Mbrëmja letrare vazhdon festimet për Ditën e Evropës
Si pjesë e festimeve për Ditën e Evropës, që po vazhdojnë gjatë gjithë muajit maj, në Prishtinë u mbajt një aktivitet i kushtuar letërsisë dhe diversitetit kulturor. Ngjarja u mbajt të enjten në ambientet e Europe House në Prishtinë, ku Shtetet Anëtare të BE-së, në bashkëpunim me Ambasadën e Malit të Zi, organizuan një mbrëmje…
Si pjesë e festimeve për Ditën e Evropës, që po vazhdojnë gjatë gjithë muajit maj, në Prishtinë u mbajt një aktivitet i kushtuar letërsisë dhe diversitetit kulturor.
Ngjarja u mbajt të enjten në ambientet e Europe House në Prishtinë, ku Shtetet Anëtare të BE-së, në bashkëpunim me Ambasadën e Malit të Zi, organizuan një mbrëmje multikulturore dhe shumëgjuhëshe kushtuar Evropës përmes letërsisë.
Përveç qytetarëve të Kosovës, në këtë aktivitet morën pjesë ambasadorë të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, si dhe përfaqësues të tjerë diplomatikë, të cilët interpretuan pjesë nga veprat e disa prej shkrimtarëve më të njohur të vendeve të tyre. Gjatë mbrëmjes u lexuan pjesë nga Mehmet Kraja, Franz Kafka, Ismail Kadare, Joseph Kessel, Italo Calvino, Margit Kaffka, Konstantin Kavafis, Sreçko Kosovel dhe Danilo Kish.

Ambasadori i Malit të Zi, Bernard Çobaj, tha se kremtimi i Ditës së Evropës në këtë formë solli një qasje ndryshe, më afër frymës së bashkëjetesës kulturore. Sipas tij, ideja e mbrëmjes u frymëzua nga një thënie e shkrimtarit të madh italian Umberto Eco, se fuqia e Evropës qëndron te përkthimet e saj. Ai tha se koncepti i mbrëmjes ishte ndërtuar mbi këtë ide, duke përdorur tingullin, përkatësisht shkronjën “K”, si pikënisje për promovimin e shkrimtarëve të ndryshëm evropianë, mbiemrat e të cilëve fillojnë me këtë shkronjë.
Për këtë foli edhe Shefja në detyrë e BE-së në Kosovë, Eva Palatova, e cila e lidhi kulturën me nevojën për dialog dhe mendim kritik në shoqëri.
Ajo tha: “Në një kohë të polarizimit në rritje, dezinformimit dhe thjeshtësimit, kjo aftësi për të dëgjuar, për t’u sfiduar dhe për të reflektuar mbi mendimin e tjetrit ka më shumë rëndësi se kurrë. Për ne, tingulli K do të thotë edhe kulturë, bashkëpunim, vazhdimësi, ndoshta bashkëjetesë, si dhe kritikë dhe mendim kritik. Këto nuk janë koncepte abstrakte. Këto janë themelet e shoqërive demokratike dhe të hapura. Për ne, në Bashkimin Evropian, kultura nuk është dytësore ndaj politikës. Kultura formëson identitetin evropian.”
Mbrëmja solli reflektim dhe një vlerësim të përbashkët për trashëgiminë letrare të Evropës, duke e kthyer festimin e Ditës së Evropës në një pikëtakim të veçantë mes kulturave dhe gjuhëve të ndryshme.