Pas Jeta Statovcit, Vjosa Osmani prezanton Arjeta Musliun si aderimin më të ri në listën e saj për zgjedhjet e 7 qershorit

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka prezantuar Arjeta Musliun si pjesë të listës së saj për zgjedhjet e 7 qershorit, listë e cila pritet t’i bashkohet LDK-së në një koalicion parazgjedhor. Përmes një postimi publik, Osmani e përshkroi Musliun si një grua që ka shndërruar dhimbjen personale në mision për të ndihmuar familjet që përballen…

Lajme

07/05/2026 20:04

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka prezantuar Arjeta Musliun si pjesë të listës së saj për zgjedhjet e 7 qershorit, listë e cila pritet t’i bashkohet LDK-së në një koalicion parazgjedhor.

Përmes një postimi publik, Osmani e përshkroi Musliun si një grua që ka shndërruar dhimbjen personale në mision për të ndihmuar familjet që përballen me varësinë nga substancat narkotike dhe për të mbështetur të rinjtë që kanë nevojë për përkrahje, transmeton lajmi.net.

“Historia e saj nuk u formësua nga politika, por nga dhimbja”, shkroi Osmani, duke shtuar se Musliu ka zgjedhur që përvojën e saj ta kthejë në forcë dhe në angazhim publik për të ndihmuar të tjerët.

Sipas Osmanit, Arjeta Musliu do të jetë “zëri i kësaj kauze në Kuvendin e Kosovës”, ndërsa kujtoi se në vitin 2021 e kishte dekoruar atë me Urdhrin Presidencial “Shote Galica”.

“Arjetën e kemi mbështetur dje. E mbështesim sot. Dhe do ta mbështesim gjithmonë”, ka deklaruar Osmani.

Ky është një tjetër aderim që po i bashkohet listës së Osmanit në prag të zgjedhjeve, ndërsa gjatë ditës së sotme ajo prezantoi edhe ish-deputeten e Kuvendit të Kosovës nga Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes, Jeta Statovcin, si pjesë të ekipit të saj politik./lajmi.net/