti një fjalë rasti para të pranishmëve.
“Ju jeni nga ajo gjeneratë e cila i njeh të dy botët. Keni ndërtuar një jetë në botën e jashtme, kryesisht në perëndim, në Gjermani, Zvicër, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vende të tjera. Keni mësuar gjuhën, jeni integruar dhe punoni sipas standardeve dhe disiplinës që ato shoqëri i kërkojnë. Dhe megjithëkëto, nuk keni harruar se nga keni ardhur”, tha kryeministri në detyrë Kurti.
Fjala e plotë e kryeministrit në detyrë Kurti:
I nderuari z. Nura, Kryetar i Rrjetit Global të Bizneseve Shqiptare,
I nderuari z. Jusaj, President i Komunitetit të Bizneseve Kosovaro-Gjermano-Zvicerane,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve qendrore e lokale,
Drejtues të mekanizmave shtetëror e kryetar të komunave,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar miq,
Ju faleminderit shumë për këtë ftesë që të jem bashkë me juve sonte. E di që keni ardhur nga e gjithë bota, nga Berlini, Gjeneva, Helsinki, por edhe nga Dallasi e Dubai dhe jeni mbledhur për të ndërtuar ura të reja dhe për të thelluar bashkëpunimin tonë.
Ju jeni nga ajo gjeneratë e cila i njeh të dy botët. Keni ndërtuar një jetë në botën e jashtme, kryesisht në perëndim, në Gjermani, Zvicër, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vende të tjera. Keni mësuar gjuhën, jeni integruar dhe punoni sipas standardeve dhe disiplinës që ato shoqëri i kërkojnë. Dhe megjithëkëto, nuk keni harruar se nga keni ardhur.
Mërgata jonë nuk është një fenomen statistikor. Është një forcë gjigante ekonomike. Vetëm nga Gjermania, diaspora kosovare dërgoi mbi 546 milionë euro remitenca. Nëse i shtojmë edhe ato nga Zvicra, Austria dhe vendet e tjera, i kemi diku rreth 1.5 miliardë euro remitenca, dërgesa, në vendin tonë që janë 1/7 përafërsisht e Bruto Produktit Vendor. Është kapital i fituar me punë, i investuar me besim. Është kapital privat që financon shtëpitë, arsimin, bizneset. Pa asnjë burokraci, pa asnjë thirrje zyrtare. Vjen për shkak të vullnetit dhe përkushtimit ndaj atdheut. Andaj, në emër të Qeverisë së Kosovës, në emër të Republikës tonë demokratike e parlamentare, ju falënderoj nga zemra për këtë kontribut të pamatshëm që keni dhënë dhe po jepni.
Mirëpo ato remitenca janë veçse fillimi. Ajo çfarë ne shohim këtu sot, dhe ajo çfarë kjo konferencë e bën të dukshme, është që mërgata, bizneset dhe shqiptarët po kalojnë nga faza e “dërgimit” në fazën e “ndërtimit”. Nga faza e të qenit akterë social për mbijetesë në fazën e të qenit faktorë ekonomik për zhvillim. Dhe ju jeni vetë arkitektët e kësaj ure.
Kosova e sotme nuk është më Kosova e vitit 2000. Sa për krahasim Bruto Produkti Vendor për kokë banori sot në Kosovë është 6 herë më i madh se sa në vitin 2000, viti i parë pas çlirimit dhe është 3 herë më i madh se në vitin 2008, para 18-vjetëve kur është shpallur pavarësia e Kosovës.
Dhe tash që po flasim rritjen ekonomike e kemi stabile. Nga viti në vit rreth 4%. Qarkullimi i bizneseve nëse e krahasojmë me vitin parë parapandemik 2019, pra, para 6 viteve, qarkullimi i bizneseve është dyfishuar, ndërkaq krahasuar me para 4 viteve, fitimi i korporatave është rritur për 2 herë e gjysmë. Dhe ne këtë e dimë nga Administrata Tatimore e Kosovës ku e shohim se si rritet kontributi sepse rritet fitimi.
Por Kosova po tërheq edhe kapital gjithnjë e më shumë. Përveçse janë dyfishuar eksportet është dyfishuar edhe investimi i huaj direkt, nga Zvicra, Austria, Gjermania, Turqia, Sllovenia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e të tjera. Besimi nuk po diskutohet. Por po demonstrohet për çdo ditë.
Baza ligjore në Kosovë është e qartë: sistemi tatimor është i thjeshtë. Tatimi në korporata vetëm 10%, rrjedhimisht edhe në të ardhura është vetëm 10%, nuk ka tatim mbi dividentë, nuk ka tatim në lëndën e parë, nuk ka tatim për makineri prodhuese dhe nuk ka tatim për eksport. Euroja është monedhë zyrtare dhe Ligji për Investime të Qëndrueshme i lehtëson procedurat dhe u jep përparësi investimeve strategjike. Përveç Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian dhe marrëveshjes së CEFTA-s, ku tashmë e kemi nxjerrë UNMIK-un jashtë dhe jemi aty si Kosovë e kemi edhe marrëveshjen EFTA me Zvicrën, Norvegjinë, Islandën dhe Lihtenshtajnin që i jep qasje eksportuesve tanë në tregje të rëndësishme evropiane pa tarifa dhe atë jo vetëm për eksportin e mallrave por edhe për eksportin e shërbimit. Duhet të përmendim që në mandatin që vjen Qeveria jonë do të jetë e përqendruar pikë së pari te hekurudhat. Nuk ka zhvillim të hovshëm ekonomik pa hekurudhat. Dhe ne i kemi ndërmend 4 hekurudha kryesore: E para është hekurudha Prishtinë-Durrës, e cila e ka përbrenda segmentin Gjakovë-Shkodër dhe e lidh Portin e Thatë të Prishtinës me portin e ri të Durrësit dhe ne nga Durrësi i kemi 50 për qind të importeve si shtet, pra 50 për qind të importeve të Kosovës vijnë nëpërmjet Durrësit; Hekurudha tjetër është ajo që quhet Korridori X, nga Hani i Elezit te Fushë Kosova, te Mitrovica e deri në Leshak; Tjetra është hekurudha që do të ndërtojmë e cila e lidh Prizrenin me Ferizajn me Gjilanin e me Bujanovcin, kjo është hekurudhë tejet e rëndësishme dhe e katërta që bashkatdhetarët tonë e kanë më shumit për qef segmenti modern hekurudhor që do ta lidhe Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinë “Adem Jashari” me kryeqytetin e Republikës, Prishtinën. Pra, mandati i ardhshëm do të jetë mandat i hekurudhave. E dyta, digat, stadiumet, Brezovica, Qendra Turistike e Dukagjinit. Gjithsej rreth 1 miliardë euro. Pesë diga do t’i ndërtojmë në Kosovë sepse duhet ta mbledhim ujin. Kosova është si një pjatë e kthyer përmbys ku ujërat dalin me shpejtësi jashtë vendit. Dhe këto pesë diga e kanë fizibilitetin e kryer, janë Kuçica në Skenderaj, Pollata në Podujevë, Desivojca në Kamenicë, Dragaqina në Suharekë dhe Firaja në Shtërpcë. Pra, pesë diga të reja, dhe do të bëjmë edhe katër diga studim fizibiliteti për këto. 20 stadiume për Lojërat Mesdhetare dhe gjysmë miliardi partneritet publiko-privat për Brezovicën, si dhe gjithashtu për Qendrën Turistike të Dukagjinit.
Do të kemi investim 1 miliard në ushtri, në mbrojtje, në siguri, ku industria ushtarake do të jetë kryefjala, e në veçanti prodhimi i municionit në fabrikën Jahoc të Gjakovës si dhe prodhimi i dronave. Në fund të këtij viti do t’i kemi fishekët e parë “Made in Kosova” për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Do të fillojmë me gasifikimin e linjitit. Ne kemi qymyr shumë prej 10 deri në 14 miliardë ton. Mirëpo para se ta bëjmë gasifikimin e qymyrit dhe para se të hyjmë në investime në miniera, 50 milionë euro për skanimin e gjendjes për radiografinë e gjeologjisë tonë, ta marrim vesh sa jemi të pasur e ku jemi më të pasur. Pra, është e domosdoshme të orientohemi nga gasifikimi i linjitit, përkatësisht i qymyrit dhe sidomos investimi në miniera jo vetëm në Trepçë. Dhe unë po ju bëj thirrje që në këso konferenca përveç rrjetëzimit te jeni sa më konkretë me njëri tjetrin dhe gjithashtu ministritë e Qeverisë së Republikës do të jenë në dispozicion për çdo nevojë që keni ju lidhur me bashkëpunimet ekonomike, rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe investimet ekonomike. Sektori i cili është rritur shumë ai i Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit. 6 për qind të Bruto Produktit Vendor. 1500 kompani me 20 mijë inxhiniera dhe zhvillues të softuerit. Pra, kemi nevojë ta bëjmë ekosistemin tash tek sektori e në mandatin në vijim do ta kemi edhe valutën tonë digjitale si dhe një Kullë të Teknologjisë së Informacionit dhe të Komunikimit. Një pjesë të bizneseve tuaja ju mund t’i bartni edhe te kompanitë në Kosovë. Kjo tashmë po ndodhë e kemi mësuar prej vet juve. Ta zëmë kontabiliteti, marketingu i kompanive tuaja mund të bëhet nga Kosova. Dhe sa për krahasim bujqësia bënë pjesë 7 për qind të Bruto Produktit Vendor dhe sektori i Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit 6 për qind. E keni parë që edhe gazetat prestigjioze si Bloomberg-u për shembull ka shkruar për hovin e hovshëm të famshëm, të Kosovës në këtë aspekt. Do t’i kemi 14 parqe industriale me infrastrukturë të përshtatshme për bizneset të cilat ju mund t’i zgjeroni apo edhe t’i hapni rishtas. Investimi në Kosovë nuk sjell vetëm përfitim financiar, gjithashtu sjell edhe kënaqësinë e brendshme të secilit prej juve që investoni në vendlindjen tuaj të dashur. Dhe për dallim prej tri dekadave ne nuk ju themi më bashkatdhetarëve sakrifikoni që të kontribuoni, por investoni që të përfitoni. Dhe në veçanti është e lidhur me brezin e ardhshëm, me fëmijët e juaj. Fëmijët e juaj është e rëndësishme të vijnë në Kosovë, të punojnë për institucionet në Kosovë, të mirëmbajnë dhe t’i udhëheqin bizneset private dhe në këtë mënyrë brezi i dytë, i tretë i diasporës sonë të jetë edhe më shumë i lidhur se sa brezat paraprak. Kosova nuk është e njëjtë më, si para 10 vjetëve dhe nuk do të jetë e njëjtë as 10 vjet më vonë.
Si kryeministër unë ju ftoj të gjithë juve që të jeni pjesë e këtij ndryshimi të madh e të përbashkët.
Ju dëshiroj shëndet, suksese gjithnjë më të mëdha në të ardhmen dhe llogarisni në neve. Faleminderit./Lajmi.net/